Pages

Friday, March 1, 2013

Gazeta Tema: Kronikë e një krimi që po lajmërohet

Gazeta Tema
Gazete e perditshme shqiptare
Kronikë e një krimi që po lajmërohet
Mar 1st 2013, 19:50

Arban Hasani karikatureNga Arban Hasani

Ajo që po ndodh në Shqipëri pas vrasjes së komisar Dritan Lamaj, duket se nuk është thjesht dhe vetëm kronika e një krimi të shëmtuar në radhët e oficerëve të policisë. Kjo pavarësisht se në ditët e para e gjithë ngjarja i ngjante të njëjtit film kriminal, në të cilin viktima është thuajse gjithnjë komisari i vetmuar, i zënë në pritë në errësirë prej banditëve të armatosur. Madje kjo ngjarje nuk mund të ishte kronika makabre e zakonshme, edhe pse policia nxitoi të deklaronte se kishte identifikuar autorët dhe do të bënte të pamundurën për kapjen e tyre. As sepse qysh në orët e para u mësua se komisari ishte në një konflikt të njohur publik, për të cilin kishte denoncuar edhe në prokurori, ndërsa i akuzuari kryesor ishte larguar i qetë nga dogana e Kapshticës duke u pajisur me vulën e postës së policisë, të paktën tre orë pasi kishte ndodhur vrasja. Për ta bërë plotësisht të pazakontë këtë ngjarje, mjaftuan disa foto të drejtuesve kryesorë të policisë së shtetit me të akuzuarin gjatë një dreke, fakt që e përjashtonte nga rastësia jo vetëm çiftelia dhe gotat e rakisë, por edhe deklarimet e miqësisë nga vetë i arrestuari. Në kulmin e këtij implikimi tronditës duket se nis edhe kronika e një krimi të ri që po shpallet: përdorimit të policisë si organizatë politike.

Kryeministri Sali Berisha nuk pati asnjë koment në lidhje me këtë ngjarje, duke lënë të çuditur si kundërshtarët, ashtu edhe mbështetësit e tij. Njeriu, i cili pas vitit 2005 shpallte se kishte luftuar krimin pavarësisht ngjyrës, si edhe nuk kishte hezituar të shkarkonte drejtues policie edhe kur ata vetëm sa mund të dyshoheshin për mefshtësi dhe jo më për njohje apo dekonspirim në aksione, nuk komentoi as dorëheqjet e kupolës së policisë nga drejtimi i hetimit për vrasjen e Lamajt. Sali Berisha pikërisht me dy ish- ministra të Brendshëm ka bërë edhe betejat kryesore me opozitën, kur si më 2007-ën, ashtu edhe më 2011-ën kandidoi Sokol Olldashin dhe Lulzim Bashën përballë Edi Ramës, pikërisht si yje në ngjitje dhe modele që sipas tij ishin përballur me krimin pa bërë kompromis. Ndërsa ministri i sotëm është një personazh i dorës së dytë, i cili kur duhet të jepte shpjegime mbi ngjarjen shokuese në parlament, pati një performancë aq për të ardhur keq, sa detyroi edhe Jozefina Topallin ta ulte pa takt në vend, për të mos vazhduar së thëni marri me Sida dhe prostituta për deputetët e opozitës. Nga ana tjetër krimi duket se është ulur këmbëkryq në vend dhe numri ditor i të vrarëve, pa përmendur grabitjet, vjedhjet dhe veprat e tjera, i ngjan një buletini lufte. Por pse hesht Berisha tashmë si dhe pse ka emëruar ministër të Brendshëm një personazh kaq folklorik sa Flamur Noka?

Duket se Sali Berisha e ka kapërcyer Rubikonin e tij më 21 janar në raport me policinë dhe luftën ndaj krimit. Vrasjet e katër qytetarëve në bulevard e detyruan kryeministrin të përdorte policinë shumë më tepër se çdo paraardhës i tij kishte bërë në funksion të luftës politike. E njëjta kupolë që është sot dhe u pa në fotot e shumëpërfolura, u angazhua jo vetëm të blinte privatisht gaz lotsjellës nëpër magazinat e Tiranës, por edhe të urdhëronte rrahjen e demonstruesve në orët e fundit të pasdites së 21 janarit. E njëjta kupolë u detyrua jo vetëm të bëjë deklarata politike kundër opozitës, të arrestojë e keqtrajtojë militantë nëpër rajone policie, të mos merrte nën kontroll vendin e krimit nga ku gardistët qëlluan apo të ndalonte ndonjë prej tyre, por as mos t'i bindej institucioneve kushtetuese. Policia e Shtetit nuk pranoi të zbatojë urdhrat e prokurorisë për arrestimet e drejtuesve të Gardës, jo vetëm duke shkelur ligjin me të dyja këmbët, por edhe duke u rreshtuar hapur në kampin politik të kryeministrit. Pamjet e Hysni Burgajt të veshur me uniformë në krah të Sali Berishës, kur sajonte puçin më çadra pistoleta e thika me helm, treguan më së miri se ditët kur policia ishte një forcë në luftë kundër krimit dhe në mbrojtje të jetës së qytetarëve, kishin marrë fund.

Pas 21 janarit këtë lëvizje të re të Berishës duket se e kuptoi jo vetëm kupola, por e gjithë struktura e Policisë së Shtetit. Rritja e frikshme e kriminalitetit i ka rrënjët pikërisht në këtë dekurajim, ku drejtuesit e policisë jo vetëm u vunë nën diktatin e Partisë Demokratike, por patën tashmë si ministra, figurat më pak serioze të maxhorancës, Bujar Nishanin dhe Flamur Nokën. Prej asaj kohe për policinë parësore nuk është lufta me krimin, por polemikat politike me opozitën. Kur Partia Socialiste shpalli programin për rendin, në vend të përgjegjësisë për atë që ka nuk bërë, Ministria e Brendshme përmendte fëmijët e deputetëve të opozitës me precedentë penalë. Në vend që të përgjigjeshin për komisarët e vrarë dhe policët e rënë në krye të detyrës, ata kanë nisur një betejë verbale politike me socialistët a thua se janë parti politike. Në çdo vrasje, krim ordiner, aksident, vjedhje dhe çdo veprimtari të paligjshme, deklaratat e para të Ministrisë së Brendshme fokusojnë opozitën, akuzojnë personazhe të saj paçka se nuk i padisin kurrë dhe ankohen se pakica po i përdor krimet politikisht. Ndërsa për gjithë punonjësit e ministrisë, pjesëmarrja në mitingjet e Partisë Demokratike është e detyrueshme- i fundit më 20 shkurt në qytetin Studenti- dhe karriera e drejtuesve bazohet tek besnikëria politike.

Për të gjitha këto, heshtja e Sali Berishës rreth fotos së kupolës së policisë me të akuzuarin kryesor për vrasjen e Dritan Lamajt duket e kuptueshme. Katër muaj përpara zgjedhjeve do ishte shumë e vështirë për të që ta shkarkonte këtë trupë, e cila prej kohësh është trajnuar jo për të luftuar krimin, por opozitën. Ai tashmë e ka të pamundur t'i zëvendësojë ata, të kërkojë llogari për kriminalitetin në rritje apo t'i presë udhën qoftë edhe implikimit indirekt të tyre me personat e dyshuar. Në prag të zgjedhjeve kjo do t'ia ngatërronte keq llogarinë që duket se ka bërë pas 21 janarit, kur policia ka devijuar qartësisht objektin kryesor të saj. Ndaj vrasja makabre e komisarit ka prodhuar kronikën e këtij krimi të ri, shfaqjen e policisë si organizatë politike.

You are receiving this email because you subscribed to this feed at blogtrottr.com.

If you no longer wish to receive these emails, you can unsubscribe from this feed, or manage all your subscriptions

0 comments:

Post a Comment