Pages

Friday, February 22, 2013

Gazeta Tema: Jemi edhe më të izoluar seç ishim

Gazeta Tema
Gazete e perditshme shqiptare
Jemi edhe më të izoluar seç ishim
Feb 22nd 2013, 19:33

tik kelmendiNga Adriatik Kelmendi

Liberalizim vizash s'do të ketë shpejt, dhënia e vizave Schengen është komplikuar edhe më shumë, Kroacia ka tërhequr vendimin për lehtësi qarkullimi për kosovarët, kurse marrëveshja Tahiri-Stefanoviq për "qarkullim të lirë Kosovë-Serbi" vetëm sa ka vështirësuar lëvizjen. Ne më nuk po ecim disa hapa pas shteteve të rajonit. Ne as nuk po vendnumërojmë. Fatkeqësisht, ne po ecim prapa!

SA HERË QË NGA goja e politikanëve tanë këta 2-3 vjetët e fundit kemi dëgjuar fjalitë se Kosova po fiton lëvizje të lirë dhe liberalizim vizash, fatkeqësisht kjo doli se ka nënkuptuar krejt të kundërtën.

Si rrjedhojë, Kosova, vendi ndoshta më i izoluar në botë, me vetëm 4 shtete, në të cilat mund të udhëtohet pa viza, sot lëre që s'ka shënuar ndonjë progres, por është edhe më e izoluar se më parë.

-A ka ku të shkojë më tepër?! – mund të pyes dikush.

-Ja që paska! – është përgjigjja.

Kosova, pavarësisht deklaratave për konsum ditor të liderëve institucionalë, ka shënuar regres në lëvizjen e lirë.

DUSHI I FTOHTË akull së fundi erdhi nga Komisioni Evropian, që na tregoi se jemi larg, ende shumë larg liberalizimit të vizave, e sidomos – siç u pa! – tepër larg nga 15-muajshi i proklamuar nga kryeministri Thaçi, rreth – hm! – 25 muaj më parë (sic!).

Mirëpo, nuk besoj se dikush që ka dy ide rreth Kosovës të kishte besuar se do të ndodhte ndonjë Schengen i Bardhë në ndonjë "afat rekord". Për më tepër, fjala shumë e përmendur pas secilës kritikë nga Brukseli, fjala "rekord" pra, po gjen njëfarë zbatimi, por në këtë rast vetëm për të matur rekordin kosovar të izolimit.

Kjo po vërehet edhe në praktikë, në kohën kur shtetet e BE-së kanë filluar të ashpërsojnë procedurat për marrjen e vizave Schengen për kosovarët, e assesi të lehtësojnë.

Së fundi, në një rast, ndodhi që një ambasadë e një shteti të BE-së të japë viza me kohëzgjatje prej vetëm një muaji për dhjetë gazetarë, gjë që s'kishte ndodhur më herët. Dhe këtu, pa hyrë fare në çështjen se gazetarët kosovarë nuk gëzojnë në të gjitha ambasadat të drejtën e pajisjes së vizave pa pagesë, ose me pagesë standarde prej 35 eurosh. Për më tepër, ka ambasada që vetëm për pasaportë të Republikës së Kosovës kërkojnë 60 euro pagesë vize, gjë në nuk vlente me dokumentet e udhëtimit të UNMIK-ut. Pavarësisht a merret apo refuzohet aplikimi.

NË ANËN TJETËR, sigurisht se ju kujtohet fare mirë se si ishte trumbetuar si një arritje e madhe ajo që u quajt "lëvizje e lirë" për qytetarët e Kosovës dhe të Serbisë nëpër territoret e njëra-tjetrës nga Tahiri e Stefanoviq. Epo, që nga ajo kohë, kjo lëvizje e lirë është pikërisht një oksimoron, pasi që ajo që u proklamua si liri e lëvizjes, në fakt, vetëm sa ka vështirësuar edhe më tepër atë që ishte.

Qeveria serbe me dredhi ia kishte dalë t'ia shiste delegacionit kosovar si kompromis, diçka që më parë kishte ekzistuar, madje në version më të lehtë. Deri dy-tre muaj para se te fillonte dialogu teknik-(politik) Prishtinë-Beograd, qytetarët e Kosovës kanë pasur mundësi që të hyjnë me vetura në territorin e Serbisë, duke marrë targa të përkohshme dhe duke paguar rreth 30 euro, por vetëm sa për të fituar terren gjatë negociatave kjo praktikë u ndalua. Pastaj, gjatë dialogut u arrit marrëveshja, por thuajse identike me atë që ishte më parë, veçse tash me çmim katër herë më të lartë.

Tash, për të kaluar me veturë nëpër territorin e Serbisë, (gjë të cilën shumë kosovarë e përdorin për të dalë në Evropë, ose anasjelltas), duhet paguar plot 113 euro, plus 7 euro targat e përkohshme për secilën ditë. Kjo ka shkaktuar shumë telashe, sidomos për shqiptarët që jetojnë në Luginë të Preshevës, mërgimtarët, si dhe serbët e Kosovës.

A është kjo vërtet liri e qarkullimit, apo pengim i tij?!

E ndonëse dialogu teknik-(politik) është duke vazhduar në mënyrë bukur diskrete në Bruksel, ende nuk është realizuar premtimi i zonjës Tahiri, se kjo marrëveshje do të rishqyrtohet. Kurse, derisa t'u bjerë në mend palëve vuajtja e qytetarëve që paguajnë për një kalim kufiri gjysmën e pagës mesatare, kjo vetëm sa dendëson izolimin.

THELLIMI I IZOLIMIT javët e fundit ndodhi edhe me tërheqjen e vendimit të Republikës së Kroacisë për të lejuar qarkullimin nëpër territorin e vet për kosovarët me viza Schengen me shumë hyrje.

Vetëm një vit më parë ky vendim ishte reklamuar nga Qeveria, si një hap drejt lëvizjes më të lirë për qytetarët e Kosovës. Mirëpo, ky hap, siç po e shohim sot, jo që nuk bindi ndonjë shtet tjetër të veprojë njësoj, por u kthye mbrapsht edhe nga vetë Zagrebi. Me arsyetimin se ky shtet është duke përshtatur me shpejtësi legjislacionin me BE-në, në prag të bërjes anëtar në mes të këtij viti, u anulua vendimi i mëparshëm.

Dhe, për dallim nga rrahagjoksi i një viti më parë, nuk pamë asnjë anëtar të kabinetit qeveritar të marrë mundin për të sqaruar këtë situatë regresi, e as të kërkojë ndonjë sqarim nga shteti mik.

Tash, si të sqarohet fakti që Qeveria Thaçi mund të jetë unike në botë për nga numri i resorëve që merren me politikën e jashtme dhe ne vetëm sa po shkojmë duke u izoluar?

Ne kemi dy zv.kryeministra për punë të jashtme, Pacollin e Tahirin, kemi ministrin e Jashtëm, Hoxhaj, kemi ministren e Integrimeve, Çitaku, kemi ministrin e Brendshëm, Rexhepi, pa përfshirë këtu kryeministrin Thaçi. Plus presidentja Jahjaga. Dhe nuk ka përparim!

Epo, diçka nuk është në rregull, diçka nuk është në rregull shumë! Pasi që më nuk është se po ecim disa hapa pas shteteve të rajonit.

Ne as nuk po vendnumërojmë.

Fatkeqësisht, ne po ecim prapa!

You are receiving this email because you subscribed to this feed at blogtrottr.com.

If you no longer wish to receive these emails, you can unsubscribe from this feed, or manage all your subscriptions

0 comments:

Post a Comment