Pages

Thursday, February 21, 2013

Lajmi i Fundit | lajme shqip | Lajmifundit: Ruçi në Fier: Nafta, në plan të parë interesi kombëtar

Lajmi i Fundit | lajme shqip | Lajmifundit
Lajme, Lajmifundit, Lajmi i fundit, lajme shqip, shqiplajme
Ruçi në Fier: Nafta, në plan të parë interesi kombëtar
Feb 21st 2013, 18:12

ruci ne kuvendDitën kur u shpall zyrtarisht dështimi i qeverisë me privatizimin e "Albpetrol", drejtues të lartë të Partisë Socialiste kanë zhvilluar një takim pune me specialistët më të mirë të sektorit të naftës në Shqipëri. Në takimin e zhvilluar në qytetin e Fierit merrnin pjesë Kryetari i Asamblesë Socialiste, Gramoz Ruçi, anëtarët e grupit të punës për programin në PS, Ilir Beqja dhe Arben Ahmetaj, si dhe deputetët e zonës, Armando Subashi e Ervin Koçi.

Specialistët në këtë takim theksuan domosdoshmërinë e një strukture publike, e cila duhet t'i dalë për zot interesave të Shqipërisë dhe shqiptarëve sa u takon pasurive kombëtare në tërësi dhe naftës në veçanti. Kjo strukturë publike sipas specialistëve është e domosdoshme për të garantuar zbatimin korrekt të marrëveshjeve koncesionare të shfrytëzimit të fushave të naftës në Shqipëri, në kushtet kur Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore ka dështuar në misionin e saj, për të miradministruar të dhënat 50-vjeçare mbi pasurinë naftëmbajtëse, si dhe për të garantuar administrimin publik në rast të dështimeve të mundshme të marrëveshje koncesionare ekzistuese. "Është e domosdoshme dhe fillon nga kontrolli. Kontrolli i koncesionit, duke filluar nga termat e kontratës deri tek sasia që shitet. Pra a janë një lloj termat e Kontratës me ato që lidhen në Kazakistan, Ukrainë apo diku tjetër. Një kontroll dhe përgjegjësi e detajuar për të nxjerrë vlerën reale të Albpetrolit", ka thënë Ëngjëll Përrenjasi doktor profesor i fushës,pjesëmarrës në takim, duke iu referuar tentativës së dështuar të qeverisë për privatizimin e Albpetrol.

Në të njëjtën linjë ishte dhe Dhimitër Gjini inxhinier, ekspert i fushës, ka theksuar: "Unë e gjykoj që "Albpetroli" që është sot nuk duhet të privatizohet në asnjë mënyrë. Sepse Albpetroli duhet të ketë një detyrë shumë të rëndësishme: Të ruajë mbi dhe nën tokën e shtetit shqiptar."Në takim u theksua me forcë nevoja e mbylljes së ciklit të prodhimit dhe rafinimit të naftës në Shqipëri. Aktualisht, nxjerrja e naftës ka arritur në 1 milion tonë në vit, por e gjitha kjo sasi nafte eksportohet bruto. Ndërkohë që nevojat e brendshme të tregut prej 650 mijë tonë në vit realizohen vetëm nga importi. Humbjet e ekonomisë kombëtare vetëm në naftë janë mbi 200 milionë USD, ndërkohë që evazioni në tregun e karburanteve është rreth 150 milionë euro. "Në këndvështrimin tonë roli i shtetit në monitorimin e këtij sektori është zero. Ka shkaktuar dëm ekonomik serioz, por në fakt ka shkaktuar edhe dëm në rikonceptim të vetë sektorit. Sigurisht, që Albpetroli në këtë derexhe do të jetë përderisa është komplet jashtë kontrollit të administratorëve profesionistë. Duhet rikonceptuar jo vetëm "Albpetroli", por i gjithë sektori. Nuk ndodh asgjëkundi që të kesh një cikël nga prodhimi dhe rafinimi, që ta kesh në vend, t'i kesh asetet dhe të mos funksionojë si vlerë e shtuar e vendit", është shprehur deputeti socialist, njëherësh Sekretar për Sipërmarrjen, Arben Ahmetaj.

Sekretari për Programin në PS, Ilir Beqja në fjalën e tij e ka vënë theksin te mënyra e pandershme se si ndahen përfitimet nga renta e koncesionit, prej të cilës bashkitë dhe komunat përkatëse nuk përfitojnë asgjë. "Edhe pse në letër është e shkruar në ligj, praktikisht bashkitë dhe komunat nuk e marrin pjesën e tyre të rentës. Nëse bashkitë dhe komunat do ta merrnin pjesën e tyre të rentës, ndoshta në Patos nafta do të ishte po 1800 lekë, por Patosi do të kishte shkolla, çerdhe, ambulanca shumë më të mira se e gjithë Shqipëria. Privatizimin e Albpetrolit e kemi kundërshtuar në Parlament dhe kur e kemi bërë atëherë, nuk kemi pse të mos vazhdojmë të qëndrojmë në këtë drejtim. Sigurisht, që gjithë sektori gjykojmë që ka rezerva të mëdha ekonomike, duke nisur nga rivënia në punë e përpunimit të naftës në Shqipëri", ka thënë Beqja.

Ndërsa kryetari i grupit parlamentar, Gramoz Ruçi ka shprehur angazhimin e palëkundur të PS, që me ardhjen në pushtet të ndryshojë tërësisht mënyrën e sjelljes së shtetit me pasuritë e shqiptarëve dhe interesat kombëtare të vendit. "Ne u premtojmë se nuk do sillemi me pasuritë e shqiptarëve si me mall të huaj. Ne me politikat tona qeverisëse si në programin tonë elektoral politik dhe atë qeverisës do të vëmë në plan të parë sidomos për pasuritë nëntokësore, interesat kombëtare, interesat e komunitetit dhe interesat e punonjësve të djeshëm dhe të sotëm në sektorin e naftës. Ne nuk jemi kundër koncesioneve, ne nuk jemi kundër privatizimeve, si filozofi, si politikë qeverisëse, por gjithmonë koncesionet apo privatizimet do të jenë në mbështetje dhe në zbatim të plotë të Kushtetutës dhe të ligjeve shqiptare", ka garantuar Gramoz Ruçi, duke shprehur në këtë mënyrë qëndrimin e bërë publik tashmë të PS-së për një çështje kaq të ndjeshme siç është menaxhimi i pasurive kombëtare të vendit.

You are receiving this email because you subscribed to this feed at blogtrottr.com.

If you no longer wish to receive these emails, you can unsubscribe from this feed, or manage all your subscriptions

0 comments:

Post a Comment