Pages

Wednesday, February 13, 2013

Gazeta Tema: Në emër të Saliut

Gazeta Tema
Gazete e perditshme shqiptare
Në emër të Saliut
Feb 13th 2013, 17:40

xhove 1Nga Xhovani Shyti

Plumba të zbrazur mbi trupa njerëzorë, katër protestues të vrarë, prishje e provave të vendit të krimit, shkatërrim i serverave dhe kamerave filmuese të kryeministrisë, pengim i prokurorisë për të kryer arrestimin e të dyshuarve si vrasës, zvarritje e proceseve gjyqësore dhe, më së fundi, verdikti: "Vendim -në emër të popullit…" ka artikuluar në krye të shpalljes së vendimit kryesuesi i trupës së gjyqtarëve të Gjykatës së Shkallës së Parë të kryeqytetit, Besnik Hoxha. 2013. Ka qenë vendimi i parë gjyqësor për dy punonjësit e gardës së Republikës të akuzuar si vrasës, por edhe vendimi përmbyllës i maratonës së më shumë se gjashtëdhjetë seancave gjyqësore të zhvilluara për ngjarjen tragjike të 21 janarit 2011. Për protestën opozitare ku katër pjesëmarrës, përkatësisht të ndjerët Ziver Veizi, Hekuran Deda, Faik Myrtaj dhe Aleks Nikaj gjetën vdekjen nga plumbat e gardistëve. Dy prej të akuzuarve, përkatësisht ish- komandanti i Gardës së Republikës, Ndrea Prendi, i ndodhur në arrest shtëpie, dhe Agim Llupo, që prej më shumë se një viti në regjim burgimi, në datën 7 shkurt u shpallën të pafajshëm. U zhveshën nga të gjitha akuzat e ngritura prej prokurorisë, që për shumë muaj e hetoi imtësisht ngjarjen tragjike, duke u shpallur të pafajshëm.

Por, jo vetëm kaq. Pas vendimit të dhënë në emër të popullit, të pandehurit Prendi e Llupo jo vetëm u lanë të lirë, por edhe të pompuar nga autoriteti i tyre mbrojtës për të kërkuar dëmshpërblim monetar për gjithë sa kanë hequr deri në dt. 7 shkurt. "Një vendim absurd, por po aq edhe cinik", komentuan ndër të tjera, jo pak të prononcuar rreth këtij vendimi, duke përfshirë brenda "absurdes" sjelljen vendimmarrëse të trupës gjyqësore, mohimin tërësor të fakteve e provave të sjella nga prokuroria(midis të cilave edhe atë të FBI-së prestigjioze amerikane), por edhe togfjalëshin: "në emër të popullit". Sloganin e detyrueshëm zyrtarisht për t'u shqiptuar para shpalljes së vendimit gjyqësor, por që, sikurse edhe për raste të ngjashme gjykimesh të çështjeve kriminale me autorë zyrtarë të lartë shtetërorë, nuk ka asnjë argument përligjës.

"Vendimit të gjykatës së Tiranës për vrasësit e 21 janarit do t'i shkonte më shumë formula në emër të Saliut, në vend të sloganit zyrtar "në emër të popullit". Komentin e vënë në thonjëza e lëshoi B.K., një teknokrat i njohur hokatar, pjesë e gjyqësorit, por pa dashur t'i japë ngjyrim hoke. Si shumë të tjerëve, edhe atij iu duk absurd vendimi që tronditi deri edhe ambasadat e vendeve të rëndësishme perëndimore. Tronditje që erdhi jo nga pavarësia e vendimmarrjes gjyqësore, por nga e kundërta. Pra, nga vartësia e theksuar, nga futja nën këmbë, nga kapja dhe komandimi që pushteti i maxhorancës qeverisëse i bën pushtetit gjyqësor. Nga përdorimi, nga qenia e drejtësisë kamxhik për kundërshtarët dhe pambuk për kurrizkruajtësit e shërbëtorët pa skrupuj të pushtetit. Në fakt të vetëm një njeriu të gjithëpushtetshëm, të Kryeministrit në detyrë, Sali Berisha, i cili është i vetmi që dredh e dikton sipas interesave të tij maxhorancën ekzekutive, maxhorancën parlamentare, presidencën e pushtetet e tjera kushtetuese. Në krye të të cilëve ka emëruar njerëzit e vet. Shërbestarët e tij. Firmëhedhësit që mbulojnë orekset e tij.

Pushteti i shkallës së parë të drejtësisë, që dha vendimin absurd të pafajësisë për dy gardistët e akuzuar si vrasës, nuk është i vetmi që vepron sipas urdhrave prapaskenikë të autokratit Berisha. Të urdhrave të fshehtë, por strucian. Ngaqë në fakt gjithkush, edhe shqiptari më i painformuar, e di tashmë që lëshohen prej tij. Ndaj është e vështirë të gjesh sot një shqiptar, i cili të besojë se vendimi i pafajësisë për dy punonjësit gardistë të akuzuar si vrasës të katër protestuesve në ngjarjen e 21 janarit 2011 të jetë dhënë nga trupa gjykuese. Pak kush beson që ky vendim të jetë vepër e ndërgjegjes juridike, domethënë i prejrrjedhur prej drejtësisë ligjore. Sikurse pak kush e ha përmbajtjen e deklaratës reaguese të lëshuar flakë për flakë nga gjykata e Tiranës, një ditë pas vendimit të dhënë. Të deklaratë-hijes kryeministrore, që si qëllim të drejtpërdrejtë kishte karshillëkun ndaj ndërhyrjes së ambasadorit amerikan në vendimmarrje, edhe pse rrekej t'u mbushte mendjen shqiptarëve se pafajësia ndaj dy të akuzuarve për vrasje ishte pjesë e gjykimit të lirë e të pavarur. Se mbas këtij vendimi qëndron e drejta ligjore e pandikuar fare nga politika e Maliqit. Domethënë nga ndërhyrja e Kryeministrit që, në prapaskenë zotëron fuqinë e të gjitha pushteteve, firmën mbi vendimmarrjet e të cilave vërtetë i hedhin të tjerët, por me ngucje të Saliut. Dhe për përfitime të Kryeministrit dhe shërbestarëve të tij. Kështu vepronte Sali Berisha edhe kur ishte president i vendit, pra gjatë periudhës së viteve 1992-1997. Grumbullimin e të gjithë pushteteve në dorën e tij e ka etje të pashuar. E ka mënyrë sjelljeje, sikurse ka të tillë emërimin në administratë të personave me dosje korrupsioni apo aktivitete subversive, të cilët i përdor për të shkelur ligjin. Kjo skemë ka funksionuar edhe me vendimmarrjen e trupës së gjyqtarëve që dha pafajësi për dy gardistët e akuzuar për vrasje të protestuesve në 21 janar. Kryetari i kësaj trupe, Besnik Hoxha dhe njëra prej anëtareve, u deklarua publikisht nga ish- presidenti Alfred Moisiu se i përkisnin nomenklaturës së gjyqtarëve të korruptuar e për të cilët, vite më parë, ai kishte qenë kundër emërimit si gjyqtarë. E megjithatë, të dy këta të refuzuar nga presidenti Moisiu, sakaq mbajnë qyrkun e gjyqtarit dhe "në emër të popullit", japin vendime të diktuara nga Saliu.

Por më shumë se arsyetimi dhe justifikimi absurd i pafajësisë së lëshuar nga trupa e shkallës së parë të gjykimit, ajo që e bën akoma edhe më shqetësuese situatën pasvendim është mesazhi. Mesazhi i dalë, përmbajtja që qëndron pas pafajësisë. Pas vendimdhënies gjyqësore të lexuar prej kryesuesit Besnik Hoxha, që shpalli të pafajshëm dy të pandehur për të cilët prokuroria e mbështetur në prova dhe akte ekspertize kishte kërkuar përkatësisht 23 dhe 25 vite burgim. Nëse do të përdornim një gjuhë të thjeshtë, pafajësinë e dy gardistëve të akuzuar do ta përkufizonim si status të përhershëm për kudo që vihet në shërbim të Kryeministrit dhe klanit të tij. Nga që realisht ajo është pafajësi për mosshqepje goje dhe mostregim të të vërtetës. Pafajësi për moskallëzim të urdhëruesit të vërtetë për hapje të zjarrit mbi protestuesit. Medemek pafajësi për të mbuluar të vërtetën dhe penguar drejtësinë, gjë që përbën një tjetër vepër të rëndë penale. Por edhe sikur dy gardistët e liruar nga akuza e vrasjes të qenë shpallur fajtor dhe të ishin dënuar, askush nuk do ta besonte se hapja e zjarrit me armë luftarake dhe vrasja e katër personave të pafajshëm,në kushtet dhe rrethanat e zhvillimit të protestës së 21 janarit, ishte pjesë e zbatimit të ligjit që komandon Gardën e Republikës. Domethënë ishte një ngjarje kriminale e ndodhur jo në emër të Saliut.

You are receiving this email because you subscribed to this feed at blogtrottr.com.

If you no longer wish to receive these emails, you can unsubscribe from this feed, or manage all your subscriptions

0 comments:

Post a Comment