Pages

Sunday, February 17, 2013

Gazeta Tema: Përtej një rikthimi, opozita të bëjë të vetën

Gazeta Tema
Gazete e perditshme shqiptare
Përtej një rikthimi, opozita të bëjë të vetën
Feb 17th 2013, 17:29

(u39u)edi-ramaNga Artan Xh. Duka

Personal apo i diktuar, kthimi i ish-liderit të PD në partinë e dikurshme, nuk mund të mos kalonte pa u vënë re si për shkak të staturës së dikurshme ashtu dhe faktit se ishte ndër ata që guxuan dhe mbijetuan si ikona të së djathtës (deri në 'mistifikim'), pavarësisht diskrecionit në mërgim.  I konsideruar, sikurse të tjerë në perëndim, si disidenca që bart të patrazuar 'ADN' e idealeve të dhjetorit, ai shihej me nostalgji, deri shpresë, si 'mbreti' në egzil me rol unik në imazhin e së djathtës gjatë zigzageve post 97, gjë e pritshme kjo për një shoqëri të prirur ende kah kulti i individit.

As i pari, as i fundit

Rikthimi nën të njëjtin lidership tek e njëjta parti që e gjen me një barrë më të rënduar politike se kur e la pas, mund të vlerësohet sa kohë supozohet se po hipën në 'anijen' që po mbytet (kur të tjerë mendojnë braktisjen), thjesht dhe vetëm nga pozicioni i idealistit të dhjetorit. Gjë që do të ishte më e besueshme nëse do të përmëndeshin 'mëkatet' politike gjatë mungesës të tij, për të cilat nuk ka përgjegjësi por ka përgjegjësinë të distancohet. Ndryshe, rikthimi dhe vënia e 'supit' pa asnjë kusht dhe ndarja e kostos politike së marrëveshjes së ujrave, Gërdecit, 21 janarit, zgjedhjeve të 8 majit, mostransparencës zgjedhore, thellimit të borxhit publik, privatizimeve të debatueshme etj, mund të shihet jo thjesht si dalje kundër vetvetes por dhe gjest prej 'kamikazi' politik, për më tepër kur e djathta përfaqësohet sot denjësisht prej FRD në opozitë.

E thënë kjo, nuk përjashtohet edhe seria e rradhës e sindromës së konvertimit të 'urrejtjes' në 'dashuri', e hasur rëndom në politikën e tranzicionit tek të dyja krahët e politikës, dhe që justifikohet me alibinë se politika është njëlloj si profesioni më i lashtë në botë. Gjithsesi, nëse rikthimi motivohet nga pragmatizmi dhe komoditeti personal, atëhere mund të bjerë ndesh me aureolën e disidentit prej të cilit pritej ndoshta më shumë lidership për të qënë, si politikan 'free range', pjesë e së resë dhe refuzuar komoditetin e 'inkubatorit' të PD ku ka 'krunde' për të gjithë.

Iniciativa personale ndërkohë mund të shihet si tejkalim i intrazigjencës tradicionale në PD, gjë që duhet marrë me rezerva sepse, ndryshe nga PD e 2005 në opozitë kur imazhi ishte jetik dhe sezoni i kthimit të 'djemve plangprishës' asistonte, sot ajo bart arrogancën e pushtetit dhe fatin e votës, krahas perceptimit të votuesit dhe retushimit të imazhit me djemtë nga Amerika, e tundon preçedenti i abuzimit dhe alkimisë së rradhës me të.

Rikthimi ndërkohë mund të lexohet edhe si pranim indirekt i rrezikut të humbjes brënda PD me retushimin e sforcuar të imponuar edhe nga besueshmëria në rritje e FRD. Nga ana tjetër, rikthimi i figurave, memorja ndaj të cilëve ka ngrirë prej viteve 90, krahas tundimit të votuesit të lëkundur, mund të provokojë bumerang në kohezionin e PD si prej reagimit të të 'paepurve' ashtu dhe politikanëve një-përdorimësh 'BIC' cikli i të cilëve rrezikon të mbyllet në qershor.

Me qitje të largët!

Nëse jo personal por i diktuar (mbetet për t'u parë entuziazmi në vijim) nga interesa strategjike për balancë demokratike, deri gjeopolitika në rajon, ky rikthim ndoshta parasheh rivitalizimin e PD, vecanërisht në rast humbjeje të zgjedhjeve, dhe ruajtjen e protagonizmit përmes riformatimit të lidershipit dhe evitimit të fragmentizimit me pasojë qëndrimin gjatë në opozitë.

PD dhe protagonistët e lëvizjes së dhjetorit kanë gëzuar tradicionalisht predispozicion prej perëndimit, veçanërisht atij atlantik, si inerci e gjenezës së demokracisë në vend. Ndryshe nga opozitarizmi post 1997 kur PD ende ruante kohezionin ideologjik djathtas, sot ajo nuk e ka më atë shans, për më tepër me FRD rrotull, ndaj PD në opozitë dhe në krizë eventuale lidershipi, rrezikon fragmentizim jo-ideologjik me pasojë zhbërjen e protagonizmit politik.

Pa e hiperbolizuar, nëse i kalkuluar, ky rikthim e lëvizje të tjera eventuale të ngjashme me të, sesa trupëzim në fitoren e pamundur të PD, mund të shihet si një shans më shumë për të ruajtur ç'mund të ruhet prej PD në opozitë dhe ngjizuar më pas një kohezionin të ri djathtas përmes bashkimit, në një fazë të dytë, të mbarë protagonistëve të saj (në parti të tjera) nën një lidership të ri si balancim ndaj një të majte të fuqishme në prag të qeverisjes. Ndoshta, jo rastësisht ky rikthim anashkaloi partitë e tjera, jo thjesht për arsye të konservimit të entitetit politik të PD por edhe për shkak të tentativave jo efektive të futjes së të gjitha 'vezëve' në një shportë në të shkuarën, të cilat nuk arritën të defaktorizonin lidershipin e PD por thjesht shtyn në kohë proçesin e pashmangshëm të ribashkimit nën të.

Shansi opozitar për partner të privilegjuar strategjik

Ndërsa PD po destinohet për opozitë, sfida mbetet tek kampi i fitores i kryesuar prej PS, për ta administruar si duhet atë. Duke filluar me lobimin konsistent ndaj politikës amerikane që, përtej mbështetjes europiane, mbetet garanci unike për qeverisjen e mirë afatgjatë.

Politika shqiptare pa dallim duhet të shfrytëzojë në maksimum përputhjen e interesave gjeopolitike të Amerikës mike me ato madhore tonat dhe sfida e çdo qeverie shqiptare, në këtë rast e kampit të PS, duhet të jetë konsiderimi i ndjeshmërive përkatëse. Si në përmbajtje – strategjitë e zhvillimit, ekipi qeveritar, lidershipi partiak etj ashtu dhe në imazh, duke filluar deri nga ripagëzimi në kohën e duhur i partisë socialiste, që përtej retorikës demagogjike, mund të evokojë sentimente të caktuara, deri paragjykime të panevojshme informale tek politikanë dhe qarqe me peshë në perëndim me origjinë inercinë e luftës së ftohtë, të fryra më pas qëllimisht dhe ironikisht prej lidershipit të PD të lidhur vetë me sistemin e kaluar, por tashmë të konsideruar apriori 'blu'!

Në qershor është në pikëpyetje fati i demokracisë në Shqipëri  dhe krahas verdiktit të votuesit, ndikim thelbësor ka qëndrimi perëndimor. Ky i fundit, tradicionalisht është perceptuar se ka toleruar me prioritet PD duke e ulur, sipas rastit, 'stekën' ndaj performancës së qeverive të saj deri aty sa nuk ka mbajtur më, ndërkohë që për ato të majta ka qënë më strikt, më i drejtëpërdrejtë  dhe më publik për kontekste që nuk kanë krahasim me realitetin e viteve të fundit (asnjë qeveri socialiste nuk do të mbijetonte politikisht apo do e kalonte paq pas ngjarjeve si Gërdeci, 21 janari, kontrolli mbi gjykatat, abuzimi me votën, retorika pafre nacionaliste etj).

Ndaj, opozita në përgjithësi dhe ajo socialiste në veçanti, ka shansin historik, që përtej zhvillimeve në kampin e djathtë, të bëjë të vetën dhe rikthejë me vendosmëri normalitetin demokratik duke pretenduar kësisoj jo vetëm 'statusin' e të privilegjuarit ndër votuesit shqiptar por edhe atë të të partnerit të privilegjuar strategjik ndër partnerët e Shqipërisë në perëndim, me ata amerikanë në rradhë të parë.

You are receiving this email because you subscribed to this feed at blogtrottr.com.

If you no longer wish to receive these emails, you can unsubscribe from this feed, or manage all your subscriptions

0 comments:

Post a Comment