Pages

Tuesday, February 12, 2013

Gazeta Tema: Shqipëri me djem të ngrysur me sy të turbullt

Gazeta Tema
Gazete e perditshme shqiptare
Shqipëri me djem të ngrysur me sy të turbullt
Feb 12th 2013, 17:14

reldar-dedajNga Reldar Dedja

Rininë shqiptare prej kohësh e kanë parë si një figurë jodomethënëse për kohët e shkuara dhe kohët e sotme. Gjatë këtij shkrimi mos prisni të gjeni kritika për kohën e kotë që kalojnë të rinjtë në kafenetë e Tiranës apo mungesën e tepërt të tyre nëpër biblioteka. Një ide e tillë nuk më vjen aspak në mendje. Përkundrazi. Më ka interesuar këndvështrimi kritik, në lindjen e kulturës sonë, nga ku fillon izolimi, i cili sot na çon tek vetëshkatërrimi. Më ka interesuar momenti në të cilin, me lindjen e shoqërisë së përngjitjes dhe unifikimit me të pushtetshmin, rinia shqiptare u zhduk, a thua sikur nuk kishte ekzistuar kurrë?!

Gati një shekull më parë mendimtari i pashoq Faik Konica shkruante: "Të riut i ndizet mendja më ëndrra fisnike; i riu është gati të vazhdojë mendime të bukura pa interes vetjak, është i zoti të vuajë për ideale, dridhet nga padrejtësia dhe mbrapset nga dinakëritë posi nga murtaja; i riu di edhe gëzimin e zemrave të pastra; të riut i qesh shpirti dhe i qesh buza. Në Shqipëri për kundër shohim djem të ngrysur me sy të turbulluara nga djallëzitë, të kërrusur nga barra e mendimeve hesapesh dhe ngatërresash. Edhe çiliminjtë në djep duken të mvrojtur dhe të thartë. Shqipëtari lint plak".

Sot, ky pasazh të duket shumë real, megjithatë duhet menduar se ne, të rinjtë e Shqipërisë e kemi pasur shumë të vështirë të orientohemi drejt modeleve të sakta, të shëndosha. Madje mund të thosha se kurrë nuk na janë ofruar modele të tilla. Në këtë pikë, faji i takon të gjithëve.

Ka kohë. Ajo gjithmonë ka qenë kështu. Kjo rini, një herë e një kohë e papushtueshme, tashmë një turrë gurësh, as nuk ndjejnë, as nuk dëgjojnë dhe as nuk reagojnë. Me sa duket e rrafshoi një armik i harruar prej kohësh si dhe fati, dija, guximi, të gjithë ne. Afër, sot ashtu si dje, përpara syve të mi që s`besonin ndryshonte çdo ditë e më shumë rregulli i saj i brendshëm i modelit që më ishte dukur i përhershëm, ashtu si një lumë degët, kashta e fijet e barit ndjekin rrjedhën më të fortë. Ashtu edhe kjo rini ndjek sot përngjitjen me ata që krijojnë përshtypjen e të pushtetshmit, rrjedhë që si fije kashte rrezik të na marrë të gjithëve.

E megjithatë, aq sa më kujtohet mua është një histori që pothuajse ka zgjatur për pesë vjet me radhë. Gjithë kjo ngjarje zhvillohet në universitetet tona publike. Me siguri iu ka rastisur të gjendeni në të tilla ambiente ku duhet të keni vënë re ca djelmoshë të veshur me kostume dhe këpucë llustrafin që i bien fakulteteve kryq e tërthor me një hap që nuk mund ta quash as të shpejtë dhe as të ngadaltë. Dëshirojnë të krijojnë përshtypjen e ca djemve që gjoja janë të zënë deri në grykë me punë. Besoj se nuk kërkohet sqarim i mëtejshëm. Ata janë qeveria e famshme studentore.

Asnjëherë, në asnjë universitet perëndimor nuk më ka rastisur të dëgjoj se një grup studentësh që janë zgjedhur për të mbrojtur interesat e kolegëve të tyre, të krijojnë lidhje aq të ngushta me të gjithë stafin hierarkik të drejtuesve të universiteteve. Gjithmonë kam pasë përshtypjen se të gjithë ata djem dhe vajza që bëhen pjesë e kësaj qeverie, duhej të konsideroheshin nga stafet drejtuese si studentë më pak të pëlqyer, pikërisht ashtu siç thotë një shprehje e vjetër popullore: "halë në sy". Pasi ata duhet të jenë organizuesit e protestave kundër rritjes së tarifave shkollore, kundër abuzimit me fondet e universiteteve, duhet të ngrinin zërin për pasurimin e bibliotekave, rritjen e cilësisë së mësimdhënies, e një stafi sa më profesional, si dhe krijimin e hapësirave wireless në të gjitha kampuset universitare. Më tej, duhet të protestonin për dhënien e diplomave fallco pse jo edhe për përmirësimin e kurrikulave, duke pasur parasysh se të gjithë tashmë kemi mundësi të jemi pjesë e një hapësire kibernetike dhe mund të shohim përtej atij mali që Preç Zogaj na thotë në një nga poezitë e tij. Pasi bota jonë nuk mbyllet tashmë brenda një fshati ku pamjen na e zë mali përballë, pra; aq sa na lejon shqisa e shikimit. Por kjo nuk ndodh. Madje këta të rinj shndërrohen në ura që këta drejtues ta kenë akoma më të lehtë shtrirjen e tentakulave të pushtetit. Gjithsesi kjo e keqe ka lindur. Ajo vazhdon të jetë ende në kantier dhe këta janë muratorët dhe në të njëjtën kohë edhe të aksidentuar të mundshëm të saj.

Ende sot, në kohën që po shkruhen këto radhë, puthadorët e vegjël ndër aktivitete, festa, projekte rreken të përfitojnë sa më shumë nga përngjitja e tyre. Dashur pa dashur, kemi mbërritur në thelbin e vetë teatrit: te maska, servilizmi dhe ajo që fshihet pas tyre.

Siç ndodh me ngjarje të tilla që ndrydhin edhe mistere, lipset nevoja të kujtojmë se këta janë ata që përfaqësojnë rininë shqiptare, madje një pjesë e tyre është kamufluar brenda djalit rebelues që nuk e duron dot padrejtësinë, të respektuarit, aktivistit, intelektualit të ardhshëm. Përkundrazi sa herë rastis të qëllosh në të njëjtin bar me ta, rreken gjithmonë të paguajnë pijen që ti ke marrë edhe pse nuk do ta dëshiroje kurrë një gjë të tillë. Pastaj një ditë tjetër i gjen duke rekrutuar studentë për t`u bërë pjesë e forumeve rinore të dalaboje të PD-së dhe LSI-së.

Me siguri ndonjëri nga ata në darkë pas një dite të "lodhshme" dhe me "ngarkesë" niset për shtëpi, krejt krenar si një djalë i suksesshëm i tregon axhendën e kryer mamasë së tij. Vazhdon të mburret pa pushim: më tha kështu i thashë ashtu. Bravo, më tha dekani, ti je një djalë inteligjent etj, etj. Të nesërmen e ëma krenare për djalin e shkathët dhe të ditur që ka rritur me zor pret të zbresë poshtë tek parukierja e lagjes që të mburret për djalin e saj vigan.

Me pak fjalë këta janë ca bythëlëpirësa që edhe kur mbarojnë vitet në një fakultet, menjëherë rinisin një tjetër. Aspak si respekt ndaj dijes. Por si një kamuflazh për të qenë gjithmonë në qeverinë studentore, pasi aty gjendet "Eldorado"-ja e tyre.  Ndjehen shumë të suksesshëm kur luajnë rolin e sekserit për të marrë provimet e prapambetura të studentëve. Ata janë gjithmonë drejtuesit që krijojnë lidhjet mes forumeve partiake dhe studentëve të ndryshëm si detyrim edhe nga favoret që iu bëjnë atyre në lidhje me profesorët për marrjen e provimeve. Mundohen gjithmonë të mos bëzajnë për problemet që realisht shqetësojnë fakultetet tona. Janë fitues të shumë projekteve dhe organizatorë kryesorë të aktiviteteve të ndryshme.

Madje edhe kur të flasin në rrugë janë gjithmonë me nxitim, lëvizin në mënyrë të tillë: si je bos-ika bos. Mirupafshim bos!

Pra këta janë ata që njëherë e një kohë i kanë zhvirgjëruar. I kanë lënë pa shtyllë kurrizore. Me një humbje të plotë të ekuilibrit. Megjithatë këta janë ata që emrat e tyre rezultojnë në lista deputetësh, në forume rinore, në poste kyçe në administratë shtetërore. Këta janë gjithçka, këta janë asgjë në të njëjtën kohë. Atyre nuk iu ka mbetur as moral, as ide, as shpirt rebelues, ata janë thjeshtë ca qenie të vyshkura. Kujtoni! "Shqipëtari lint plak"…

Ashtu siç ju po e kuptoni ky është modeli kulturor dhe intelektual që na është ofruar vite e vite me radhë. Të jesh i suksesshëm në ditët tona me patjetër duhet të kalosh nëpërmjet filtrash të tillë. Një rreth vicioz që sot hyn veçse një djalë servil dhe nesër del një plak djallëzor. Por dihet se për t`u marrë me një gjë të tillë duhet një gjendje e veçantë shpirtërore, e cila nuk krijohet lehtë dhe në çdo kohë. Këto janë disa shënime për rininë studentore të hedhura në vite të ndryshme. Prej kujtimeve që zgjojnë, mund të gjykohet sesa të sakta janë.

You are receiving this email because you subscribed to this feed at blogtrottr.com.

If you no longer wish to receive these emails, you can unsubscribe from this feed, or manage all your subscriptions

0 comments:

Post a Comment