Pages

Monday, February 25, 2013

Gazeta Tema: INTERVISTA/ Dule: Poli i tretë është i dobishëm. Censusi, manipulim i rrezikshëm

Gazeta Tema
Gazete e perditshme shqiptare
INTERVISTA/ Dule: Poli i tretë është i dobishëm. Censusi, manipulim i rrezikshëm
Feb 25th 2013, 17:58

VANGJEL-DULE-PBDNJEnde nuk është vendosur mënyra e kandidimit të PBDNJ-së në zgjedhje, por nuk përjashtohet krijimi i Polit të Tretë me LSI-në. Kreu i saj, Vangjel Dule shpjegon arsyet e shkëputjes nga PS-ja dhe jep një përgjigje për thirrjet nacionaliste dhe censusin

Nga Renato Kalemi, Revista KLAN

Ditë pas dite po flitet për një bashkëpunim të mundshëm të PBDNJ-së me LSI-në në zgjedhjet e 23 qershorit. Të dyja këto forca politike mund të jenë katalizatorët e një Polit të Tretë, aq të përfolur sot. Por, kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, pasi pranon domosdoshmërinë e këtij poli në politikën shqiptare, thotë se ende nuk ka asgjë konkrete. "Jemi përgatitur për të gjitha variantet potenciale të kandidimit në zgjedhjet e ardhshme, duke filluar nga kandidimi më vete, e deri me koalicione me një apo më shumë parti", shton ai. Bashkëpunimi me PS-në është shuar përfundimisht, gjithsesi. Nga ana tjetër, Dule jep një koment edhe për thirrjet nacionaliste të ditëve të fundit, si dhe jep qëndrimin e tij lidhur me heqjen e pensionit për minoritarët nga ana e qeverisë greke.

 

- Zoti Dule, cili do të jetë qëndrimi që do të mbajë Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut në zgjedhjet e ardhshme? Pra, po shihni mundësinë e ndonjë koalicioni apo do të dilni të vetëm në garë?

PBDNJ-ja është duke punuar intensivisht mbi platformën e vet elektorale. Në 2 mars do të mblidhet aktivi i partisë, ku do të debatohet për çështje themelore të programit tonë elektoral dhe do të diskutohen strategjia dhe taktikat elektorale. Jemi përgatitur për të gjitha variantet potenciale të kandidimit në zgjedhjet e ardhshme, duke filluar nga kandidimi më vete, e deri më koalicione me një apo më shumë parti. Përvoja e duhur dhe ndjeshmëria e situatës aktuale politike në vend, na detyron të jemi këmbëngulës në aspektet programore të një bashkëpunimi të mundshëm. Nuk jemi shquar, por as do të lejojmë që në zgjedhjet e 2013 të hyjmë në koalicione të karakterit teknik. Qëndrimi përfundimtar që do të mbajmë në lidhje me formën e kandidimit është shumë i rëndësishëm për PBDNJ-në, por edhe për ekuilibrat më të gjera që do të krijohen në vend.

 

- Këto ditë është folur shumë për një bashkëpunim në zgjedhje midis PBDNJ-së dhe LSI-së, si dhe për krijimin e një Poli të Tretë. A do t'i merrni parasysh këto?

Variantet e bashkëpunimeve potenciale janë të shumta. PBDNJ-ja nuk ka pranuar dhe nuk ka arsye as sot, të pranojë bashkëpunime me forca politike të cilat nuk kanë një vizion të qartë europian dhe marrëdhënie korrekte me demokracinë dhe shtetin e së drejtës. Këto janë dy vija të kuqe të cilat nuk mund të shkelen. Lidhur me një pol të mundshëm të tretë, teorikisht do të ishte shumë i dobishëm, jo vetëm për forcat politike që do ta përbënin atë, por edhe për jetën politike në vend. Do të thyente bipolaritetin politik që, për mëse dy dekada, e mban vendin në një stanjacion politik, ekonomik dhe shoqëror; do të thyente polarizimin e tij artificial dhe shterp, që ka frenuar civilizimin e jetës dhe klasës politike. Por, në politikë ekziston gjithmonë një boshllëk midis mundësisë teorike dhe zbatimit praktik. Pra, një nga variantet kryesore të bashkëpunimeve, jo vetëm për PBDNJ-në, por edhe për forca të tjera, do të jetë edhe ai i krijimit të një poli të tretë.

 

- A ekziston mundësia për një bashkëpunim mes PBDNJ-së dhe PDIU-së të z.Idrizi?

Është objektivisht e përjashtuar.

 

- Cilat ishin arsyet që, pas bashkëpunimit në zgjedhjet e vitit 2009 dhe 2011, vendosët të largoheshit nga koalicioni opozitar me PS-në.

Ne nuk jemi larguar nga koalicioni sepse nuk kemi qenë në koalicion. Pas zgjedhjeve të 2009, ne kemi qenë në mënyrë të vazhdueshme një forcë parlamentare opozitare. Aty ku kemi ndarë të njëjtat qëndrime politike me PS-në, kemi bashkërenduar edhe veprimet. Aty ku jemi ndarë, kemi patur qëndrime të ndryshme. Në zgjedhjet e 2011-ës, për pushtetin vendor, ne patëm vetëm marrëveshje të pjesshme me PS-në. Kandidimi i PBDNJ në ato zgjedhje ishte i pavarur dhe pati ato rezultate, që nga çdo këndvështrim ishin pozitive për ne. Në bashkëpunimin me PS-në, i cili kurrsesi nuk ka qenë në një aleancë apo koalicion, sigurisht ne gjejmë edhe momente motivuese për të vijuar edhe në formën e një aleance, sikurse gjejmë edhe ato momente dekurajuese, ku PS-ja ka qenë zhgënjyese, në radhë të parë me qëndrimet e saj ndaj zhvillimeve më të gjera në vend dhe në një aspekt të dytë, ndaj qëndrimit të drejtpërdrejtë për vlerat dhe kontributin e PBDNJ-së. Do të mund t'ju përmendja me dhjetëra raste ku PBDNJ-ja ka mbështetur fuqimisht qëndrimet parimore të PS-së dhe nga ana tjetër, do të ishin shumë të pakta, në mos asnjë, rastet kur PS-ja ka mbështetur PBDNJ-në në çështje parimore, që kanë të bëjnë jo vetëm me filozofinë tonë, por edhe me identitetin europian të vendit dhe të shoqërisë.

 

- Po ju vetë, e keni vendosur se ku do të kandidoni në këto zgjedhje?

Edhe këto detaje janë pjesë e strategjisë dhe taktikave. Në varësi të situatës përfundimtare, pas përcaktimit të mënyrës së kandidimit, do të vendoset se ku do ta bëjnë betejën e tyre individuale elektorale drejtuesit e partisë.

 

- Emra të njohur të politikës, si ministrat Vangjel Tavo dhe Spiro Ksera, kanë një ndikim të madh në zonat minoritare, të cilat janë edhe vatra juaj elektorale. A ju tremb ky fakt, se PBDNJ-ja mund të humbasë vota në këto zona?

PBDNJ-ja, në bashkëpunimin e vet strategjik me Omonian, është forca e parë politike në të gjithë hapësirën ku jetojnë pjesëtarët e minoritetit etnik grek dhe elektorati ynë është i konsoliduar. Votat që mund të kenë marrë personat e sipërpërmendur, në momente dhe ballafaqime të veçanta kanë qenë konjukturale, momentale dhe nuk përbëjnë aspak një burim kërcënimi për PBDNJ-në. Pavarësisht se kanë pasur të gjitha mundësitë abuzive, që ua ka dhënë pushteti, për të përçarë dhe krijuar diversion në radhët e elektoratit minoritar, rezultatet e tyre kanë qenë shumë të varfra.

 

- Javët e muajt e fundit kemi pasur një rritje të retorikës nacionaliste në vend, çka ka bërë sjellë edhe reagimin e disa institucioneve ndërkombëtare. A ju kanë shqetësuar thirrjet nacionaliste?

Sigurisht, jemi shumë të shqetësuar. Jemi një parti e përkushtuar, jo vetëm si çështje filozofie politike, por edhe nevoje praktike, në integrimin europian të Shqipërisë. Është një "sine qua non": nuk mund të kuptohet, të konceptohet zhvillimi i një demokracie funksionale, i një ekonomie konkurruese, i një shoqërie europiane me koherencë sociale, nëse këto shikohen veçmas nga integrimi europian. Si vend jemi vlerësuar vazhdimisht për rolin konstruktiv në shërbim të paqes, bashkëpunimit dhe prosperitetit në rajon dhe kjo ka qenë vlerësimi maksimal që kemi marrë nga partnerët tanë europianë dhe amerikanë. Për herë të parë, në dhjetor të 2012, u dëgjua një kambanë e panjohur në këto anë. Ra në Bruksel dhe u dëgjua në Tiranë. Na u tërhoq vërejtja për nacionalizëm. Është momenti të reflektojmë dhe të mënjanojmë të gjithë këto zëra, ndonëse ekzistenca e tyre nuk është e panatyrshme. Në jetën politike të çdo vendi, e panatyrshme është ajo që bëjnë PD dhe PS, të cilat në mënyrë të paskrupullt publike, demonstrative, flirtojnë me zëra të tillë individualë, por edhe të organizuar në forca politike, për të përfituar një grusht votash, që mund të marrin nga aleanca të tilla, të cilat nuk kanë asnjë lidhje me vizionin strategjik për një Shqipëri europiane.

 

- Pas publikimit të të dhënave të censusit 2011, pati një reagim të menjëhershëm të Kishës Ortodokse, e cila nuk i pranoi ato si të vërteta. A keni një koment mbi këtë çështje?

Censusi 2011 ishte një dështim i paralajmëruar. Me plot gojën, sot mund t'ju them se organizatorët e censusit, në formën që e organizuan atë, janë manipulatorë të vetëdijshëm të realitetit në Shqipëri. Rrjedhimisht, për këtë fakt, janë edhe të rrezikshëm. E theksuam shumë kohë përpara zhvillimit të atij censusi, se Shqipëria kishte dhe ka nevojë për një census i cili do të kontribuojë me produktin e tij dhe mënyrën e zhvillimit sipas parametrave të KE, për zgjidhjen e problemeve ekzistuese dhe jo për krijimin e problemeve të reja. Fatkeqësisht deklaratat tona u provuan se ishin "profetike". Në vend që të zgjidhte problematikën, që kërkohet sot nga KE dhe BE për zgjidhjen e të drejtave për pjesëtarët e minoriteteve etnike, për garantimin e harmonisë fetare e kulturore në vend, censusi shtoi një problematikë të re. Ndaj duhet të jemi të gjithë shumë të vëmendshëm.

Në qershor 2012, raporti i KE e konsideroi të dështuar censusin dhe i bëri thirrje qeverisë që të mos e konsiderojë atë si burimin e vetëm për hartimin e politikave, çka do të thotë: hidheni në koshin e plehrave! Por, në këtë vend, askush nuk guxoi të marrë përsipër përgjegjësinë politike: as ata që propozuan amendimin e kuadrit ligjor për censusin, as PD-ja që i mbështeti me votë në Parlament, por as PS si forcë e opozitës, që heshti duke bërë rolin e Ponc Pilatit. Këto janë çështje madhore për një vend dhe nuk i lejohet askujt të heshtë dhe të fshihet, sepse as njëra dhe as tjetra nuk mund të pranohen. Realitetet europiane janë realitete të bukura, të cilat frymëzojnë këdo për t'i krijuar edhe në ambientin ku jeton vetë si individ dhe shoqëri, por janë edhe realitete që nuk bëjnë në asnjë rast skonto në ato vlera që janë në themel të tyre: respektimi i dallueshmërisë së tjetrit, qoftë në aspektin etnik, qoftë fetar, kulturor apo të natyrave të tjera. Ky është strumbullari i shoqërisë së sotme europiane dhe ne nuk duhet të kemi iluzionin se mund të bëhemi europianë, duke e zhveshur europianizmin tonë pikërisht nga këto vlera. Në një rast të tillë do të ishte një kostum bosh.

 

- Kisha ndërmori një reagim të ashpër edhe ndaj dramës "Shën Mëria e Beratit" me autor Namik Doklen, e cila do të vihej në skenë në teatrin e Korçës. Si e gjykoni atë reagim?

Dramën e z. Dokle nuk e kam lexuar dhe nuk mund të kem një qëndrim individual. Por duke njohur udhëheqjen shpirtërore të Kishës Ortodokse dhe qëndrimin e saj, duke njohur seriozitetin dhe maturinë e tyre, solidarizohem maksimalisht me qëndrimin që ata mbajnë. Çështja e harmonisë fetare është një nga ato vlera që nderojnë vendin tonë dhe qytetarët e tij. E kemi kultivuar për breza të tërë. Askush nuk duhet të tentojë të luajë me këtë.

 

- Para disa ditësh ka pasur një reagim të minoritetit për ndërprerjen e pensionit nga ana e shtetit grek, çka ka bërë që ata të ngrihen në protesta. Si mendoni se duhet zgjidhur kjo çështje?

Greqia është në një periudhë reformash të gjithanshme, si për nga strukturimi i shtetit, ashtu edhe për nga funksionimi i jetës ekonomike. Mbështetja sociale, e cila u ishte dhënë edhe pjesëtarëve të minoritetit etnik grek, të cilët jetojnë pjesërisht në Greqi dhe pjesërisht në Shqipëri, ishte një kontribut shumë i rëndësishëm, si për ata individualisht, ashtu edhe për ekonominë, qoftë në nivel lokal, qoftë më gjerë. Ne kemi qenë në mënyrë sistematike në mbrojtje të këtyre politikave. Ato janë politika sociale, të cilat duhet të vazhdojnë të ushtrohen si në përfitim individual, ashtu edhe komunitar. Kemi qenë në kontakte të vazhdueshme me autoritetet greke, në nivel ekzekutiv dhe parlamentar. Është një debat, i cili nuk është mbyllur ende dhe shpresojmë se do të gjendet mënyra e duhur në kuadër dhe kushtet e reja që po krijohen në Greqi, me qëllim që përfituesit e këtyre politikave të mos privohen nga këto të drejta, të cilat janë domethënëse për ta.

You are receiving this email because you subscribed to this feed at blogtrottr.com.

If you no longer wish to receive these emails, you can unsubscribe from this feed, or manage all your subscriptions

0 comments:

Post a Comment