Pages

Sunday, February 17, 2013

Gazeta Tema: Më në fund Berisha ka nis të mendoj për pasurinë e tij!

Gazeta Tema
Gazete e perditshme shqiptare
Më në fund Berisha ka nis të mendoj për pasurinë e tij!
Feb 17th 2013, 19:57

-Ose përse Berisha nuk është Jose Mujica I Uruguajit

arben-manaj-150x1501

 

Arben Manaj

 

 

 

Nënteksti i Berishës në Lushnjë ishte se është i vobekt dhe se e përzgjodhi të ishte i tillë, në emër të moralit të tij qelibar prej politikani, pasi përndryshe do kishte pasur klinikë private dhe do ishte i pasur sot e kësaj dite.

 

Pra, la kardiologun e pasur për kryeministrin e varfër. Por mos mendoni se nuk ka njerëz që nuk e hanë këtë mufkë.

 

Dukshëm pasuria familjare po i djeg shumë kryeministrit tonë migjenian për nga varfëria. Si me deklarimin e pasurisë së familjes së tij biologjike, ashtu si edhe me deklarimet e pasurive të politikanëve shqiptare, ka një përbuzje dhe tallje të madhe që i bëhet shqiptarëve, të cilët bashkë me moldavët  janë në dy vëndet e fundit për nga varfëria në Evropë.

 

Kontrasti i pasurisë së familijes së tij biologjike për shkak të të qënit kryeministër me varfërinë e shumicës dërmuese të shqiptarëve, jo se e lë pa gjumë atë për shkak të brejtjes së ndërgjegjes , sesa i prish ëndrat për sundim të mëtejshëm mbretëror në këtë vënd dhe mospagimin e pasardhësve të tij për fitimet marramëndëse përmes klientelizmave dhe favorizimeve ekskluzivisht nga qënia thjesht në të njëjtën certifikatë familjare të kryefamiljarit Sali Berisha, Kryeminstër i Shqipërisë.

 

Padyshim që si kardiolog, Berisha është i zoti, se përndryshe përvec kritereve të tjera të parakuptueshme, nuk do kishte shans të bënte roje nate si mjek pranë Hysni Kapos e te tjerevë tek Klinika e Udhëheqësve, ngjitur me Presidencën.

 

Padyshim po të kishte përzgjedhur të ushtronte pas 97-ës profesionin e tij si mjek, ndoshta sot, edhe pse është shumë shumë vonë dhe tërësisht e panevojshme, do ishte në gjëndje të mos djersiste nga antiplumbi dhe do ecte në publik rrugëve të Tiranës me niprit dhe mbesat e tij, i pashoqëruar. Ndoshta.

 

Por padyshim, do të ishte po aq i pasur sa edhe shumë mjek që kanë klinikat e tyre private, e që kanë bërë prokopi, edhe pse disa, një pakicë, nuk aplikojnë si dhe sa duhet ndershmërisht dhe etikisht Betimin e Hipokratit.

 

Por duke përzgjedhur opsionin e Kryeministrit përpara kardiologut, normalisht Sali Berisha qëllimisht ka peshuar përfitimet dhe avantazhet që sjell posti i parë përpara zantit të dytë.

Berisha është një njeri që nuk mund të përzgjedhte dot 125 metrat katrorë te shtëpisë së tij përpara 28 mijë km katrorëve.

 

Ai nuk mund të përzgjidhte kontrollin ndaj stafit të klinikës së tij private përpara mbretërimit në partinë e tij private dhe të sëmurë demokratike si dhe Shqipërisë së bërë me zemër prej tij.  Kjo është në natyrën e sëmundjes së tij.

 

Prej vitesh ka një mit që Berisha dhe njerëzit e tij e përhapin dhe e dirigjojnë për të, si njeri i ndershëm, i papërlyer në afera korruptive, që jeton me djersën e tij dhe kurrë nuk ka futur ndonjëherë gishtin në qypin me mjaltë të Shqipërisë së varfër dhe pa rregulla loje, e ku njerëzit e tij tashmë nga babëzia e kanë sosur mjaltin dhe po lëpijnë për të tillë për inerci, mbetjen në fund të qypit që vetëm me hundë të mbyllura mund ta kapërdish, në rast se nuk je derr.

 

Berisha nuk është njeriu normal shqiptar i 125 metrave katrorë, kur të tjerët poshtë tij nuk dinë sa metra katrorë vila kanë dhe nuk kanë kohë fizike të numërojnë thasët me euro cdo natë.  Nuk po flas për ata biznesmen që rropaten dhe i fitojnë me djersën e ballit, apo edhe duke i shkelur syrin pushetit, por për ata shtetarë rrogëtar dhe zyrtarë të lartë, që edhe kur marrin rryshfete për tenderat dhe licensat që japin, nuk pranojnë kartmonedha poshtë prerjeve 500 euro, prerje tipike të botës së krimit.

 

Berisha nuk mund të shitet më në 2013-ën përpara shqiptarëve, sikur vëndi dhe qeveria e tij e korruptuar dhe e pranuar ndërkombëtarisht si e tillë, po drejtohet nga presidenti më i varfër në botë uruguajani Jose Mujica, me 775 dollarë në muaj, e jo prej tij.

 

Ai nuk mund të pretendoj se ata qi i bëjnë fresk politikisht dhe ata që rrinë si të pandehur dhe me kokën ulur sa herë flet ai nëpër mbledhje qeverie apo partie, janë, krahasuar me tete vjet me pare, më të dhjamosur dhe diabetik, më të veshur e më të kamur, me shtëpi e katandi dhe me llogarira bankare offshore të fshehura në Qipro e gjetkë, me prona e biznese në emër të familjarëve dhe miqve, dhe po ky Berishë llagar, ta shoh nga poshtë për nga pasuria, Fabri Balliun e ndonjë tjetër.

 

Ky Berishë nuk mundet më në 2013-ën, të bind shqiptarët se fëmijët dhe dhëndri i tij, janë më të zgjuarit e brezit të ri të shqiptarëve, dhe të vetmit ata, që ndershmërisht fitojnë cdo tender që duan për vete dhe rrethin e tyre miqësor, po të mos kishte qënë babai firmëtarë që brënda një ose dy sekondave të një firme normale, qarkullon dhe alokon miliona jackpot.

 

Nuk po flas, për shpenzimet e jetës së përditshme, për kostumet, kollaret e aksesorët e tjerë të këtij njeriu, që njerëz të qarkut të ngushtë të tij, thonë se ka shije në veshje, edhe pse i vobekt.

 

Nuk flas për to, se nuk dua të banalizohet po të flas, krahasuar me cfarë realisht ai ka, posedon fshehurazi, në formë pasurish të tundshme dhe të patundshme, nën emra dhe llogari bankare sekrete, apo përqindje biznesesh të operuara nga njerëz të tij, sic flitet nga të afërtit me të, me dorën poshtë hundës nëpër Tiranë.

 

Berisha për tërë korruptimin që i ka mundësuar familjes së tij biologjike dhe politike, dhe vetëm për këtë fakt, është po aq mëkatar, për shkak të tolerimit qoftë dhe pasiv në rastin më të mirë.

 

Për këdo që njeh sadopak politikën dhe funksionimin e shteteve, aq më tepër të atyre të varfër si Shqipëria, një kryeministër idealist dhe i pakorruptuar, sic pretendon Berisha, mund të ngjis dhe mbijetojë politikisht në mënyrë të pastër dhe të ndershme, kur rrethohet nga hijena të parasë dhe pasurimit, aq sa mund të qëndroj në mur një xhelatinë e ngjitur me gozhdë.

 

Zogjtë e të njëjtës pëndë fluturojnë bashkë gjithmonë thonë, por edhe kur bëhen krushqira politike si në qeverisjen e sotme, ato ngjajnë, pa edhe bëhen.

 

Në një këndvështrim më të ftohtë dhe nga larg, do të kishte qënë mire, nëse Berisha do kishte përzgjedh kardiologun përpara kryeministrit. Do kishte qënë mirë për të personalisht dhe familjen e tij biologjike dhe politike, njekohësisht.

 

Mbi të gjitha do kishte qënë më mirë edhe për një vënd të bërë me zemër nga teket politike, ku aritimia demokratike e shkaktuar prej tij, nuk do e conte Shqipërinë drejt "arrestit" të dytë kardiak, nëse nuk ndryshohet ilaci, bashkë me Doktorin "e varfër" të një Shqipërie me njerëz të varfër, por të paktën me një familje të pasur kryeminstrore.

 

You are receiving this email because you subscribed to this feed at blogtrottr.com.

If you no longer wish to receive these emails, you can unsubscribe from this feed, or manage all your subscriptions

0 comments:

Post a Comment