Pages

Wednesday, February 20, 2013

Gazeta Tema: Jo me duar të pastra

Gazeta Tema
Gazete e perditshme shqiptare
Jo me duar të pastra
Feb 20th 2013, 19:27

pres-nishani-prokuroret-Nga Yllka Lamçe

Dje mediat shpërndanë njëtrajtshmërisht lajmin se Presidenti i Republikës i qenka drejtuar prokurorëve duke u thënë të mos presin prej tij që të jenë të pavarur. Se pavarësinë e bëjnë ata me punën e tyre. Një mesazh ky të thuash pak kontroversial, kur mendon aktet normative të kësaj Republike, jurisprudencën kushtetuese dhe sa e sa doktrinë që deri më sot i kanë atribuuar Presidentit një rol kyç në mbarëvajtjen dhe pavarësimin e organeve të drejtësisë, si gjyqtarët e prokurorët.

Në fakt Kushtetuta e ngarkon shprehimisht Presidentin e Republikës me rolin e garantit të këtyre organeve, ashtu siç e ngarkon me rolin e garantit të ligjshmërisë në Republikën e Shqipërisë. Kushtetuta u kërkon qoftë gjyqtarëve e prokurorëve, qoftë Presidentit, qoftë organeve të tjera shtetërore të kujdesen për mbarëvajtjen e pavarësisë së organeve të drejtësisë. Gjyqtarëve e prokurorëve ua kërkon duke sanksionuar se ata duhet t'i përgjigjen vetëm Kushtetutës dhe ligjit. Presidentit ia kërkon duke i lënë në dorë emërimin e gjyqtarëve (me pëlqimin e Kuvendit) dhe prokurorëve, dhe shkarkimin e prokurorëve, në bashkëpunim me Prokurorin e Përgjithshëm. Në dorë të Presidentit Kushtetuta dhe ligjet parashikojnë edhe një sërë mekanizmash për ruajtjen e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë. Kurse organeve të tjera, sidomos organeve me natyrë të pastër politike, si Kuvendi dhe Këshilli i Ministrave, u kërkon të mos ndërhyjnë në kompetencat e organeve të tjera. Të respektojnë ndarjen dhe balancimin e pushteteve dhe pavarësinë e institucioneve. Ua kërkon sidomos organeve politike, meqenëse ato historikisht janë përpjekur të shkelin ligjet, ta gjejnë veten jashtë rregullave normative dhe të kontrollojnë organe të tjera duke ndërhyrë në sferat e tyre të kompetencës e duke ushtruar presion politik.

Historikisht në shumë eksperienca vërdallë dhe historikisht në Shqipërinë post-totalitare, organet politike kanë tentuar të kontrollojnë organet e drejtësisë. Aq më e vërtetë është kjo, kur në një shtet si Shqipëria, organet e drejtësisë duhet të merren me administrimin e krimit e të korrupsionit galopant, në nivel të organizuar shtetëror, e super të denoncuar nga qytetarë, autoritete e subjekte vendase, deri dhe autoritete të huaja perëndimoro-integruese.

Presidentit i janë besuar aq shumë kompetenca garancie për ruajtjen e ligjshmërisë, edhe pse ai është konceptuar si përfaqësues i popullit, i tërësisë së shtetasve të Republikës, të atyre që lexojnë mesazhet e tij, të atyre që qëllohen në ditën për diell në Republikën që ai kryeson, të atyre që ndjekin qëndrimet e tij për drejtësinë e munguar akoma sot e kësaj dite dhe përmasën e frikshme të krimit shtetëror. Sidomos në momente kaq të vështira, prej Presidentit pritet të dalë në anën e shtetasve, atyre që u vranë, e atyre që mund të ishin vrarë. Të pretendojë respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut. Të lirisë për të protestuar, të së drejtës për jetën e shëndetin, të së drejtës për të pasur e për t'u trajtuar me dinjitet në Republikën e Shqipërisë.

Prej Presidentit nuk pritet heshtja shurdhe, anashkalimi i pavëmendshëm dhe as larja e duarve me prokurorët në momente kyçe të veprimtarisë së tyre, në një kohë kur denoncimet për drejtësinë e munguar, për ndërhyrjet në të, për shkeljen e çdo parimi e rregulli të shtetit të së drejtës, janë në rend të ditës. Të paktën që nga Gërdeci i 2008, e nga 21 janari i 2011.

Presidenti ka zgjedhur të lajë duart, megjithëse Kushtetuta i ka besuar një rol të veçantë organit super partes lidhur me organet e drejtësisë e të garancisë, siç janë gjyqtarët dhe prokurorët. Sidomos prokurorët. Në fakt, nëse lidhur me gjyqtarët, Presidenti merr pjesë vetëm në emërimin e tyre (me pëlqimin e Kuvendit), lidhur me prokurorët, duke filluar nga krye prokurori, ai ka në dorë emërimin dhe shkarkimin e tyre. Pasi emëron me pëlqimin e Kuvendit Prokurorin e Përgjithshëm, Presidenti emëron prokurorët me propozimin e këtij të fundit. Është parashikuar pra një pjesëmarrje e dyfishtë e organeve kushtetuese për emërimin e organeve të garancisë, pikërisht për t'u siguruar, që në hapat e krijimit të tyre, pavarësinë e domosdoshme, si premisë e pashkelshme për mirëfunksionimin tyre.

Roli i Presidentit është akoma më i rëndësishëm lidhur me Prokurorin e Përgjithshëm, i cili mund të shkarkohet nga Presidenti, me propozimin e Kuvendit. Kjo formulë kushtetuese u shtjellua nga Gjykata Kushtetuese në vendimin nr. 75 të vitit 2002, duke sqaruar se kështu kërkohej t'i besohej Presidentit filtri i garancisë për Prokurorin e Përgjithshëm, duke i lënë Kuvendit vetëm nismën dhe Presidentit vendimmarrjen, mbi një propozim eventualisht të motivuar politikisht dhe duke shkelur procesin e rregullt ligjor. Një nga arsyet pse Presidenti është pra garant i ligjshmërisë.

Vendimi nr. 75 i 2002, u pasua nga vendimi nr. 76 i të njëjtit vit, lidhur me shkarkimin e bujshëm të Prokurorit të Përgjithshëm Albert Rakipi, në shkelje flagrante nga Kuvendi të çdo rregulli për një proces të rregullt ligjor. Gjykata Kushtetuese e shpalli antikushtetues vendimin për propozimin e shkarkimit të Kuvendit si dhe dekretin e Presidentit që kishte "ratifikuar" propozimin, pa kryer verifikimet e nevojshme lidhur me ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë e shkarkimit. Rasti bëri bujë edhe për mënyrën arrogante se si Kuvendi vendosi të mos e zbatonte vendimin e Gjykatës Kushtetuese, që e detyronte të përsëriste procedurën e shkarkimit, duke garantuar Prokurorin e Përgjithshëm lidhur me të drejtat e mbrojtjes, të njohjes me materialet në ngarkim të tij, etj. Rasti bëri bujë edhe për mësymjen politike që iu bë jo vetëm Prokurorit të Përgjithshëm, që nuk u kthye më në detyrë, por edhe për mënyrën si u vu në diskutim dhe u shkel autoriteti i Gjykatës Kushtetuese, vendimet e të cilës janë të paapelueshme, përfundimtare dhe të detyrueshme për të gjithë.

Megjithatë ai vendim përfaqësoi themelin e domosdoshëm mbi të cilin Gjykata Kushtetuese do të ndërtonte një jurisprudencë të konsoliduar, mbi pavarësinë që duhet të gëzojë Prokuroria dhe Prokurori i Përgjithshëm. Në fakt në 2006-2008 Kuvendi sërish tentoi të propozonte shkarkimin e Prokurorit të Përgjithshëm në detyrë, Theodhori Sollakun, dhe sërish Gjykata Kushtetuese shpalli antikushtetutshmërinë e procedurave të ndjekura nga Kuvendi. Procedura që edhe pas 4 e më shumë vitesh nga precedenti Rakipi, nuk ishin kuptuar si të detyrueshme për organin politik. Me këtë rast, Presidenti i atëhershëm Alfred Moisiu, mbajti një qëndrim shumë korrekt duke mbrojtur Prokurorin e Përgjithshëm, duke mos dekretuar shkarkimin dhe duke rrëzuar propozimin e Kuvendit. Presidenti bëri atë që pritej dhe kërkohej prej tij. I qëndroi në krah organeve të drejtësisë, përfshirë vetë Gjykatën Kushtetuese, përballë sulmit të përhershëm nga organet politike. Presidenti Moisiu materializoi me përpikmëri shkronjën dhe shpirtin e Kushtetutës, duke mos lejuar ndërhyrje arbitrare, jashtë rregullave të shtetit ligjor, në kompetencat dhe veprimtarinë e organeve të drejtësisë.

Kjo do të ishte pritshmëria e ligjshme për rolin e Presidentit, i cili sot gëzon edhe shembujt e suksesit, më shumë se paraardhësit e tij. Që ai të bënte përfaqësuesin e qytetarëve, të bënte garantin me të gjitha mjetet që i janë vënë në dispozicion. Në një vend ku krimi e korrupsioni shtetëror kanë brejtur thelbin e cilësisë së jetës institucionale e qytetare. Një President në krah të drejtësisë, një organ në funksion opozitar, për të balancuar gjitha çka pushteti politik tenton të akaparojë prej shekujsh.

Ligjet e këtij vendi, jurisprudenca kushtetuese autoritare e këtij vendi, ndërgjegjja institucionale e qytetare e ngarkojnë Presidentin me detyrën që ai të bëjë pjesën e tij për të garantuar pavarësinë e prokurorëve. Jo me larje duarsh, kur nevoja për një Prokurori të pavarur denoncohet publikisht nga vendas e të huaj. Jo me duar të pastra. Jo sot.

You are receiving this email because you subscribed to this feed at blogtrottr.com.

If you no longer wish to receive these emails, you can unsubscribe from this feed, or manage all your subscriptions

0 comments:

Post a Comment