Pages

Friday, March 1, 2013

Gazeta Tema: Zbythje jodinjitoze nga fiku nacionalist

Gazeta Tema
Gazete e perditshme shqiptare
Zbythje jodinjitoze nga fiku nacionalist
Mar 1st 2013, 18:47

arben manajNga Arben Manaj

Vizita e kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi në Tiranë dhe bisedimet me homologun e tij të Shqipërisë, me gjasë informimin dhe koordinimin institucional për atë ç'ka po bisedohet pas kuintave në Bruksel me serbët me sponsorizimin direkt të BE-së dhe bekimin e Uashingtonit, bëri që përfundimisht tezat e nacionalizmit romantik dhe folklorik të Berishës të binin nga fiku.

Deklarata e tipit U-Turn të Berishës për ç'ka kishte trumbetuar më herët që nga nënshtetësia e deri tek ëndrrat dhe demagogjia nga Kosova deri në Prevezë, treguan sesa infantile dhe dritëshkurtër janë prononcime të tilla prej politikanësh provincial.

Moskoordinimi paraprak në rastin më lehtësues, apo keqpërdorimi malinj në rastin më të keq, me teza dhe objektiva që realisht shqiptarët do të mund t'i arrijnë gradualisht dhe me shumë elegancë, edhe pse jo në tërësinë që konceptohen gjerësisht dhe naivisht sot, por në kohën e duhur dhe oportune, gjithsesi të mëvonshme kur të jenë krijuar të gjitha kushtet dhe rrethanat për një gjë të tillë, në bashkëpunim dhe përshtatje me klubin politik ku ka futur një këmbë Shqipëria dhe Ballkani, pra BE-në, rezultoi një shuplakë ndërkombëtare për Berishën në këtë vit elektoral.

Atij i treguan vendin tek thana, ata që vendosin më shumë për këto çështje të një strategjie më të komplikuar ndërkombëtare, duke i thënë se je i tepërt në këtë lojë të madhe.

Deklarimi i zbythjes në prani të Thaçit është një gjest i mirëkoordinuar, pse jo edhe poshtërues, sidomos për Berishën, por njëkohësisht indirekt edhe për tu thënë shqiptarëve në secilën anë të kufirit se nuk është koha për retorikë të këtillë dhe madje se kjo është e rrezikshme.

Ëndrra e natyrshme dhe natyrale shqiptare do të mbesë e tillë edhe për një kohë të gjatë dhe do të mund të materializohet përmes procesesh të tjera dhe kryesisht integruese, dhe jo atyre klasikeve në kushtet kur në Ballkan po tentohet masivisht dhe me shumë dhimbje korrigjimi i ekuilibrave të brishtë gjeostrategjikë dhe gjeopolitikë, ku prishja e zemrekut të tyre në të kaluarën, i ka kushtuar shume gjakderdhje popujve të gadishullit dhe ku përsëritja nga papërgjegjësi politike është e patolerueshme.

Nacionalizmi modern sipas konceptit evropian të këtij mijëvjeçari është shumë ndryshe nga ai i kohës së dy luftërave të mëdha botërore apo dhe më i hershëm.

Nacionalizmi kontemporan e gjen veten të shprehur më së miri në përfitimet dhe rezultatet me vlera më praktike, që rrjedhin nga integrimi dhe globalizmi, si antidot i koncepteve të vjetëruara të ndarjeve ekskluzivisht përmes linjave etnikisht të pastra.

Kjo formë nacionalizimi është më së shumti një kompromis i gjetur, me gjasa jetëgjatësie të garantuar, përmes aderimeve obliguese në grupime shtetesh që kanë përqafuar pa ekuivok dhe pakthyeshmërisht parimet e demokracisë, dhe bashkëjetesës paqësore mes popujve dhe kombeve të integruar.

Ndaj që në agim të deklaratave të çuditshme nacionalisto-folklorike të kryeministrit nacionalisto-spekulativ të Shqipërisë, pritej që bashkësia dhe aktorët e fuqishëm në vendimmarrjet e mëdha globale, të mos toleronin infektimin nga kjo dalldi në një rajon delikat.

Ndaj amerikanët, gjermanët dhe të tjerët bën presionë, ku më të hapur e ku privatisht, i cili duket se e ka hedhur në knock-out Berishën dhe i kanë rikujtuar vijën e kuqe atij dhe të tjerëve spekulantë politikë në Shqipëri, për të dëgjuar edhe të tjerët më gjerë në Ballkan.

Ndërkohë një transparencë më e madhe nga Thaçi, që informon Berishën dhe që do e bënte çdo kryeministër i ditës në Kosovë me çdo kryeministër të ditës në Shqipëri, për atë ç'ka po ndodh realisht në Bruksel, se ku po tolerohet dhe do duhet toleruar në negociatat sesa bisedimet shqiptaro-serbe nën supervizionin e Eshtonit, që do të tronditin eventualisht përfaqësuesit e vijës së ashpër në Beograd apo Prishtine, por edhe të moderuarit, do ti shërbej ndërgjegjësimit akoma më të madh të shqiptarëve.

Ajo argumentueshëm do t'i shërbejë edhe ndonjë korrigjimi apo sugjerimi të mundshëm të pozicionimeve negociuese për lëshimet dhe kompromiset e pashmangshme, që shqiptarët dhe serbët pritet, dhe do t'i bëjnë njëri-tjetrit, në emër të një të ardhme më të qëndrueshme dhe pa reminishencat e së shkuarës dhe një zgjidhje që nuk do ti kënaq assesi, siç do donin asnjërën palë.

You are receiving this email because you subscribed to this feed at blogtrottr.com.

If you no longer wish to receive these emails, you can unsubscribe from this feed, or manage all your subscriptions

0 comments:

Post a Comment