Pages

Sunday, March 3, 2013

Gazeta Tema: Ministri i policisë, Saliu dhe turshitë

Gazeta Tema
Gazete e perditshme shqiptare
Ministri i policisë, Saliu dhe turshitë
Mar 3rd 2013, 20:01

kulicaj me frrokunNga Lorenc Vangjeli

Një domate e madhe turshi. Një gjysëm qepe e thatë. Shumë lakër e bardhë, gjithashtu turshi. Specat me gjizë nuk duken, por mishi i pjekur është i bollshëm. Një çifteli kalon dorë më dorë dhe raki, shumë, shumë raki. Kjo ishte menuja e tryezës së gostisë së katër krerëve të policisë së Republikës Folklorike shqiptare me të dyshuarin si ekzekutor të komisarit të policisë Dritan Lamaj. Një tryezë bukolike, e lumtur, e vetëkënaqur. Këta janë teorikisht njerëzit që duhet të luftojnë krimin dhe të mbrojnë qytetarin. Të imagjinohet një çast që aty, nga njëra dolli tek tjetra, në celularët e tyre mbërrinte një zile alarmi: diku po ndodh një vrasje. Përgjigja do të ishte: Ashtu? Më merr më vonë se jam në një drekëdarkë pune! Krimi pret, por mezet ftohen. Nëse ata do të ishin mace të dehura, minjtë, domethënë krimi, do të hedhë, siç po e hedh, vallen e tij tragjike në kurriz të qytetarëve. Në fakt ata janë, madje, shumë më shumë se kaq. Mace e minj janë të shkrirë në bashkëjetesë paqësore, të bekuar me raki e turshi. Kanë vetëm një detyrë: të jenë besnikë të kryepolicit të tyre në qeveri. Mjafton kaq dhe ata konsiderohet se e kanë kryer detyrën.

Ka disa hipoteza për çfarë është festuar dhe diskutuar në ato orë të gjata prej adoleshentësh të vetkënaqur. Njëra prej tyre – të gjithë pranojnë konfliktin e hershëm mes komisartit të vrarë dhe të dyshuarit si vrasës – është diskutimi për konfliktin mes tyre. Natyrisht krerët e policisë e kishin bërë zgjedhjen vetjake. Kishin mbajtur anën e atij që kishin në tavolinë. Kolegu i tyre me uniformë nuk mund të ishte me ta. Hierarkia tek ushtarakët ka ende kuptim. Komisari i vrarë që konsiderohet si një nga ndihmësit më të paepur të Presidentit aktual për marrjen e mandatit të parë në 2005-ën në Kombinat, nuk mund t'i afronte gjë më shumë asaj tavoline. Miku i tij i hershëm është internuar në Pallatin e Brigadave.

Drekëdarka e haershme nuk është lajmi më i keq. Në këtë vend anormal ku pesha e njëriut matet me vlerën e zinxhirit të artë në qafë, paratë cash në xhep dhe llojin e makinës së parkuar tek dyert e lokaleve ku këndohet tallava, e keqja shkon shumë më lart. Edhe vetë krerët e policisë janë viktima të një sistemi të ngritur nga numrat në Kuvend. Aty nga buron gjithë e liga. Aty ku kryeministri sillet si polic barsaletash që nuk merr seriozisht as veten e tij, as ata që i ka të vetët dhe as ata që i kërkojnë të ikë. Aty ku ministri i brendshëm, në mënyrë të pabesueshme flet si puntor operativ në hetimet e kohës së diktaturës.

Ministri i brendshëm nga salla e Kuvendit i kërkon kryetarit të opozitës të thotë nëse është takuar me të dyshuarin për vrasje. I kërkon të dijë nëse i është premtuar atij një mandat deputeti. I kërkohet një deputeti socialist çfarë paska biseduar me të njëjtin person. Pastaj me atë teknologjinë e hershme të puntorëve operativë: "Trego vetë, se ne i dimë të gjitha", i thuhet se ai ka darkuar me të në një restorant në qendër të Tiranës nga ora aq deri në orën kaq mbas mesnate. Ky është segmenti tjetër i krimit politik që për më shumë, dëshmohet nga vetë ustai i policëve dhe ustai i ustait të policëve. Edhe pse opozita e konsideron një gjë të tillë shpifje, pyetja lebetitëse që i bëhet sistemit është: nga i di maxhoranca lëvizjet e njerëzve të opozitës? I ndjek? Ju përgjon telefonat? U lëshon njerëz nga pas dhe u regjistron bisedat me teknika operative? Ky është thelbi i vërtetë i gjithë kësaj historie që mban edhe erë diktaturë, edhe erë të pistë diktature sërish. Kjo është prova tjetër e rradhës që Shqipëria nuk është vend i lirë. Kjo është prova tronditëse që ky pushtet po përdor mekanizmat e shtetit për të konservuar pushtetin.

Katër zyrtarët e lartë të policisë, qofshin mace, në kuptimin e "gjuajtjes" së krimit, qofshin minj në kuptimin e trazimit dhe njehsimit të tyre me krimin, në thelb janë viktima të sistemit, janë pasqyrë e tij dhe nuk mund të jenë ndryshe sa kohë nuk ndryshon ky sistem që është demokraturë. Një sistem që buron i tillë nga lart, nga kryepolici që sillet me këtë vend si xhandar. I egër, i vrazhdë, qesharak, arrogant e agresiv. Ndaj është e tepërt të mbahet gjatë në vëmendje kupola drejtuese e policisë. Ata thjesht pinë raki me turshi, por nuk dehen nga to. Ndryshe do të ishte nëse do të lexonin libra. Atëherë do t'u këputej koka në tavolinë nga dehja sepse i zë libri. Mbetet vetëm shpresa se ditët e pushtetit të tyre janë drejt fundit. Shpresa se ky do të jetë dimri i tyre i fundit kur e trajtojnë pushtetin si zinxhir floriri në qafë për t'u mbushur xhepat me cash dhe parkingjet me makina luksi. Mbetet shpresa, që nesër, ata të jenë thjesht garnitura që do të shoqërojë ustain dhe ustain e ustait kur t'i zerë ligji nën hijen e tij të rëndë. Edhe Enver Hoxha ngjante i pavdekshëm në këtë vend. realisht ai ra kur u bë qesharak dhe rrëfehej si barsaletë për çfarë thoshte e çfarë bënte. Sidomos mbas vdekjes. Këta, të gjithë bashkë, këtë fat e kanë që në ngjallje. /Java/

 

You are receiving this email because you subscribed to this feed at blogtrottr.com.

If you no longer wish to receive these emails, you can unsubscribe from this feed, or manage all your subscriptions

0 comments:

Post a Comment