Pages

Saturday, February 23, 2013

Gazeta Tema: Hoxha ra, enverizmi në pushtet

Gazeta Tema
Gazete e perditshme shqiptare
Hoxha ra, enverizmi në pushtet
Feb 23rd 2013, 19:22

Albania's Prime Minister Berisha attends a debate at the Parliamentary Assembly of the Council of Europe in StrasbourgNga Lorenc Vangjeli

Një sistem politik mund të përmbyset edhe brenda një ditënate. Sistemi ekonomik mund të ndryshojë edhe në disa stinë. Mentaliteti njerëzor, në rastin më të mirë do të paktën dy breza të kthejë fletën. Dy pjesët e para të pohimit, në rastin shqiptar dhe atë të gjithë ish-lindjes komuniste, rezultuan të sakta. Në pjesën e tretë, Shqipëria është sërish një përjashtim  nga rregulli. Në vendet e lindjes komuniste, kryesisht për shkak të rotacionit të shpeshhershëm politik dhe ndryshimit të portreteve të individëve në pushtet, dekomunistizimi i tyre është një proces që ku më pak, ku më shumë, ka përfunduar. Në ligjërimin politik që nga Polonia, Çekia e deri tek Bullgaria e Rumania, komunizmi konsiderohet një kapitull i mbyllur. Jo sepse mungojnë mbartësit dhe votuesit e kësaj psikologjie e ideologjie, jo sepse nuk shfaqen nostalgji të ushqyera nga sharmi dramatik që e shkuara i afron individit – e keqja nis e harrohet shpejt – por sepse e sotmja politike e sociale në këto vende, kushtëzon tejkalimin e tyre. Ekonomia dhe standarti i jetesës së individit është kryefjala e ditës andej përtej. Në Tiranë, fatkeqësisht, statuja hijerëndë e Hoxhës ka 22 vjet që ka rënë, por hija e tij është ende në këmbë dhe ngatërrohet nëpër këmbët e shqiptarëve. Për një dëshmitar të rastit që fotografon një ditë të vetme të ligjërimit politik në vend, kryesisht atë të individit që i jep ngjyrën, tonin dhe drejtimin debatit, Sali Berishës, ngjan se përmbysja e sistmit ka ndodhur dje. Ngjan se të paktën rijetojmë në gjysmën e viteve 90', kur "demokracia" e mbartur ekskluzivisht në portretin e Doktorit është e kërcënuar nga komunistët që synojnë të marrin pushtetin. Por a është vërtet kështu? Dhe si është në të vërtetë? Në dy mandate të njëpasnjëshëm, kryeministri Berisha ka parë se kali antikorrupsion që e solli në pushtet ka humbur të katërt patkonjtë. Për më shumë, nga luftëtar zëgjëmues kundër tij, është shndërruar në mbartës, prodhues dhe mbrojtës i korrupsionit. Me të gjithë anëtarët e kabinetit të tij të përfshirë nga akuza nga më të ndryshmet, me familjen e ngushtë nën akuza të pafundme dhe atë vetë, të konsideruar si mbrojtës të tij, karta e antikorrupsionit dhe mbi të gjitha, me një opozitë të mbetur tetë vjet larg pushtetit që firmos, kjo kartë, po të tundet sërish, në mos tallje e mosbesim, do të prodhojë vetëm gishta të djegur.

Nacionalizmi ekstrem, zjarri që merr shpejt, por prodhon vetëm tym e probleme, është eksperimenti tjetër i Doktorit. Kjo është një lojë me zjarrin në një rajon që nuk i ndahet zjarrit dhe me të gjitha gjasat, rrezikon të djegë vetë zjarrvënësin. Ekuilibrat ende të brishtë nuk lejojnë që investimi euroatlantik për paqe në rajon të kërcënohet nga loja cinike për vota. Edhe pse kriza ekonomike dhe ajo sociale në përgjithësi në të gjithë rajonin, është një mjedis ideal për spekulantët politikë. Dhe në këtë fushë të tijën, spekulimin, Berisha megjithatë gjendet matanë një muri me derë të mbyllur. Edhe nëse dera hapet për ndonjë çast, do të hapet vetëm për t'i zënë atij vetë kokën. Siç po e paralajmërojnë nga Uashingtoni e Brukseli. Siç do ta paralajmërojnë sërish.

Kriza ekonomike i ka kufizuar në maksimum Berishës edhe berihajn e tij të pafundmë për lumturi e prosperitet në vend. Të gjitha përbetimet e tij për rritje ekonomike, për rritje pagash e pensionesh, në fund të fundit, në fund të ditës, tek votuesi i thjeshtë përkthehen në një matës të vetëm: është shtuar apo jo pjata e supës në tryezë, janë të mjaftueshme paratë që duhen paguar për ushqim, arsimim, ilaçe e pagesën e faturave të energjisë dhe taksave.

Ndaj Doktori i është rikthyer këto ditë temës së antikomunizmit. Jo se ai problem ekziston, por sepse nuk ka me çfarë merret tjetër në këtë epilog mandati të lodhur, të dërmuar dhe pa ide. Dhe në këtë rast, ekstremet puthen. Sa më antikomunist të dëshmojë veten Doktori, aq më shumë ai po rikthehet në identitetin e tij të hershëm prej komunisti ortodoks të rritur nën hijen e statujës së gjallë të Enverit dhe të jetuar nën ëndrrën për t'i matur me hijen ende të gjallë të diktatorit komunist. Mjafton të shihet mënyra sesi drejton qeverinë dhe si i jep tonin gjithë jetës së vendit. Eshtë mënyra tipike komuniste e djeshme, madje edhe më shumë e ekzagjeruar. Ndryshimi i vetëm me atë kohë është ekzistenca e tregut të lirë dhe lirisë, qoftë edhe të deformuar të fjalës dhe të besimit. Kush nuk beson tek ngjyra blu e Doktorit e ka të pamundur të punësohet në administratë apo dhe institucionet kushtetuese apo e ka të vështirë të bëjë biznes. Sepse tashmë në Shqipëri është konsoliduar diktatura direkte e shumicës së votës në Kuvend dhe pjesa e tjetër e qytetarëve që mbështet pakicën e tij, ndjehet e diskriminuar. Ndodh kështu sepse i tillë është mentaliteti që nuk ka ndryshuar. Dhe dekomunistizimi i vendit, nuk mund të bëhet nga një komunist sot e gjithë ditën si vetë Doktori. Që po e hap këtë kapitull sërish nga halli për një grusht votash më shumë. Që edhe kur ngrinte statujën e Ahmet Zogut nën nëntor, shpresonte në të vërtetë për një grusht bronz nga shqiptarët për statujën e tij. Qoftë dhe nga bronzi i mbetur nga Enveri.

*JAVA

You are receiving this email because you subscribed to this feed at blogtrottr.com.

If you no longer wish to receive these emails, you can unsubscribe from this feed, or manage all your subscriptions

0 comments:

Post a Comment