Pages

Friday, February 15, 2013

Lajmi i Fundit | lajme shqip | Lajmifundit: Prokuroria publikon apelimin për 21 janarin: Ndrea Prendoi qëlloi 5 herë drejt turmës

Lajmi i Fundit | lajme shqip | Lajmifundit
Lajme, Lajmifundit, Lajmi i fundit, lajme shqip, shqiplajme
Prokuroria publikon apelimin për 21 janarin: Ndrea Prendoi qëlloi 5 herë drejt turmës
Feb 15th 2013, 15:10

21_janariTirane – Lajmifundit – Dokumenti i plote – Prokuroria e përgjithshme bëri publik apelimin për cështjen e 21 janarit. Në argumentet e akuzës përfshihet fakti se Ndrea Prendi në mënyrë të qëllimshme ka qëlluar drejt turmës të paktën pesë herë dhe këtë sipas prokurorisë e provon fakti se predhat janë gjetur në lartësinë e njeriut pas shpinës së pjesëmarrësvve në protest.
Paraqesim para jush apelimin ndaj vendimit penal të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë Nr.100, i shpallur në dt.07.02.2013, i cili në kundërshtim të  plotë me faktet e provuara gjatë shqyrtimit gjyqësor dhe ligjin procedural-penal, ka vendosur:
"1.Deklarimin të pafajshëm të pandehurit Ndrea Pjetër Prendi, për kryerjen e veprës penale të "vrasjes me dashje, të kryer në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave", parashikuar nga neni 79/"ë" i K.Penal….
2.Deklarimin të pafajshëm të pandehurit Agim Zarik Llupo, për kryerjen e veprës penale të "vrasjes me dashje, të kryer kundër dy ose më shumë personave", parashikuar nga neni 79/"dh" i K.Penal.
3.Deklarimin të pafajshëm të pandehurit Margarit Jani Kume, për kryerjen e veprës penale të "veprimeve që pengojnë zbulimin e të vërtetës", parashikuar nga neni 301 i K.Penal.

Nga ana jonë në përfundim të  gjykimit, është kërkuar:
1.Deklarimin fajtor të pandehurit Ndrea Prendi për kryerjen e veprës penale të "vrasjes në rrethana të tjera cilësuese, në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave", me pasojë të drejtpërdrejtë vdekjen e të ndjerit Faik Myrtaj, parashikuar nga neni 79/"ë" i K.Penal dhe bazuar në këtë nen si dhe nenin 50/pikat, "dh", "i" të Kodit Penal, dënimin e tij me 23( njëzetë e tre ) vjet burgim….
3.Deklarimin fajtor të pandehurit Agim Llupo për kryerjen e veprës penale të "vrasjes në rrethana të tjera cilësuese, kundër dy a më shumë personave", me pasojë të drejtpërdrejtë vdekjen e të ndjerit Hekuran Deda, të ndjerit Ziver Veizi, plagosjen e shtetasve Fatos Mahmutaj, Sokrat Gode, Erald Bisha, parashikuar nga neni 79/"dh" i K.Penal dhe bazuar në këtë nen dhe nenin 50 pikat "dh", "i" të Kodit Penal, dënimin e tij me 25(njëzetë e pesë) vjet burgim….

Me vendimin penal Nr.100 dt.07.02.2013 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë nuk jemi dakord dhe paraqesim këtë apelim, për arsyet që do të parashtrojmë më poshtë.

Gjykata në kundërshtim të plotë me provat e paraqitura nga organi i akuzës gjatë shqyrtimit gjyqësor, duke u referuar në fakte e prova inekzistente dhe në tejkalim me kompetencat që i njeh ligji procedural-penal për çmuarjen e provave, vlerësimin e analizën e tyre sipas kërkesave të neneve 152 e 380 të K.Pr.Penale, ka deklaruar të pafajshëm dy të pandehurit Ndrea Prendi e Agim Llupo, për këto shkaqe e "argumenta" të paraqitura në vendim, të cilat ne po i rendisim dhe i analizojmë si më poshtë:

Për të pandehurin Ndrea Prendi:
1."Fakti i parashtruar dhe hetuar nga organi i akuzës, sipas gjykatës "nuk është paraqitur në mënyrë të plotë, pasi nuk është realizuar një hetim i njëkohshëm, gjithëpërfshirës, lidhur me ngjarjet e dt.21 Janar 2011…".(fq.19 e vendimit).
Në ndryshim nga sa paraqet gjykata, organi i akuzës në  përmbushje të plotë të detyrës funksionale në  mbrojtje të akuzës, si dhe raportit midis fakteve të ndodhura në dt.21.01.2011 dhe të vërtetës objektive, ka kryer hetime të plota, të gjithanshme për këto elementë të faktit objekt akuze, në kuadër të hetimeve për procedimin penal Nr.285 të v.2011 të filluar në dt.21.01.2011. Hetimet e organit të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, nuk kanë qenë të fokusuara vetëm për veprimet dhe mosveprimet e punonjësve e efektivave të Gardës së Republikës, por në kuadër të hetimit të plotë të procedimit penal Nr.285 të v.2011, ato kanë përfshirë veprat penale që lidheshin me organizimin dhe pjesëmarrjen në grumbullimin e manifestimin e paligjshëm, veprimet e dhunshme ndaj punonjësve të policisë e efektivave të Gardës së Republikës për shkak të detyrës, shkatërrimin e pronës, etj. Megjithatë pavarësisht këtij vlerësimi të gjykatës në tejkalim të komptencave që i njeh ligji, theksojmë se gjykata nuk ka të drejtë të gjykojë e të marrë vendim jashtë fakteve objekt akuze dhe provave të verifikuara gjatë shqyrtimit gjyqësor, çka përcaktohet qartësisht në nenin 3/2 të k.Pr.Penale.

2.Organi i akuzës…nuk ka zhvilluar hetime në drejtim të itensitetit dhe rëndësisë së sulmit në raport me veprimet e të pandehurve…detyrën e tyre funksionale…"(fq.9; 19; 24 të vendimit). Nëpërmjet provave të paraqitura në gjykim nga ana jonë, si përsa u përket provave me dëshmitarëve okularë, kqyrjeve e sekuestrimeve të provave materiale, Cd-e e DVD-ve me pamje filmike, fotove të printuara në përmasa të zmadhuara, ekspertimeve të ndryshme, ekzekutimit të letërporosive të autoriteteve të huaja, akuza ka provuar plotësisht se çfarë veprimesh të dhunshme ka kryer turma e protestuesve, momentet e dhunës, mjetet me të cilat është ushtruar kjo dhunë, vendin se ku është ushtruar, personat që janë bërë objekt i kësaj dhune, dëmtimet që u janë shkaktuar.
Përveç këtyre momenteve ku provohet dhuna e protestuesve ndaj efektivave të gardës, është  provuar se nga ana e viktimave gjatë gjithë kohës që  është zhvilluar demonstrata, kanë qenë të paarmatosur, nuk kanë kryer asnjë veprim të dhunshëm ndaj efektivave policore jashtë rrethimit të objektit, apo efektivave të Gardës së Republikës brenda rrethimit të objektit të Kryeministrisë. Në momentin që janë qëlluar me armë zjarri, viktimat kanë qënë jashtë objektit(jashtë kangjellave ose gardhit rrethues)të Kryeministrisë, ku viktima Ziver Veizi ka qenë në trotuar në shoqërinë e një personi tjetër, duke qëndruar me duar në xhepa dhe duke mos kryer asnjë veprim ose akt dhune. Viktima Hekuran Deda, së bashku me dëshmitarët Fatos Mahmutaj, Hysni Peposhi e persona të tjerë, kanë qenë larg gardhit rrethues të Kryeministrisë pranë një pishe, të hipur në dy tavolina të vendosura nga gazetarët dhe po shikonin zhvillimin e demonstratës. Viktima Faik Myrto ka qenë në bulevard, në afërsi të dy kullave Binjake, po aty afër ka qenë edhe viktima tjetër Aleks Nika, pra larg gardhit rrethues të Kryeministrisë, duke mos kryer asnjë veprim ose akt dhune. Gjatë gjykimit u provua gjithashtu se edhe të plagosurit me armë zjarri, kanë qenë jashtë objektit e larg gardhit rrethues të Kryeministrisë. Të gjithë personat e plagosur janë qëlluar duke mos kryer asnjë veprim ose akt dhune. Vlen për t`u theksuar fakti i provuar në gjykim se asnjë person nuk është vrarë apo plagosur brenda territorit të Kryeministrisë, asnjë nga këta persona të vrarë e të plagosur, nuk ka tentuar në asnjë moment, për t'u futur brenda perimetrit rrethues të ndërtesës së Kryeministrisë.

3.Mungesa e anës subjektive tek i pandehuri Ndrea Prendi(fq.25-26 të vendimit).
Sipas argumentimit të gjykatës, vepra penale e "vrasjes me dashje, e kryer në mënyrë të rrezikshme…", kërkon domosdoshmërisht ekzistencën e një objektivi të caktuar, pra qëllimin dhe synimin e vrasjes së një individi…të shoqëruar me motivin e autorit të veprës penale…
Në kundërshtim me këto "argumenta" të paraqitura nga gjykata në vendim, vjen teoria e së të drejtës penale shqiptare, si përsa i përket formës së dashjes, synimit, qëllimit kriminal, apo mungesës së motivit në veprimin e kundërligjshëm të pandehurit Ndrea Prendi. Orientimi i veprimit konkludent të pandehurit Ndrea Prendi, i shprehur në gjuajtjen drejt turmës së protestuesve në të paktën 5(pesë) raste(predha e gjetur tek viktima Faik Myrto, në pemë dhe 3 predha tek UNHCR), konsiston dhe shpreh shtytjet e brendshme të të pandehurit në atë moment, shpreh më së miri qëndrimin e tij psikik ndaj pasojave që do shkaktonte, si dhe domosdoshmërinë e shkaktimit të tyre.
Kjo formë dashjeje e të pandehurit Ndrea Prendi, në doktrinën juridiko-penale, përbën një nga format e tjera të dashjes, të quajtur "dashje e përcaktuar"(dalus determinatus)Ref.Komentar i K.Penal të R.Shqipërisë, me autorë Prof.dr.Ismet Elezi, Dr.Maksim Haxhia, Dr.Skënder Kaçupi. Në këtë formë dashjeje, fajtori parashikon domosdoshmërisht ardhjen e një pasoje të caktuar. Në rastin konkret i pandehuri Ndrea Prendi, i vetëdijshëm për karakterin e veprimeve të tij dhe rrezikshmërine shoqërore të këtyre veprimeve, ka parashikuar jo vetëm mundësinë dhe domosdoshmërinë e ardhjes së pasojave, por ai me vullnet i ka orientuar këto veprime drejt ardhjes së tyre. Pjesë e elementit intelektual në këtë rast, është të qenurit i vetëdijshëm i subjektit për objektin e veprës penale, kohën, mjetet dhe mënyrën e kryerjes së saj, ndërsa pjesë e elementit volitiv është fakti se, subjekti nëpërmjet vullnetit dirigjon veprimet mendore dhe fizike të tij. Sa i takon mungesës së ekzistencës së motivit në veprimet e të pandehurit Ndrea Prendi, gjykata pa të drejtë arsyeton se "…që të provohet akuza në ngarkim të pandehurit Ndrea Prendi, duhet të provohet edhe fakti që ky i pandehur dëshironte e synonte ardhjen e pasojës tragjike, atë të vrasjes së të ndjerit Faik Myrtaj, por që të provosh këtë element të dashjes, duhet ta shoqërosh edhe me motivin, pra aspektin volitiv të autorit të veprës penale…"(fq.24 e vendimit). Në ndryshim nga arsyetimi  që gjykata i bën vendimit, teoria e të drejtës penale nuk i përcakton motivet si elementë të domosdoshëm të anës subjektive të veprës penale.Ref.Komentar i K.Penal të R.Shqipërisë, me autorë Prof.dr.Ismet Elezi, Dr.Maksim Haxhia, Dr.Skënder Kaçupi.

4.Gjykata nuk aplikon nenin 375 për ndryshimin e cilësimit juridik të veprës.(fq.27-28 të vendimit).
Të nderuar gjyqtarë. Në në fq.27 të vendimit gjykata shprehet:"…gjykata mund të bëjë këtë ndryshim të kualifikimit ligjor të veprës, vetëm nëse fakti është pasqyruar në mënyrë të plotë dhe hetimi është bërë në mënyrë të gjithanshme…", duke ju referuar për këtë qëllim edhe vendimit Nr.00-2011-1106 dt.27.12.2011 të Kolegjit Penal. Vlerësojmë se ky qëndrim i gjykaës bie në kundërshtim të plotë me nenin 375 të K.Pr.Penale, vendimin Nr.50 dt.30.07.199 të Gjykatës Kushtetuese, si dhe vendimin Unifikues të Gjykatës së Lartë, Nr.5/2003, në të cilat përcaktohen rastet dhe kushtet kur duhet të aplikohet neni 375 i K.Pr.Penale, që bën fjalë për ndryshimin e cilësimit juridik të veprës. Në asnjë rast si në K.Pr.Penale, ashtu edhe në vendimet e sipërpërmendura, nuk konfondohet që gjykata të kryejë hetime, pra të marrë një rol aktiv në ndryshim nga pozicioni i saj procedural e kushtetues, por vetëm përcaktohen kushtet se kur mund të kryhet ky ndyshim cilësimi, qoftë edhe për një vepër penale më të rëndë, mjafton që të jetë në kompetencë të asaj gjykate.

5.Referenca në vendimin e Gjykatës së Strasburgut me Nr.23458/02 Rekursi, datë 25.08.2009, me palë Giuliani dhe Gaggio, kundër Italisë…(Fq.28-29 të vendimit).
Zbatimi i ligjit me analogji, pra referenca e gjykatës për marrjen parasysh prej saj të Vendimit të Gjykatës së Strasburgut me Nr.23458/02 Rekursi, datë 25.08.2009, përbën një tjetër shkelje të rëndë të parimeve të zbatimit të ligjit penal, parim i përcaktuar në nenin 1/"c" të K.Penal. Megjithatë në vendime të tjera të Gjykatës së Strasburgut, në zbatim të nenit 2 të KEDNJ referohet se:"..Përdorimi forcës vdekjeprurëse nga ana e shtetit…sipas nenit 2 të KEDNJ, lejon përjashtime të së drejtës së jetës, vetëm kur ajo është "absolutisht e domosdoshme".
Pavarësisht këtij momenti të zbatimit të ligjit material, duhet thënë se rasti të cilin gjykata e merr për bazë, pra "cështja  Giuliani dhe Gaggio, kundër Italisë", nuk ka asnjë lidhje me rastin në shqyrtim, pra çështjen në ngarkim të pandehurve Ndrea Prendi, Agim Llupo për një sërë faktorësh si: a)Karabinieri italian ka qenë brenda automjetit, i rrethuar nga një turmë e madhe protestuesish të dhunshëm, ndërsa të pandehurit Ndrea Prendi e Agim Llupo, kanë qenë brenda rrethimit të ndërtesës, në "Sektorin Verior", të pozicionuar dhe nuk u kanosej ndonjë rrezik real për jetën; b)Karabinieri italian është goditur dy herë në trup, një herë me gur në kokë dhe një herë me fikse zjarri në këmbë, ndërsa i pandehuri Ndrea sikundër u provua nga shqyrtimi gjyqësor, ka qëlluar me pistoletën e tij para se të dëmtohej në pjesën e vetullës, ndërsa i pandehuri Agim Llupo ka qenë në një pozicion ku ishte e mjaft e vështirë që t'i shkaktoheshin dëmtime; c) Në momentin që karabinieri ka qëlluar me armën e tij të zjarrit, ishte bërë objekti i një sulmi me fikse zjarri nga ana e viktimës Giuliani, i cili në momentin që është gjuajtur, ka qenë para kryerjes së një tjetër veprimi, ndërsa dy të pandehurit nuk u vërtetua se në momentin që kanë qëlluar, kanë qenë objekt i një sulmi të drejtpërdrejtë; d)Protestuesi italian dhe bashkëprotestuesit që ishin afër tij, kishin të vendosur në kokë maskë për të mos u identifikuar, kishin në duar dërrasa e kazmë, kurse viktimat Hekuran Deda, Ziver Veizi etj. dhe të plagosurit nuk kishin asgjë të paligjshme në duar dhe ishin lehtësisht të identifikueshëm. Si përfundim
6.Mungesa e hetimit të prokurorisë për nenet 19, 20, 21 të K.Penal, apo për dispozita të tjera të K.Penal…(fq.29 të vendimit) .
Në ndryshim nga sa argumenton gjykata, gjatë hetimit e gjykimit të çështjes, u provua plotësisht se përdorimi i armëve të zjarrit ndaj demonstruesve, është kryer në kundërshtim të hapur me normat e së drejtës dhe qytetarëve ju është marrë jeta në kundërshtim me ligjin, duke shkelur kështu rëndë nenin 2 të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut. Përdorimi i armëve të zjarrit ndaj demostruesve, ështe kryer në kundërshtim të hapur me nenet 19 dhe 20, 21  të Kodit Penal. Përdorimi i armëve të zjarrit, është kryer në kundërshtim edhe me ligjin Nr.8290, datë 24.02.1998 "Për Përdorimin e Armëve të Zjarrit". Në nenet 1, 2, 3/b, 5, 7 të këtij ligji, përcaktohen qartë kushtet e sulmit e të mbrojtjes, rrethanat e përdorimit të armës së zjarrit, ndalimi i përdorimit të armëve të zjarrit, mënyra e përdorimit të armës së zjarrit, në rast të ekzistencës së kushteve për përdorimin e saj. Në ligjin Nr.8869 datë 22.05.2003 "Për Gardën e Republikës", Neni 25 i këtij ligji, përcaktohet qartësisht se:"…për të përdorur armë zjarri luftarake, efetivi i gardës duhet të respektojë ligjin për armët dhe rregullat e përdorimit të saj…".

7. i pandehuri Ndrea Prendi është subjekt i posaçëm…(Fq.25 e vendimit).
Në K.Penal është përcaktuar kuptimi i subjektit të  veprës penale dhe ndarja e tyre në "subjekte të përgjithshëm", e "subjekte të posaçme". i pandehuri Ndrea Prendi nuk është subjekt i posaçëm, por është thjesht një subjekt i përgjithshëm që me veprimet e tij individuale aktive, ka shkaktuar pasoën e kundërligjshme.
Organi i akuzës në asnjë rast dhe në asnjë moment të hetimit e gjykimit, nuk ka patur parasysh dhe nuk ka konfonduar institucionin e Gardës Republikës me atë të pandehurit Ndrea Prendi, veprimet të cilat janë objekt gjykimi, pasi janë konkretisht veprimet e tij individuale aktive, të iniciuara në koshiencën e tij personale dhe jo si veprime të institucionit në përgjithësi. Akuza në rastin konkret është personalizuar në individin Ndrea Prendi dhe jo si përfaqësues institucioni, pasi vepra penale në fjalë dukshëm ka të përcaktuar subjektin të cilit i atribohet vepra penale, e që në rastin konkret është i pandehuri Ndrea Prendi dhe jo Institucioni i Gardës së Republikës, efektivë të tjerë të së cilës siç janë përmendur nga ana jonë në konkluzionet përfundimtare, duhen përgëzuar për atë qëndrim konseguent, të duruar, e në përmbushje të plotë e të rregullt të detyrës së tyre sipas ligjit e akteve nënligjore, gjatë përballjes me turmën e protestuesve…

Për të pandehurin Agim Llupo në vendim paraqiten këto shkaqe e "argumenta":

1.Mungesa e provave, sipas gjykatës arsyetohet se nuk ekziston asnjë provë shkencore për vrasjen e Hekuran Deda(plaga është tejshkuese, e nuk është gjetur predha) dhe plagosjen e dëshmitarëve Fatos Mahmutaj, Sokrat Gode, e Erald Bisha.(fq.29-30-31 të vendimit), duke u shprehur në vendim se:"…Nuk provohet se me çfarë arme është vrarë shtetasi Hekuran Deda, pasi nuk ka mbetur predha që i ka shkaktuar vdekjen, pasi plaga është tejshkuese. Dëshmitë e shtetasve Hysni Peposhi, Erald Bisha, Sokrat Gode, Zydi Dajti, janë provat e vetme me të cilat prokuroria ka ngritur akuzën për vrasjen e të ndjerit H.Deda nga i pandehuri A.Llupo dhe plagosjen e disa personave…e këto dëshmi në vlerësim të gjykatës janë të pamjaftueshme. Si rrjedhim në aspektin e anës objektive nuk provohet vrasja e dy a më shumë personave…".
Ky aryetim i gjykatës dhe vlerësim i fuqisë provuese të  provave, bie në kundërshtim me kërkesat e nenit 152 të K.Pr.Penale, pasi:
Akuza në ngarkim të pandehurit A.Llupo, nuk është  ngritur vetëm mbi bazën e dëshmive të dhëna në seancë  nga shtetasit Hysni Peposhi, Erald Bisha, Sokrat Gode, Zydi Dajti, prova të vetme këto që u referohet gjykata, por akuza është mbështetur edhe nga prova të ndryshme me dëshmitarë, prova shkencore, dokumentare etj. prova këto që ju nënshtruan shqyrtimit gjyqësor si:
-Dëshmitë e shtetasve Alfred Ahmetcenaj, Agron Malaj, Mark Nikolli, Gazmen Ahmetaj etj., të cilët kanë qenë  efektivë të Njëisë Speciale dhe që kanë qenë të pozicionuar në Sektorin Verior të K/Ministrisë, kanë dëshmuar para gjykatës për fakte të rëndësishme lidhur me çështjen si, vendin ku ishte i pozicionuar i pandehuri Agim Llupo, lloji i armës që ai ka përdorur, vendi ku ishte i planizuar me shërbim, konfirmimi para eprorit në repart se kishte qëlluar me armën e zjarrit A2 gjatë kohës së shërbimit, etj.
-Në gjykim u administruan transmetimet audio-video në 55 Cd 1(një) CD, 6(gjashtë) DVD, fotografive të printuara të përmasave të ndryshme, gjithsej 162(njëqind e gjashtëdhjetë e dy) copë, shoqëruar me "Raportin e Shqyrtimit" Nr.163G-SP-214 Çështjeje, Nr.i Lab.110801253 XP, të Laboratorit të Provave Digitale pranë F.B.I, USA, prova materiale këto të bashkuara me fashikullin e gjykimit. Këto prova dokumentare të përmendura më sipër, kanë fokusuar jo vetëm gjithë aktivitetin e palëve në këtë konflikt, por kanë dhënë të detajuar edhe në material bruto momentet e vrasjes së disa prej protestuesve. Në këto prova të përmendura më sipër, duket se kur "PortaNr.1" ka qenë e hapur, ka patur gjuajtje të herepas'hershme drejt efektivave të gardës, por në këtë moment ato kanë qenë me intesitet të zvogëluar, të paktën në këtë drejtim. Në vijën që kufizon territorin e Godinës së Kryeministrisë me Bulevardin, gjithmonë jashtë rrethimit ka protestues, të cilët qëllojnë me  sende të forta, por ka dhe nga ata tërësisht inaktiv e që po sodisin atë cfarë po ndodh fare pranë vendit të ngjarjes. Duke u fokusuar pikërisht tek këta të fundit, nëpërmjet këtyre pamjeve filmike ekspertët amerikanë kanë stampuar progresivisht, pra hap pas hapi e në kohë reale, në foto të zmadhuara momentet e fundit kur është qëlluar i ndjeri Hekuran Deda dhe pas tij Ziver Veizi.
-Pamjet filmike të cilat ndodheshin në aparatin celular të shtetasit Hysni Peposhi, kanë qenë një tjetër provë e cila është administruar në gjykim që tregon pozicionimin e të pandehurit A.Llupo, mënyrën se si ai ka qëlluar me armën e zjarrit, drejtimet ku ai ka qëlluar, kohëzgjatjen e veprimeve të tij.
-Akti ekspertimit teknik-balistik Nr.975 dt.07.02.2011 ka përcaktuar shkencërisht se:"predha e gjetur tek Ziver Veizi, është qitur nga automatiku MP5A2, me Nr."244", i cili është përdorur vetëm nga i pandehuri ditën e ngjarjes.
-Dëshmitari okular Hysni Peposhi, i pyetur në lidhje me veprimet e personit që ishte i pozicionuar tek "bodrumi", ka dëshmuar se: "…Pasi mbaroi qitjen nga ana jonë 5-6 qitje, ky person është kthyer me drejtim nga porta hyrëse e rrethimit, por nuk shikoja dot se kisha pishën, kur kalova pishën, pashë që ra personi(Ziver Veizi)…".
-Momenti i fundit kur provohet se ka gjuajtur i pandehuri Agim Llupo, pra personi që ishte i pozicionuar tek "bodrumi", është momenti kur është vrarë i ndjeri Ziver Veizi.
Pra nga të gjitha provat e përmendura më lart, duke u nisur nga një provë e pakundërshtueshme, sikurse është ekspertimi teknik-balistik Nr.975 dt.07.02.2011, që përcakton lidhjen midis veprimit të personit që ka gjuajtur me armë dhe vdekjes së Ziver Veizit, dëshmitarëve të ndryshëm, pamjeve filmike, provohet plotësisht se ka qenë pikërisht po ky person i cili ka qenë i pozicionuar tek dritarja e katit të parë dhe qëllonte me armë zjarri tek e tek, fillimisht në drejtimin veri-perëndimor ku ndodheshin viktima Hekuran Deda, dëshmitarët okularë Hysni Peposhi etj., e mandej ka qitur në drejtimin perëndimor ku ishte viktima Ziver Veizi. Ekzistenca e kësaj lidhjeje të drejtpërdrejtë të veprimeve të kryera nga personi i pozicionuar tek "bodrumi" i K/Ministrisë, veprime këto të shtrira në një kohë të shkurtër 5-8 sek.vërteton se ky person nuk ishte tjetër përveçse i pandehuri Agim Llupo.

2.Predha tek Ziver Veizi, është e dëmtuar në majë…ka bërë rikoshet…(Fq.32 e vendimit).
Të nderuar gjyqtarë.
Në faqen 32 të vendimit gjyqësor, gjykata në kundërshtim të plotë me aktet e provat e verifikuara gjatë shqyrtimit gjyqësor, përshkruan në mënyrë të tepër të pasaktë të dhënat nga ekzaminimet në dy aktet që lidhen me ekspertimin e predhës, që është gjetur në trupin e të ndjerit Ziver Veizi(Nr.975 dt.07.02.2011) dhe aktin e ekspertimit mjeko-ligjor Nr.26 dt.21.01.2011, për ekzaminimin e kufomës së të ndjerit Ziver Veizi. Përshkrimi në mënyrë jo të saktë, që u bën gjykata të dhënave e konkluzioneve të këtyre dy akteve, e ka çuar pashmangshmërisht gjykatën në një konkluzion të gabuar, sa i përket lidhjes shkak-pasojë midis veprimit të pandehurit Agim Llupo dhe vdekjes së të ndjerit Ziver Veizi, e rrjedhimisht edhe në deklarimin e tij të pafajshëm.
Konkretisht gjykata në fq.32 të vendimit konkludon: "…predha ka një dëmtim në majë, çka provon se kjo predhë ka bërë rrikoshet…". Nga administrimi në gjykim i aktit të ekspertimit Nr.975 dt.07.02.2011 të D.P.Sh.Tiranë, nuk përshkruhet në asnjë moment që predha e gjetur në trupin e të ndjerit Ziver Veizi, ka një dëmtim në majë. Në këtë akt përshkruhet se predha ka vetëm një dëmtim, i cili nuk është në pjesën e majës, por dëmtimi ndodhet në 1/3 e pjesës së fundit të predhës, duke u dhënë edhe karakteristikat e tjera të këtij dëmtimi. Nga administrimi i akteve të tjera të ekspertimit balistik të kësaj predhe si, akti ekspertimit tekniko-balistik me Numër 163G-SP-215 cështjeje, dt.05.01.2012 dhe Numër Laboratori, 110726012PFKG; 110915009PFKG, i Laboratorit të FBI, në Quantico Virginia 22135, SH.B.A., si dhe akti i ekspertëve Gani Jahelezi e Dritan Zoto gjatë gjykimit, në asnjë rast nuk u evidentua dhe përshkrua që kjo predhë të kishte një dëmtim në pjesën e majës.
Në  aktin e ekspertimit mjeko-ligjor Nr.26. dt.21.01.2011, në ndryshim nga sa përshkruan gjykata në vendim, vrima në këmishë nuk është e "çrregullt dhe e madhe", por përshkruhet si "një vrimë me diametër 0.8cm, me  buzë të kthyera nga brenda". Dëmtimet në trikon gjysëm-golfi, në këshishë, fanellën e leshit, sipas aktit të ekspertimit "korespondojnë me njera-tjetrën" dhe "në indet përreth tyre me sy të lirë përveç gjakut në disa prej tyre, nuk vihen re papastërti të tjera". Të gjitha këto dëmtime të evidentuara në tesha dhe mungesa e papastërtive përreth tyre, vërtetojnë se në momentin e kqyrjes së tyre nuk është vërejtur as "vrimë hyrje e çrregullt dhe e madhe", sikundër përshkruan gjykata dhe as "ashkla druri me përmasa deri në 0.31cm", sikundër pretendoi eksperti Ndoc Çardaku por përkundrazi, në tesha dhe kryesisht në këmishë, vrima e hyrjes është e rregullt, me diametër 0.8cm, me buzë të kthyera nga brenda. Në dy teshat e tjera defekti tejpërtejm(vrima e hyrjes), ka këto përmasa, në triko 0.6×0.2cm, kurse në fanellë 0.7×0.4cm. Mungesa e papastërtive përreth vendeve të dëmtuara përforcon faktin se 2(dy) ashklat e drurit të cilat nuk ekzistonin në momentin e parë të kqyrjes në dt.21.01.2011, sikundër përshkruan eksperti Dritan Zoto, jo vetëm që nuk kanë qenë në vrimën e këmishës, por tregon qartazi se veprimi i ekspertit Ndoc Çardaku, nuk është një veprim aspak profesional, por ai është një veprim tejet i qëllimshëm(në videon e prezantuar në gjykim, duket qartësisht veprimi i ekspertit Ndoc Çardaku, që shtyn me gisht një ashkël për në vrimën e hyrjes në këmishë dhe e ngjesh aty. Më vonë eksperti, kërkon një "klemë" për ta heëqur atë e për ta administruar si provë).
Plaga e ndodhur në trupin e të ndjerit Ziver Veizi në pjesën e majtë të gjoksit, ka përmasa 0.7 X 0.5 cm. Në muskujt ndërbrinjorë 4-5, rreth 2-3cm anash dërrasës së kraharorit, vihet re një dëmtim me përmasa 1x1cm. Në buzën e poshtme, brinja e 4-t e thyer. Në murin e përparmë të ventrikulit të majtë, ka një dëmtim me përmasa 1.3x 1.1cm. Në murin e pasëm të ventrikulit të majtë, në qendër të tij, vërehet një çarje me përmasa 2.5×1.8cm. Në kolonën vertebrale në nivelin e vertebrës së XII torakale, vihet re një dëmtim me mungesë indi kockor, me trajtë të një vrime të rrumbullakët, e cila depërton në thellësi të trupit të vertebrës dhe del në pjesën e pasme të trupit të vertebrës, midis indeve të buta.
Sa më sipër, sikundër rezulton nga raporti ekzaminimit mjeko-ligjor të kufomës së të ndjerit Ziver Veizi, aktet e ekspertimit tekniko-balistik, gjykata ka arritur në një përfundim të gabuar, pasi nuk ka vlerësuar faktet e pakundërshtueshme, të cilat do të mund ta conin në një konkluzion logjik,si përsa i përket natyrës së dëmtimeve të evidentuara në predhën e gjetur në kufomën e të ndjerit Ziver Veizi, ashtu edhe sa i takon elementëve të tjerë që lidhen me trajektoren e predhës brenda trupit të viktimës dhe trajektoren jashtë trupit të viktimës. Fakti i provuar se, vrima e shkaktuar nga predha në këmishën e të ndjerit Z.Veizi, ka përmasat 0.8cm; fakti që vrima e hyrjes në trupin e viktimës ka përmasa 0.7×0.5cm, fakti që vrima e shkaktuar nga kalimi i predhës në muskujt ndërbrinjorë 4-5, është 1x1cm, fakti që buza e poshtme e brinjës 4 është thyer, si dhe dëmtimet e mëpasshme që ka shkaktuar kalimi i predhës në muret e zemrës e deri sa ka dalë nga vertebra e XII-të torakale, vërteton pa asnjë ekuivok se:
a).Predha në momentin që ka tejpërshkuar teshat e trupin e viktimës, deri sa ka patur kontaktin me buzën e poshtme të brinjës 4, ka shkaktuar dëmtime nga 0.8cm deri në 1cm, pothuajse aq sa është diametri i një predhe me kalibër 9mm.
b).Nga momenti i kontaktit me buzën e poshtme të brinjës 4(pra me një send të fortë), predha ka filluar ndryshimin e trajektores, e shprehur kjo me ndryshimin e formës së dëmtimeve ku ajo kalon progresivisht në dy muret e zemrës, deri dhe në devijimin me tendencë në ulje lartësie, sa ka mbetur në pjesën e pasme të trupit të vertebrës pas tejpërshkimit të saj.
3.Hipoteza e ngritur nga gjykata mbi trajektoren e mundshme të predhës, përplasjen me një trup të ngurtë(degë apo trung peme)…(fq.32-33 të vendimit).
Në një mënyrë aspak korrekte, në séancë gjyqësore duke anashkaluar me dashje pikërisht këtë trajektore të vërtetuar shkencërisht, u rindërtua një situatë hipotetike mbi goditjen e kësaj predhe me një material druri(me degë apo trung peme), i cili duke i ndryshuar drejtimin, natyrisht më pas edhe trajektoren e lëvizjes së saj, i ka shërbyer gjykatës për të ndërtuar alibinë se "predha ka qenë rikoshet".
-Grupi i ekspertëve të D.P.Sh.Tiranë, në aktin e ekspertimit Nr.975 dt.21.01.2011 ndër të tjera kanë konkluduar se: "…me sy të lirë te kjo predhë, por edhe me mikoskop, evidentohen njolla me ngjyrë të kuqerremtë si ajo e gjakut (mbetje me natyrë biologjike), duke hedhur poshtë në këtë mënyrë pretendimin se tek predha ka patur mbetje drusore mikroskopike, e jo më të atij asaj madhësie (3.5mmx1.5mm) që eksperti Ndoc Cardaku "e gjeti" në këmishën e të ndjerit Ziver Veizit, çka provon mungesën e kontaktit të predhës gjatë trajektores së saj me një trup me përmbajtje druri. Është vërtetuar gjithashtu edhe nga aktet e tjera të ekspertimit se në të thelluarat e viaskave, nuk ka asnjë gjurmë apo material tjetër, përvec mbetjeve me natyrë biologjike, e për pasojë deformacioni i vecantë i realizuar në predhë, ka të bëjë vetëm me kontaktin e tij me një material tejet të fortë sic është dhe kocka e një mashkulli të moshës madhore, përshkruar kjo në ekspertimin mjeko-ligjor përkatës(buza e poshtme e brinjës 4) dhe e përmendur dhe në aktin e ekspertimit, të përpiluar nga ekspertët amerikanë.
-Jo vetëm fakti i vërtetuar katërcipërisht që predha nuk ka asnjë lloj dëmtimi në majën e saj, por edhe përfundimet e ekspertëve për këtë moment, gjykojmë se ky arsyetim i gjykatës që në fillim të artikulimit të tij është i pambështetur në prova dhe hipotetik. Themi kështu, pasi kurrsesi e vërteta nuk mund të jetë produkt pjesor e ca më pak i një situate hipotetike të ndërtuar me supozime, duke e shkëputur atë nga ajo e cila është vërtetuar dhe evidentuar shkencërisht si fakt.
-Në fotot e administruara në gjykim, në setin e imazheve DE1(Skedari fotove ZË856501.jpg., ZË856506.jpg., ZË856507.jpg., ZË856508.jpg., ZË856509.jpg., ZË856510.jpg. ZË856511.jpg.), në mënyrë fare të qartë dhe pa patur nevojë për asnjë koment, duket se si është qëlluar, nga është qëlluar dhe çfarë "pengese" ka patur në vijën e qitjes mes të pandehurit Agim Llupo dhe viktimës Ziver Veizi. Në këto foto e video, duket qartësisht distanca midis viktimës e të pandehurit, fakti që në lartësi të kësaj "vije qitjeje" sikundër aryeton gjykata, nuk ka asnjë "degë peme, apo trung peme", e cila të ketë ndikuar në ndryshim të trjektores së predhës.
4.Mosmarrja në konsideratë e aktit të ekspertimit të eskpertit D.Zoto.(fq.33 e vendimit).
Gjykata në asnjë rast në vendimin e saj, nuk mori në konsideratë aktin e ekspertimit dhe konkluzionet e ekspertit Dritan Zoto, duke u shprehur se: "…në harmoni me provat e tjera, gjykata e mori me rezervë konkluzionin përfundimtar të këtij akti…".
Gjykata ka detyrimin ligjor bazuar në nenin 383/1/"ç" të K.Pr.Penale, që për këtë provë të paraqitur nga ana e organit të akuzës, e kundërt me provat që gjykata u bazua në vendimarrje, të paraqiste arsyet pse e ka refuzuar, apo që e quan të papranueshme.

5.Mungesa e anës subjektive tek i pandehuri Agim Llupo(fq.33-34 të vendimit).

Sipas argumentimit të gjykatës, vepra penale e "vrasjes me dashje, e kundër dy a më shumë personave…", kërkon domosdoshmërisht ekzistencën e një objektivi të caktuar, pra qëllimin dhe synimin e vrasjes së të paktën dy individëve…të shoqëruar me motivin e autorit të veprës penale…
Në kundërshtim me këto "argumenta" të paraqitura nga gjykata në vendim, vjen teoria e së të drejtës penale shqiptare, si përsa i përket formës së dashjes, synimit, qëllimit kriminal, apo mungesës së motivit në veprimin e kundërligjshëm të pandehurit Agim Llupo. Orientimi i veprimit konkludent të pandehurit Agim Llupo, i shprehur në gjuajtjen drejt turmës së protestuesve në të paktën 5(pesë) raste(predha e gjetur tek viktima Ziver Veizi, vrasja e Hekuran Deda, plagosja e tre personave të tjerë, konsiston dhe shpreh shtytjet e brendshme të të pandehurit në atë moment, shpreh më së miri qëndrimin e tij psikik ndaj pasojave që do shkaktonte, si dhe domosdoshmërinë e shkaktimit të tyre.
Në rastin konkret i pandehuri Agim Llupo, i vetëdijshëm për karakterin e veprimeve të tij dhe rrezikshmërine shoqërore të këtyre veprimeve, ka parashikuar jo vetëm mundësinë dhe domosdoshmërinë e ardhjes së pasojave, por ai me vullnet i ka orientuar këto veprime drejt ardhjes së tyre. Pjesë e elementit intelektual në këtë rast, është të qenurit i vetëdijshëm i subjektit për objektin e veprës penale, kohën, mjetet dhe mënyrën e kryerjes së saj, ndërsa pjesë e elementit volitiv është fakti se, subjekti nëpërmjet vullnetit dirigjon veprimet mendore dhe fizike të tij. Sa i takon mungesës së ekzistencës së motivit në veprimet e të pandehurit Agim Llupo, gjykata pa të drejtë arsyeton se "…që të provohet akuza në ngarkim të pandehurit Agim Llupo, duhet të provohet edhe fakti që ky i pandehur dëshironte e synonte ardhjen e pasojës tragjike, atë të vrasjes së të ndjerit Ziver Veizi…"(fq.31-32 e vendimit).
Në ndryshim nga arsyetimi që gjykata i bën vendimit lidhur me motivet, teoria e të drejtës penale nuk i përcakton motivet si elementë të domosdoshëm të anës subjektive të veprës penale.Ref.Komentar i K.Penal të R.Shqipërisë, me autorë Prof.dr.Ismet Elezi, Dr.Maksim Haxhia, Dr.Skënder Kaçupi.

Sa më sipër bazuar në nenet 425/2 pika "b", 428/1 pika "b" të K.Pr.Penale,

K E R K O J M Ë
Ndryshimin e vendimit penal Nr.100 dt.07.02.2013 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, në ngarkim të pandehurve Ndrea Pjetër Prendi dhe Agim Zarik Llupo dhe duke e gjykuar çështjen në fakt, të vendoset konform nenit 425/2 pika "b" të K.Pr.Penale, duke i deklaruar fajtorë për veprat penale që ata akuzuhen, si dhe duke u caktuar një masë dënimi dy të pandehurve, në kufijtë e kërkesës së prokurorisë.

You are receiving this email because you subscribed to this feed at blogtrottr.com.

If you no longer wish to receive these emails, you can unsubscribe from this feed, or manage all your subscriptions

0 comments:

Post a Comment