Pages

Sunday, March 3, 2013

Gazeta SHQIP: Panariti: Të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, janë një çështje që kapërcen suazat, si një çështje e brendshme e Serbisë

Gazeta SHQIP
...e përditshme e pavarur
Panariti: Të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, janë një çështje që kapërcen suazat, si një çështje e brendshme e Serbisë
Mar 3rd 2013, 18:40

panarittiNefaili1-300x195Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Edmond Panariti, në një intervistë për "Presheva Jonë", ka vlerësuar se respektimi i të drejtave të komuniteti shqiptar në Luginën e Preshevës, në Bujanoc dhe Medvegjë janë një çështje që kapërcen padyshim edhe suazat si një çështje e brendshme të Serbisë. Më poshtë është intervista e plotë që kryediplomati shqiptar ka dhënë pak ditë më parë për "Presheva Jonë":

Z.Ministër, fillimisht çfarë mund të na thoni për prezencën e juaj sot këtu në OKB në Gjenevë, Shqipëria si pjesëmarrëse e sesionit të 22-të të Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut?

Po, qëllimi i kësaj vizite është që ne të marrin pjesë në  seancat e punimeve të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për të drejtat e Njeriut. Është ky edhe një rast i mirë që mua më jepet për të takuar shumë personalitete, ministra, president etj. Për shembull sot kam takuar presidentin e Republikës Gjermane, por natyrisht kisha takime edhe me një sërë ministrash, sikur me atë të Britanisë së Madhe, ministrin polak të Punëve të Jashtme dhe një sërë ministrash të tjerë ku diskutuam padyshim për çështjen e respektimit të të drejtave të njeriut, për reformat që shteti shqiptarë ka ndërmarr për të rritur nivelin e respektimit të të drejtave të njeriut, kryesisht minoriteteve, grupeve vulnerable, brenda shoqërisë shqiptare të cilat kanë të gjitha të drejtat për të gëzuar të njëjtin status social e ekonomik sikur edhe qytetarët tjerë, gjë kjo që i garantohet nga Kushtetuta e shtetit shqiptar por edhe nga kartat normative ndërkombëtare. Në këtë kuadër, padyshim vëmendja jonë është përqendruar edhe në raport me respektimin e të drejtave të njeriut të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, që respektimi i të drejtave të tyre duhet parë natyrisht në kuadër të respektimit të drejtave të njeriut të garantuar nga karta të ndryshme të organizatave ndërkombëtare , pos të Kombeve të Bashkuar, por edhe atyre të parashikuar nga Këshilli i Evropës.

Këtu deshëm të ndërhyjmë, sa ka të drejtë Beogradi të thotë  se çështja e Luginës së Preshevës qenka një problem i brendshëm i Serbisë, aq më tepër kur dihet se të drejtat e njeriut sot janë një problem i përgjithshëm, sepse siç e dini deri dje, d.m.th para (1998) një decenie e më shumë të njëjtat dekalarata, refrene ishin dëgjuar edhe për Kosovën?

Siç e dini çështja e të drejtave të minoriteteve,  të komuniteteve nuk mund të konsiderohen thjesht një çështje e brendshme e një shteti, sepse i bie që çështja e minoriteteve brenda shtetit shqiptar, atij grekë dhe të tjera, të konsideroheshin sikur çështje e brendshme e vendit tonë. Por në fakt nuk janë çështje e brendshme të Shqipërisë, por janë këto që natyrisht që kapërcejnë  kufijtë e sovranitetit të një shteti dhe janë në trajtimin e së drejtës ndërkombëtare, kartave, konventave që shteti i nënshkruan për respektimin e këtyre të drejtave. Në këtë kuadër edhe respektimi i të drejtave të komuniteti shqiptar në Luginën e Preshevës, në Bujanoc dhe Medvegjë janë një çështje që kapërcen padyshim edhe suazat si një çështje e brendshme të Serbisë dhe shumë më tepër se aq. Për këtë arsye ka një vëmendje të posaçme e ka edhe detyrë kushtetuese, detyrim kushtetues dhe në bazë të kushtetutës së Shqipërisë ne kemi detyrim të interesohemi për statusin  ekonomiko-social dhe të drejtat e bashkëkombasëve tanë kudo që ata ndodhen në Serbi, Mal të Zi, Maqedoni apo kudo, apo  dhe në Greqi. Prandaj shteti shqiptar është i angazhuar  dhe plotësisht i fokusuar në respektimin e këtyre të drejtave, madje edhe gjatë vizitës që zoti Merkiç, ministri i jashtëm i Serbisë i bëri në Tiranë në konferencën e përbashkët të shtypit, unë theksova se marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Serbisë do të kenë si një kriter përcaktues edhe gjendjen dhe respektimin e të drejtave të njeriut të shqiptarëve të Malit të Zi. Kështu që ne i mbetemi këtij qëndrimi dhe do të jemi në linjë vazhdimisht me këtë pozicion.

Çështja e lapidarit të UCPMB-së më shumë kishte jehonë kur u largua, se sa kur u vu. Ky largim i dhunshëm nga xhandërmëria serbe sensibilizoi çështjen e Luginës, pavarësisht se Serbia u përpoq ta pengonte, sepse shkruajtën mediat botërore si "Reuters", "Der Spiegel",  "Die Presse" etj… d.m. th bëri jehonë në arenën ndërkombëtare një lapidar që u hoq padrejtësisht nga Serbia dhe në kundërshtim me vullnetin e popullit të atjeshëm. Bile aty flitet se u bë një kurth që tradhtoi Serbia si zakonisht duke zhgënjyer  jo vetëm shqiptarët duke hequr pa dijen e tyre, por edhe ndërkombëtarët, pra OSBE-në, sepse gati veç sa ishte arritur marrëveshje për çka duhej të merrej vendimi final  në orën 11-të, por xhandërmëria serbe nuk e priti këtë, e kishte bërë të veten, në orët e hershme të mëngjesit. Opinioni juaj z.Ministër ?

E saktë. Ju e thatë shumë mirë, sepse ne gjithë shpresonim të dy palët, komuniteti shqiptar dhe autoritet serbe do të gjenin gjuhën e dialogut dhe u bë përpjekje edhe me ndërmjetësimin e OSBE-së pikërisht për të promovuar frymën e kompromisit, dialogut për një zgjidhje të përshtatshme  mes palëve. Por, për fat të keq gjërat nuk shkuan ashtu. Me një akt të njëanshëm autoritetet serbe e larguan këtë monument dhe situata mori pak a shumë që tashmë ne e dimë. Por ,unë mendoj, përsëri dy palët duhet të ulen dhe kjo çështje nuk mund të konsiderohet e mbyllur. Madje duhet trajtuar edhe më gjerë si  pjesë e një pakete bisedimesh midis autoriteteve serbe dhe autoriteteve lokale të Luginës së Preshevës ku do të përfshihen edhe çështjet e tjera si ajo e dygjuhësisë, çështjet ekonomiko-sociale, simbolet, arsimimi. Pra, këtu janë shumë më komplekse problemet dhe sigurisht çështja e lapidarit ishte një kulminacion i gjithë këtyre të zezave. Unë mendoj, se ne përsëri do të rimarrim dialogun me Serbinë duke kërkuar që më tepër përpjekje, më tepër kontakte, kontribut të qeverisë  serbe duhet të jap për shqiptarët e Luginës së Preshevës që ata të gëzojnë gjithë të drejtat e tyre sikur edhe qytetarët serbë, në lëmin ekonomik, arsimor, kulturor dhe gjithë sferat e tjera të drejtave. Dhe natyrisht ne jemi të vendosur për këtë, që të kemi si të thuash si një impenjim më të madh të shteti serb në këtë drejtim. Shteti shqiptar, nga ana tjetër është i angazhuar për të rritur kontributin e tij në ndihmë dhënë bashkëkombasve tanë shqiptarë në Luginën e Preshevës. Ju e dini se zoti Tavo kishte planifikuar një vizitë në Beograd pikërisht për të koordinuar përpjekjet me autoritetet serbe për të kontribuar ndërtimin e maternitetit të ri të Preshevës, ku qeveria shqiptare ka alokuar një fond të konsiderueshëm për ta investuar për ndërtimin e këtij materniteti. Unë gjithësesi mendoj se fryma e dialogut, fryma e bashkëpunimit  duhet tashmë të dominoj.

Na falni po ju ndërpresim një çik, sot ka filluar duket dialogu mes Beogradit dhe Luginës në Bujanoc, por mediat kanë raportuar se Serbia e ka marrë pak si me turr këtë dialog me Luginën çka të krijon përshtypjen se mos po shantazhohet Lugina e Preshevës para muajit prill, kur Beogradi pret (mos) ta fitoj statusin e kandidates në BE dhe Serbia tash i ngutet për ta treguar veten se gjoja është e interesuar për dialog, apo?

Unë mendoj se jo vetëm në interes të Serbisë, jo vetëm në interes të shqiptarëve për në gjithë rajonet është fryma e dialogut, fryma  e kompromisit të jetë instrument i vetëm që popujt të kenë midis tyre, që komunitetet të kenë mes tyre për të garantuar një bashkëjetesë dhe bashkëqeverisje dinjitoze dhe për të avancuar proceset. Në ketë pikëpamje, model duhet të kemi padyshim dialogun Prishtinë-Beograd i cili po ecën dhe po përparon. Tashmë po zhvillohet në nivelin më të lartë të mundshëm, paraprakisht presidentja e Kosovës Jahjaga u takua me presidentin serb Nikoliç, që dikush e konsideron de facto si një njohje të shtetit të Kosovës nga ana e Serbisë. Gjithësesi dialogu po avancon për një zgjidhje të pranueshme i cili nuk prek sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës dhe bëhet fjalë për komunat serbe në Veri.

Z. Ministër meqë përmendët Veriun,çka mendoni për ktëë  asociacionin e komunave serbe që po përflitet ditët e fundit apo Serbia mos po tenton t'ia grabis Kosovës një pjesë, fillimisht në emër të këtij asociacioni komunash serbe?

Prandaj duhet të kemi kujdes. Paraprakisht ka disa opsione të hedhura mbi tavolinë të cilat duhet të diskutohen. Kryesorja është se askush nuk do të dëshironte që pjesa e veriut të shkonte drejt enkalivizimit pasi ne do të kishim modelin e  Bosnjës dhe e dini ju mirë se çfarë situate kritike kemi në Bosnjë. Kështu që praktikisht me vullnetin  e mirë që serbët e Veriut të Kosovës të gëzojnë të gjitha të drejtat që ju garanton kushtetuta e Kosovës po edhe aktet ndërkombëtare. Natyrisht, duhet të kemi kujdes që të mos ndërmarim hapa që mund të cënojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, sepse kjo nuk dëmton vetëm Kosovën por dëmton stabilitetin po aq edhe prospertitetin dhe stabilitetin në Ballkan dhe krijon një precendencë i cili pastaj mund ta infektoj të gjithë rajonin tonë.

Z.Ministër mund të na konfirmonise nuk ka pasur kurrfarë marrëveshjes mes Tiranës dhe Beogradit rreth lapidarit, kur   ministri serb Mërkic ishte në Tiranë, para ca javësh?

Jo, mesa di unë nuk ka pasur marrëveshje me ministrin serb Mërkic në këtë drejtim.

Z. Ministër shkurt jeni kundër ndërrimit, këmbimit të territoreve, jeni kundër ndarjes së Kosovës ?

Absolutisht jemi kundër. Qëndrimi i Shqipërisë mbetet i pacënuar. Shqipëria është për integritetin territorial të Kosovës për sovranitetin e plotë të shtetit të Kosovës me gjithë territorin e saj në kundërshtimin tonë nuk kemi si aplikojmë standarde të dyfishta për serbët e veri të Kosovës me serbët poshtë lumit Ibër, sepse natyrisht nuk do të ishte në radhë të parë e drejtë dhe aplikimi i standardeve të dyfishta do të krijonte pastaj një precidencë tej gjithë komunitetet e tjera dhe bashkëekzistencën e përbashkët në gjithë rajonin. Prandaj ne po i ndjekim me plot vëmendje edhe propozimet që po hidhen në tryezë dhe unë mendoj megjithatë se këto çështje që i takojnë dy vendeve për ta zgjidhur, posaçërisht mes shtetit të ri të Kosovës dhe Serbisë që përmes dialogut që ata po zhvillojnë. Që ky dialogu të avancojë, në radhë të parë provë e rëndësishme do të ishte zbatimi i marrëveshjeve të arritura në selinë e BE-së. Në qoftë se zbatohen marrëveshjet e arritura midis Serbisë dhe Kosovës, atëherë pak shpresë ka që edhe marrëveshjet që do të hidhen në tryezë do të zbatohen. Prandaj, kriteri do të jetë njëherë të zbatohen marrëveshjet për të arritur në kuadrin e BE-së midis Serbisë dhe Kosovës, posaçërisht menaxhimin e integruar të kufirit dhe disa marrëveshje tjera të rëndësishme për të shpresuar pastaj edhe për të dhënë edhe garanci që edhe marrëveshjet që do të arrihen të mund të implementohen në të ardhmen.

Jeni optimist se Kosova së shpejti do të jetë anëtare e  OKB-së?

Kemi sinjale shumë të mira se harta e njohjeve të Kosovës njohu një dinamik të re këtë vit. Egjipti thuajse e ka shpallur njohjen e Kosovës dhe shumë shpejt edhe Tunizia, përpjekje po bëhen me Libanin. Unë personalisht po ndërmarr edhe për iniciativa për njohjen e mundshme të shpejtë të Kosovës nga Sudani. Kështu që në koordinim me ministrinë e jashtëm të Kosovës ne nuk po rreshtim së lobuari për të zgjeruar hartën e njohjeve. Nga ana tjetër aty ka edhe ndryshim të pozicionit nga vendet anëtare të BE-së. Tash më afër njohjes janë edhe Sllovakia, Greqia de facto njeh dokumentet e udhëtimit të Kosovës dhe ka hapur zyrën e  Kosovës në Athinë. Këto janë hapa që shkojnë drejt formalizimit të njohjes së shtetit të Kosovës. Kështu që unë jam optimist që Kosova do të jetë shpejt në gjendje për të aplikuar për anëtarësim në OKB ndoshta pse jo fillimisht edhe me statusin e vëzhguesit për të synuar më pastaj për një anëtarësim të plotë. Por natyrisht kjo do të bëhet në koordinim të plotë me partnerët tanë strategjik të SHBA-ve, BE-së etj..

Një pyetje rreth pajisjeve me pasaportave shqiptare. Ne nga Lugina e Preshevës si duket jemi të privilegjuar, meqë jemi të parët në këtë drejtim. Ne shqiptarët, së paku ata nga Lugina e Preshevës këtë lajm e kanë mirëpritur, pavarësisht se bënë disa pshjellime në këtë drejtim  ?

Ju e dini që kryeministri i Shqipërisë e premtoi këtë dhe natyrisht kjo do të bëhet brenda një kuadri të përcaktuar mirë ligjor, natyrisht dhe në koordinim me partnerët tanë, pasi ju e dini që Shqipëria tashmë me liberalizimin vizave i nënshtrohet edhe kriterit të lëvizjes së hapësirës së Schengen. Dhe të gjitha këto demarshe duhen bërë me kujdes dhe respekt të obligimeve që kemi ne ndaj partnerëve europian për lëvizje në hapësirën Schengen, por kjo është  një hap, një gjest që kryeministri ynë e ka ndërmarr dhe do t'i përmbahet.

Dhe për fund z. ministër, duke ju falenderuar për këtë intervistë, keni ndërmend që ta vizitoni Beogradin, pse jo edhe Preshevën?

Unë kam ndërmend që përsëri agjendën e përbashkët të bashkëpunimit me Serbinë ta marr sërish, sepse është në interes jo vetëm të Shqipërisë, por edhe të shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Unë do të kërkoj në radhë të parë që gjatë vizitës sime të planifikuar në Beograd që kemi planifikuar në komunikim me autoritet serbe që kjo të realizohet kah fundi i muajit mars të këtij viti. Por, vizita ime në Beograd do të ndodhë vetëm atëherë në rast se paraprakisht biem dakord për të nënshkruar marrëveshjen. Ndryshe nuk do të kishte kuptim që ne të takohemi vetëm për të biseduar.

Për çfarë marrëveshje e keni fjalën z.ministër?

Për marrëveshjen e njohjeve reciproke të diplomave. Unë i kam kërkuar zoti Mërkiç, madje ketë ja kërkova edhe në Tiranë, që ne të nënshkruajmë këtë marrëveshje, por ministri serb u përgjigj se nuk është ende i gatshëm ta bënte këtë, por po punonte në këtë drejtim. Unë nuk e shikoj ndonjë arsye pse Serbia të mos e nënshkruaj një marrëveshje të tillë, kur të njëjtën e ka bërë praktikisht me Kosovën, të cilën nuk e njeh?! Pra, unë jam optimist se do të bëhet kjo edhe për shqiptarët e Luginës së Preshevës, pastaj edhe marrëveshje të tjera sikur ato për njohjet reciproke të lejeve të drejtimit, në fushën e transportit etj, që do të ishin interes të dy palëve. Sepse vetëm me nënshkrimin e këtyre marrëveshjeve ne do të hapin rrugë bashkëpunimi me Republikën e Serbisë dhe natyrisht mbrojmë më mirë interesat e shqiptarëve të Preshevës.

 

Panariti: Të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, janë një çështje që kapërcen suazat, si një çështje e brendshme e Serbisë burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email

You are receiving this email because you subscribed to this feed at blogtrottr.com.

If you no longer wish to receive these emails, you can unsubscribe from this feed, or manage all your subscriptions

0 comments:

Post a Comment