Pages

Sunday, March 3, 2013

Gazeta Tema: Perpara per mbrojtjen e Atdheut…nga opozita!

Gazeta Tema
Gazete e perditshme shqiptare
Perpara per mbrojtjen e Atdheut…nga opozita!
Mar 3rd 2013, 19:36

kulla

Pellumb Kulla

 

Për luftë të vërtetë, nuk është fjala,  për egërsi  të pakufishme po!

Qeveria e sheh Opozitën me formatin enverian, si kontigjent armik të popullit mbarë. Është trashëgimia ogurzezë e Hoxhës, që  armiqtë e brendshëm i shihte gjithmonë më të rrezikshëm se ata të jashtmit. Dhe në fakt, sa qe gjallë, ai vetëm kundër tyre luftoi.

Opozita tek ne nuk shihet si një alternativë, si një gjysmë tjetër e shoqërisë në një vend të përbashkët gjeografik, me të cilën jo domosdo je gjithmonë në harmoni. Opozita nuk është veçse një grupim  shemër, me të cilën jemi në garë. Por në këtë hise të dheut, nuk na ze gjumi, si e si ta mundim atë, jo duke ia kaluar por duke e asgjësuar. Tamam sikur në një pistë vrapimi ta siguronim fitoren duke i  vrarë që të shtatë atletët e tjerë që rendin bri nesh.

Opozita për ne është e rrezikshme, ngaqë  përbën shpresë më shumë se ne, që tashmë e kemi shfaqur se sa të zotët dhe sa të ndershëm jemi. Dhe kur jemi kaq katran sa jemi, atëherë populli mund të shkojë me kundërshtarët tanë, jo se ata  mund të jenë më të aftë, jo se ata bëjnë premtime mashtruese, më joshëse se tonat , por sepse ky popull neve nuk na duron dot më.

Atëherë ç'na mbetet? Na mbetet t'i pikturojmë politikanët kundërshtarë si djallin vetë.  Krijojmë një fushë emocionale të tillë, për ca armiq të atdheut, kundër të cilëve japim kushtrimin: o burra, ta mbrojmë! Ngrehuni të gjithë, se na  zaptuan!

Këtë radhë njeriu që i ka ngulur thonjtë në grykë demokracisë e ka më të vështirë garën. Duke i  bërë vend  Nanos, në oborrin  e tij, ai ia hoqi vetes mundësitë krahasuese me qeverisjen e fundit socialiste, me atë tetëvjeçar vërtet  korruptiv dhe rrënues. Tani kryeministri  qan me lotë avantazhet që i jepte retorika e opozitarit, sulmet e tij breshërore kundër qeverisë në fuqi, se tani është ai vetë fuqia dhe qeveria! Tani premtimet e tij, – të cilat ai ka një huq që nuk i mban kurrë! – nuk e frymëzojnë dot as atë vetë. Ai mund të premtonte rreshje të arta kur të vinte në qeveri, por ai  në qeveri është! Dhe nuk ka se qysh të vijë, pa ikur!

Atëherë Berisha shpluhuros edhe një herë gogolin e komunizmit. Nuk  skuqet hiç që vitet dalëngadalë rrjedhin, dhe po e evidentojnë atë si të vetmin komunist të mbijetuar në tërë  trojet e ish perandorisë lindore. Ai vuan nostalgjinë e tingujve të çjerrë, por  megjithatë të bukur, të zërit të tij, kur sulmonte Bllokun dhe bllokmenët dhe populli i vuajtur, ia përpinte fjalët! Le të ishin të çjerra! Bllokut dhe bllokmenëve ai nuk u preku qimen dhe të vjen për të qeshur kur premton se do ta nxjerrë pallën tani, kundër ca njerëzve, që ai i cilëson bllokmenë, por që, gjynahqarët i kanë shkelur për herë të parë trotuarët e Bllokut aty nga fundi i vitit 91, shumë vite më vonë pasi Berisha i pat shkelur vetë ditpërditë. Dëgjoj shprehjet e përsëritura deri në mërzi  të këtij njeriu dhe kam filluar vramendjen: ore, çfarë kuptojmë me fjalën Bllok? Blloku ishte i lemerishëm me ndërtesat e tij të bukura, apo me njerëzit e tij të shëmtuar me pushtet? Ndërtesat po i përjashtojmë nga fajësia. Po tani, më 2013, kush janë njerëzit e shëmtuar me pushtet, dua të them cilët bllokmenë po u marrin frymën shqiptarëve? A është më shumë bllokmen i biri i profesor  Hamit Beqjes, apo ai i profesor Sali Berishës?!

Atdheu në rrezik! Kjo klimë e ndihmon kryeqeveritarin të duket mbrojtës i përkushtuar i tij, dhe për këtë sajon dhe i bën tëra hilet që ka bota, vetëm e vetëm për të mbrojtur kët' atdhe nga pushtimi që i kanoset prej Opozitës, zgjeruar tani frikshëm me partitë e reja të FRD-së dhe Kuqezinjëve.  Me moton "atdheu në rrezik" ai prêt të shpërblehet me lotë mirënjohjeje për  tëra hilet, të vjetrat dhe të rejat: spostimet e fallsifikuara të njerëzve, popullimin me zor të Kukësit, vërshimin e kosovarëve për të votuar e shpëtuar tokën mëmë, numërimin e shtrembëruar të votave dhe të gjitha pisllëqet. Në kushtet e reja këto janë armët.  Ato duhen parë jo si hile, por si mjete të luftës patriotike! Vetëm e vetëm të mbrohet atdheu nga … Opozita!

Le të vijnë e të paralajmërojnë në foltoren e parlamentit, jo një por, dhjetë Hillarira, dhe le  të japin shëmbull, se deri ku u zgjat konflikti i saj me Obamën e ku filloi bashkëpunimi i tyre luajal. Zonja Topalli nuk i ka veshët për Hillarin, se ajo e di  vetë cilin profet duhet të dëgjojë! Hillarit i qoftë rruga e mbarë, Jozefina ka mësimet e Vladimir Iliçit të saj! Darka e bukur e dy kandidatëve për presidentë të Shteteve të Bashkuara në kulmin e fushatës zgjedhore, këtej nga ne merret si një mësim për t'u hedhur në kosh. Rivalët për postin më të pushtetshëm në botë, në një natë të tërë trokitën gotat, thumbuan miqësisht njëri tjetrin dhe aq. Por ky për ne, nuk është shëmbull. Në djall të venë Obama dhe Romney!  Edhe Berisha do të vepronte si dy kandidatët e shquar, por mjerisht, kandidatët përballë Berishës janë armiq të kombit shqiptar.

Në djall Obamat dhe Klintonët! Ata nuk janë në të tilla gjendje lufte, prandaj kanë lluksin të emërojnë ministra nga Opozitat e tyre! I shoqi demokrat i Hillarit, kur udhëhiqte ShBA, emëroi Uilliam Kohenin  republikan, ministër të tij të mbrojtjes! Jo më larg se pardje Obama caktoi dhe i miratuan një ministër tjetër mbrojtjeje, Çak Hagelin, po nga pala e Opozitës! Po a mund të përfytyrohet tek ne një lëvizje e tillë?! Rrethuar nga armiq opozitarë që i duan varrin vendit, ti veçse me njeriun tënd të besuar mundesh, fjala vjen, të ngresh fshehurazi një punishte që të zhvidhosësh predha, për skrap dhe barut. Dhe kjo, jo për të abuzuar me shitjet, por për të siguruar ca kapital financiar për partinë, e cila është e vetmja garante e lirisë së atdheut dhe e shpëtimit të tij nga … Opozita! As që bëhet fjalë ta kesh ministrin e mbrojtjes nga ajo opozitë dhe ta urdhërosh të blerë, fjala vjen, ndonjë aparaturë të sofistikuar, për të përgjuar në dobi të mbrojtjes së lirisë së nënshtetasve! Cilin të përgjosh? Ministrin vetë apo shokët e tij të partis?! Kështu ti do t'i hiqje vetes një nga bukuritë më të magjishme të sundimit: përgjimin e kundërshtarëve dhe sidomos, sidomos të bashkëpuntorëve të tu!

Jooo! Mund të thuash sa të duash që froni i Presidentit amerikan është më i larti më i çmuari, por besa jo, kurrë më i çmuar se ai froni aty, në një zyrë tetë metra për tetë metra, diku në një kat të dytë! Në fakt, për kryeministrin e sotëm ai është atdheu! Mos e ndiqni në përfytyrimet e zgjeruara, ku mundohet t' ju tërheq ai, në  Prevezë, Tetovë , Mitrovicë e gjetiu! Atdheun ai e ka aty në ato gjashtëdhjetekatër metra katrorë, në atë ndërtesën me pllaka mermeri, rrethuar me kangjella, përballë ish selisë së Komitetit Qëndror.

Shqiptarët presin tani një debat televiziv, por Berisha është aq i zgjuar sa ta kuptojë se nuk ka asnjë zgjuarsi debatuese dhe nuk do të dalë kurrë të përballet me askend. Do të bënte vetvrasje.  Ai del fitues vetëm në një sallë me të vetët, ku ai flet dhe të tjerat dëgjojnë. Dhe nganjëherë qeshin aty, ku u jep urdhër ai.  Debat? Në asnjë mënyrë! Ky kryeministër e ka më kollaj luftën nga istikami! Dhe, bujrum!  Le të vijnë armiqtë e kombit, po të duan! /Dita/

 

 

 

You are receiving this email because you subscribed to this feed at blogtrottr.com.

If you no longer wish to receive these emails, you can unsubscribe from this feed, or manage all your subscriptions

0 comments:

Post a Comment