Pages

Friday, March 1, 2013

Gazeta Tema: Referendumi i Saliut pas 2013-ës! Do shkrijë parlamentin dhe pushtetin ligjvënës “do ta ushtrojë” populli

Gazeta Tema
Gazete e perditshme shqiptare
Referendumi i Saliut pas 2013-ës! Do shkrijë parlamentin dhe pushtetin ligjvënës "do ta ushtrojë" populli
Mar 1st 2013, 18:27

arben-isarajNga Arben Isaraj

235 vjet më parë, me vdekjen e Zhan Zhak Rusoit, të birit të Suzanës dhe Isakut, me profesion filozof i jetës dhe së drejtës, mbaroi fryma dhe era e demokracisë së drejtpërdrejtë (apo pjesëmarrëse) duke i hapur rrugën përfundimisht në botën e qytetëruar demokracise me përfaqësues (apo parlamentarizmit), duke u mbështetur dhe bazuar në logjiken e fortë dhe të plotë perëndimore se:

1. Demokracia me përfaqësues vesh me pushtet ligjvënës një pakicë të zgjedhur profesionale, inteligjente, me përvojë dhe interes të veçantë në problemet politike. Demokracia e drejtpërdrejtë e shkrin dhe zëvendëson këtë pakicë me masat popullore;

2. Përfaqësuesit (deputetët) i kushtohen plotësisht (si detyrë e përditshme) procesit ligjvënës, kurse populli e ka të pamundur qoftë dhe fizikisht ta bëjë këtë;

3. Në krahasim me popullin, parlamenti ka mundësi më të mëdha tekniko-administrative për një shqyrtim më të matur, të qetë e profesional të projektligjeve;

4. Demokracia e drejtpërdrejtë "mund" të funksionojë vetëm në qytetet-shtete, me sipërfaqe dhe popullsi shumë të vogël. Dhe aty ekzistenca e një grupi të madh njerëzish, e nxitur dhe nga fjalime pasionante, është e papajtueshme me procesin e shqyrtimit dhe miratimit të ligjeve që bën parlamenti;

5. Demokracia me përfaqësues hap rrugën për integrimin politiko-ekonomik të vendit në shkallë rajonale e ndërkombëtare. Popujt, sado të emancipuar të jenë, nuk kanë mundësi të bisedojnë, diskutojnë e të merren vesh me njëri-tjetrin pa përfaqësues.

Por… 235 vjet më vonë, në zemër të Europës së integruar me demokraci, parlamentarizem dhe shtet ligjor, Sali Berisha, i biri i Sheqeres dhe i Ramës, me profesionin special doktor, që çon në takikardi demokracinë, do të zëvendësojë parlamentarizmin (demokracinë përfaqësuese) me populizmin e ideve të tij antikushtetuese, në procesin e ligjvënies në Shqipëri.

Pa "ngrënë" bukë e "pirë" ujë nga tryeza e konstitucionalistëve, që janë me shumicë në të majtë, të djathtë, në shoqërinë akademike e civile, jam i vetshtyrë (nuk kanë dorë as serbët, as greket, as Kasemi e as Mazllemi) të shpjegoj me Kushtetutën e Shqipërisë "miratimin" e tre projektligjeve sipas Saliut dhe procesit të tij "ligjvënës" pas qershorit 2013-të (po fitoi…).

Megjithëse germa a, pika 2, neni 81 i Kushtetutës në fuqi të Shqipërisë, thotë se- "miratohen me tre të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit ligjet për organizimin dhe funksionimin e institucioneve", për Saliun që "do" aq shumë Kushtetutën dhe demokracinë, pas 2013-ës (po fitoi….), Kuvendi do zhvishet nga detyra dhe e drejta e ligjvënies dhe kjo i kalon popullit referendar sovran.

Shkojmë me tej. Sipas pikës 1, neni 83 i Kushtetutës në fuqi –"Projektligji votohet tre herë: në parim, nen për nen dhe në tërësi".

Këtu vjen e pamundura…

A e imagjinoni dot se sa here dhe si do t'i votoje "populli" referendar i Saliut tre projektligjet e integrimit?!

A votohen ligjet me votim të fshehtë?

Çfarë ndodh kur largqoftë, një pjese e popullit referendar do të amendojë ndonjë nen të projektligjeve ?

Si do t'i zgjidhe këto "Qoftëlargu" i qershorit të 2013-ës?

Referendumi i Saliut për miratimin e tre projektligjeve të "integrimit", po të merret seriozisht, është një përpjekje e çmendur social-politike për ndryshimin e historisë së zhvillimit të shoqërisë dhe demokracisë.

Referendumi i Saliut për miratimin e tre projektligjeve të "integrimit", po të merret seriozisht, është një greminë marramendëse që shpie veç në gjendjen e dhunës totale dhe tiranisë pakufi.

Dhe për merakun tim konstitucional, na u tha se kjo nismë është bazuar në piken 2 të nenit 150 të Kushtetutës, e cila thotë qartë: "Kuvendi, me propozimin e jo me pak se një të pestës së deputetëve ose me propozimin e Këshillit te Ministrave, mund të vendosë që një çështje ose një projektligj i një rëndësie të veçantë të shtrohet në referendum".

Gjykata Kushtetuese, është e vërtetë që nuk ka të drejte të çmojë "rëndësinë e veçantë", por nuk ka as forcën ligjore të barazojë NJE me TRE.

You are receiving this email because you subscribed to this feed at blogtrottr.com.

If you no longer wish to receive these emails, you can unsubscribe from this feed, or manage all your subscriptions

0 comments:

Post a Comment