Pages

Wednesday, February 20, 2013

Gazeta Tema: Mirëseardhje dhe një doracak për zotin Paviqeviq!

Gazeta Tema
Gazete e perditshme shqiptare
Mirëseardhje dhe një doracak për zotin Paviqeviq!
Feb 20th 2013, 19:23

enver_robelli_979512Nga Enver Robelli

Pas më shumë se 100 vjetësh Beogradi sërish po dërgon përfaqësues të vetin në Prishtinë. Dejan Paviqeviqi mund të thotë se po vjen në "krahinën jugore të Serbisë", por dalëngadalë ai duhet të mësohet me realitetin e ri, përfshirë edhe Republikën e Kosovës. Ky shkrim është një doracak për t'i ndihmuar të riut Dajan Paviaqeviq që të ndihet sa më rehat në Prishtinë dhe kudo në Kosovë

Ende nuk është e qartë se kur do të vini në Prishtinë, zoti Dejan Paviqeviq. E sigurt është se Qeveria e vendit tuaj ju ka emëruar oficer për ndërlidhje në Prishtinë. Detyrë e juaja do të jetë "lehtësimi i kontakteve" të autoriteteve të Beogradit me Prishtinën zyrtare. Me gjasë një tavolinë dhe një karrige, një vitrinë dhe një sirtar do t'ua vënë në dispozicion zyrtarët e Bashkimit Evropian në selinë e misionit të Brukselit në kryeqytetin e Kosovës. Shumë e mundshme është që në tavolinën tuaj të punës ju do të gjeni edhe një laps me gomë. Sipas qejfit tuaj, zoti Paviqeviq, ju në zyrë mund të mbani edhe flamurin e Serbisë, ndërsa nëse aty shihni një flamur tjetër të kaltër dhe me disa yje, mos u tutni, zyrtarët e BE-së do të kujdesen që aty të jetë vetëm flamuri i BE-së, jo i Kosovës, i cili, për dijeninë tuaj, po ashtu është i kaltër dhe i ka disa yje, sigurisht më pak se ai i BE-së. Por, sapo të dilni nga zyra, ky flamur do të valojë andej e këndej, duke iu ballafaquar juve me një realitet të ri. Dhe ky do të jetë vetëm njëri prej shumë realiteteve të reja.E dini, zoti Paviqeviq, pse e përmendëm lapsin me gomë? Ai do t'ju duhej për të fshirë diçka nga biografia juaj, në të cilën shkruani se si jurist keni qenë sekretar i Kuvendit Komunal të Gjakovës. I cilës Gjakovë, zoti Paviqeviq? Tutemi se po ia dhatë ndokujt këtë referencë të biografisë suaj në Prishtinë, do të shqyhet së qeshuri, madje këtë anë të biografisë suaj do ta marrin me humor jo vetëm shqiptarët, por edhe të huajt.

Zoti Paviqeviq, ju duhet ta shikoni moshën tuaj si përparësi. Ndoshta për shkak të saj nuk jeni aq shumë i ngarkuar me stereotipa mbi shqiptarët, me gjithë faktin që viteve të fundit keni punuar në një institucion shtetëror serb që s'ka bërë gjë tjetër përveçse të sabotojë rendin e një shteti fqinj, Kosovës. Ju jeni lindur në Beograd në vitin 1979. Atëherë Josip Broz Tito ka qenë gjallë, ndonëse keq me shëndet, hoteli "Grand" në Prishtinë sapo kishte nisur punën dhe në Drenicë po punohej për hapjen e ndërmarrjes "Ferronikel". Jeni rritur mes zhurmës nacionaliste në Serbi, keni shkuar në klasë të parë në kohën kur Akademia Serbe e Shkencave dhe e Arteve nëpërmjet memorandumit të saj i dha shumë flakë urrejtjes në Ballkan dhe kur një politikan deri atëherë jo aq i njohur po bëhej gati të merrte frerët e pushtetit në Serbi. Më vonë emri i tij (Slobodan Milosheviq) me gjasë ju ka shoqëruar edhe juve, zoti Paviqeviq, derisa keni qenë filloristi Paviqeviq. Nuk e di kur keni qenë për herë të parë në botën e jashtme, zoti Paviçeviq, por nëse keni qenë në vitet '90, atëherë me siguri do ta keni bërë përvojën e njëjtë sikur ai gazetari serb, i cili atëbotë kishte vajtur si turist në Marok dhe kur atje disa tipa nga Skandinavia e kishin zbuluar se ishte serb, befas dhe kundër vullnetit të tij bashkëkombësi juaj ishte shndërruar në "atraksion negativ turistik". Në vitet '90 serbët sidomos në Evropë dhe në Amerikën Veriore, por, ja, edhe në Marok, kanë qenë atraksion negativ! Dihet pse! Nuk është ndjenjë e mirë kjo, zoti Paviqeviq, mund t'ju kuptojmë nëse nuk jeni ndier rehat ju apo prindërit tuaj, nëse ju kanë shoqëruar në udhëtimin tuaj.

Para se të niseni për Kosovë, zoti Paviqeviq, është në të mirën tuaj t'i hidhni në Savë e Danub krejt paragjykimet që mund të keni për shqiptarët. Ndoshta nga rrëfimet e gjyshërve tuaj keni mbajtur mend se shqiptarët në Beograd dikur kanë qenë të njohur vetëm si argatë, druvarë, qymyrshitës, qymyrbartës dhe sharrëxhi të varfër, të cilët, siç shkruan shkrimtari i respektuar Bora Qosiq, aristokracia e Beogradit – derisa shkonte në operë – i gjente të strukur duke fjetur në bodrume. "E dija", shkruante Qosiqi para disa vjetësh në gazetën zvicerane "Neue Zürcher Zeitung", duke kujtuar fëmijërinë e tij në vitet '30 në Beograd, "se ata (shqiptarët, v.j.) vinin nga jugu, se ishin të varfër dhe thatanikë, kryesisht sharronin dru nëpër oborre dhe i bënin gati për stufa, nganjëherë flinin në bodrume dhe ushqeheshin prej sardeleve dhe rrushit. Ishin modestë, paksa të ndrojtur, në të shumën e rasteve të përzemërt. Megjithatë, nëna ime ndaj tyre sillej disi e rezervuar, mua nuk më kujtohet të kem qenë ndonjëherë shok me një çun shqiptar, ma merr mendja se ata nuk ishin në shkollat tona".

Këtë imazh të konservuar të shqiptarëve, zoti Paviqeviq, ju duhet ta revidoni tërësisht. Nuk do ta takoni në Kosovë një popull druvarësh, por një shoqëri në përpjekje për t'u modernizuar, arsimuar, zhvilluar dhe evropianizuar, ndonëse në rrethana tepër të vështira. Si në vendin tuaj, edhe në vendin tonë është klasa politike ajo që tepër ngadalë i kupton prioritetet e shoqërisë dhe në shënjestër e ka realizimin e qëllimeve personale. Sa i përket këtij mentaliteti, zoti Paviqeviq, "jemi një". Dhe për këtë s'kemi pse të gëzohemi as ju, as ne.

Nuk është punë e jona, zoti Paviqeviq, se ku do të banoni në Kosovë. Ndoshta do të ndiheni më i sigurt në Graçanicë a Çagllavicë, por më mirë gjeni një banesë në Prishtinë, në kryeqytetin e Kosovës. Jeta e natës në Prishtinë shpesh mund të jetë atraktive. Dhe në orën 03:00 të natës ju do të dini ta çmoni shumë banesën në Prishtinë. Alternativa do të jetë të udhëtoni gjysmë ore deri në Graçanicë, për shembull. Afër, mirë, lirë, në Prishtinë! Bën vaki që pronari i banesës në kontratën për qiradhënie do të shënojë se "kontrata lidhet në përputhje me ligjet e Republikës së Kosovës". Vetë i keni fajet nëse nuk e nënshkruani.

Ju, zoti Paviqeviq, që nga viti 2008 jeni marrë me Kosovën, në funksione të ndryshme në "Ministrinë për Kosovë e Metohi", në kabinetin e ministrit, në ekipin për bisedime me Prishtinën, etj. Gjatë këtyre viteve ju nga buxheti i Serbisë keni marrë rrogë për dy punë: për sabotimin e përpjekjeve të EULEX-it, ICO-së dhe mekanizmave të tjerë ndërkombëtarë për vendosjen e rendit dhe të ligjit dhe për ushqimin e iluzionit se një ditë Serbia "do ta kthejë sovranitetin mbi Kosovën në bazë të Rezolutës 1244". Ndoshta këtë avaz do ta vazhdoni edhe më tutje, kësaj radhe nga Prishtina. Vendi juaj, Serbia, deri më tani ka bërë përvojë të mirë me BE-në sa i përket procesit të integrimeve. Brukseli nuk po kërkon me shumë ngulm që Serbia të bëhet shtet vërtet funksional e demokratik, me gjyqe të pavarura dhe me shoqëri të sundimit të ligjit, nuk po kërkon as kryeministër serb pa kontakte me grupet mafioze, por vetëm po insiston që Beogradi institucioneve të veta në veri të Kosovës t'ua vendosë një maskë të re, kinse kosovare, e në thelb ato mund të mbesin vullnetarisht vasale ndaj "shtetit amë", Serbisë. Pra, kushtet që BE-ja po ia vë Beogradit janë kushte që Qeveria serbe duhet t'i plotësojë në Kosovë, jo në Serbi. Ju nuk do ta thoshit këtë kurrë publikisht, zoti Paviqeviq, por ju jeni dëshmitar se si Kosova shërben si kurban për afrimin e Serbisë me BE-në. Por, për këtë ju nuk duhet të bëheni merak, fundja përgjegjësinë për ta afruar Kosovën me BE-në në "afat rekord" e ka marrë klasa sunduese aktuale në Prishtinë – pa plan, por me tupan.

Po të isha në vendin tuaj (çka, dorën në zemër, as në ëndërr nuk më bie ndërmend) si seli të përfaqësisë suaj në Prishtinë do të kërkoja pikërisht ndërtesën, ku në vitin 1890 u vendos Konsullata Serbe në Prishtinën e sunduar nga osmanët. Ndonëse nuk jam i sigurt nëse kjo ndërtesë e ka mbijetuar barbarinë urbane që shpesh e ka përlarë këtë qytet të pambrojtur në shekullin XX, ju së paku keni të drejtë të interesoheni për atë ndërtesë. Në një mënyrë, ju, zoti Paviqeviq, jeni pasardhës i diplomatëve serbë në Prishtinë, që pas vitit 1890 u dërguan për të drejtuar Konsullatën e sapohapur dhe për të përgatitur terrenin për të pushtuar Kosovën, të cilën elitat intelektuale serbe në shekullin XIX e kishin lartësuar si "djep mesjetar serb". Por, në çdo krahasim ka një dallim: derisa paraardhësit tuaj në Kosovë – Lluka Marinkoviqi, Branislav Nushiqi, Todor Stankoviqi, Miroslav Spalajkoviqi, Milan Peqanaci, Svetislav Simiqi dhe Milan Rakiqi – gjetën një Perandori Osmane të papërgjegjshme, e cila iku nga Kosova pa i vënë ndonjë kusht Serbisë në lidhje me të drejtat e "myslimanëve" (në fakt shqiptarëve), ju, zoti Paviqeviq, sot në Kosovë do të gjeni dy "perandori" moderne (Amerikën dhe BE-në), të cilat, kjo mund të thuhet lirisht, e kanë (bashkë)krijuar shtetin e Kosovës dhe si fuqi mbrojtëse nuk e kanë ndërmend të largohen nga Kosova. Ideja e BE-së është që të na marrë përdore drejt mirëqenies, nëse ne, populli i Kosovës dhe ai i Serbisë, braktisim rolin e "fëmijëve të përgaztë" dhe u bashkohemi kombeve politikisht të emancipuara.

Duke dashur të ruajmë këtë ilustrim, po themi se është edhe në dorën tuaj, zoti Paviqeviq, se çfarë fëmije do të jeni në Prishtinë – i gatshëm për t'u emancipuar apo "i përgaztë"? Pashë gjatë fundjavës që "Kancelaria për Kosovë e Metohi" e Qeverisë së Serbisë me rastin e pesëvjetorit të Pavarësisë u ankua se në Kosovë mbretëron "aparteid" për serbë. Çdo qytetar i ndërgjegjshëm i Kosovës do të dëshironte që pozita e të gjitha pakicave, përfshirë edhe atë serbe, të ishte më e mirë, por të thuhet se serbët kosovarë vuajnë "nën aparteid", siç pretendojnë autoritetet tuaja në Beograd, zoti Paviqeviq, ky është humor i rrezikshëm.

Duhet të mësoni ende shumë, zoti Paviçeviq. Pse jo edhe gjuhën shqipe? Siç e ka thënë historiania e njohur nga Beogradi, Latinka Peroviq, shqiptarët janë "një popull në ekspansion biologjik dhe historik, popull që mëson shpejt, që përshtatet shpejt, por edhe fqinji ynë i parë". Vetëm do të përfitoni nëse mësoni shqip. Ose gjejeni një përkthyes të mirë. Ashtu siç e kishte gjetur Branislav Nushiqi "tulmaçin" e tij në Prishtinë, Murat-efendiun. Kushedi, ndoshta keni talent për të shkruar, zoti Paviqeviq, e mund të na lini dhuratë kur të shkoni ndonjë vepër me udhëpërshkrime. Njëri prej paraardhësve tuaj, novelisti dhe dramaturgu Branislav Nushiq, ka lënë disa shënime mahnitëse për Kosovën. Ja një shembull: "Le të mburret Stambolli me përqafimin e vet madhështor me Bosforin; le të mburret Edreneja me minaret e shumta; Selaniku me gjallërinë e bregdetit të vet dhe me afërsinë me Olimpin; Shkupi me të kaluarën e vet heroike; Ohri me peshkatoren e madhe dhe Shkodra me larminë e pazarit e të çarshisë së vet – megjithatë, Prizrenit i mbetet me çka të krenohet e të ngrihet mbi të gjithë" (shkëputur nga libri: "Nga Kosova deri në Detin e Kaltër", sipas përkthimit të Fahri Musliut).

Një shembull tjetër edhe më të mirë e keni të lartpërmendurin Bora Qosiq. Ai shkruan: "Në fillim të viteve gjashtëdhjetë unë pata një episod gjashtëmujor në Kosovë, isha ushtar në qytetin e bukur oriental të Prizrenit, nëpër të cilin gjarpëron lumi i kthjellët i Bistricës. Kjo kohë ishte e përmbushur prej natyrës së dëlirë dhe njerëzve të atjeshëm shumë të këndshëm. Shoqërohesha me disa njerëz, shkoja në shtëpitë e tyre, së paku në pjesën e paraparë për burra, vajzat shikonin përherë të ndrojtura nga katet e tyre të epërme nëpër rrjetet e dendura të traditave të tyre. Këto takime me këta njerëz edhe sot kanë një mangësi: unë ende s'e di gjuhën e tyre. Të vetmen fjalë në gjuhën shqipe që e kam marrë nga atje është 'ljulj', trëndafil". Qosiqi mendon lule, por e përkthen gabim si trëndafil. Ju, zoti Paviqeviq, e keni shansin të merrni më shumë se një trëndafil a lule nga Kosova. Varet vetëm a keni vendosur të jeni peng i historisë dhe nacionalizmit apo përqafues i vlerave evropiane. Krejt në fund një urim, që mund ta quani provokim, çka nuk është qëllimi im: mirë se vini si oficer për ndërlidhje dhe rruga e mbarë dikur, kurdo që largoheni, por me shpresë se Prishtinën do ta braktisni me titullin e ambasadorit të parë të Serbisë në Kosovë.

You are receiving this email because you subscribed to this feed at blogtrottr.com.

If you no longer wish to receive these emails, you can unsubscribe from this feed, or manage all your subscriptions

0 comments:

Post a Comment