Pages

Friday, February 22, 2013

Gazeta Tema: Flamuri dështon në negociatat për eshtrat e Shemshedin Samiut

Gazeta Tema
Gazete e perditshme shqiptare
Flamuri dështon në negociatat për eshtrat e Shemshedin Samiut
Feb 22nd 2013, 18:29

Në planin e punës për fushatën elektorale, Flamuri kishte shënuar mes të tjerash dhe dy objektiva për Qarkun e Gjirokastrës.

E para, ishte kthimi i kokës së Ali Pashë Tepelenës, e dyta kthimi i eshtrave të Sami Frashërit.

Për kokën e Ali Pashë Tepelenës nuk u bë problem dhe Turqia nuk tha as po, as jo. Por Flamuri u çudit shumë nga lajmi se Ministri i Jashtëm turk Ahmet Davutoglu, nuk na lejoka të marrim eshtrat e Sami Frashërit nga Stambolli.

Sapo mësoi lajmin, Flamuri mendoi se do ishte me siguri ndonjë djallëzi e socialistëve. -Ata duan që të fitojnë 4 me 1 në Gjirokastër, tha Flamuri, dhe kanë sabotuar kthimin e eshtrave të Sami Frashërit.

I vendosur t'i shkonte deri në fund objektivit të Doktorit, vendosi të thërras ambasadorin turk në një bisedë miqësore dhe t'i shpjegonte hallin.

Sekretarja i la takim për në pasdite dhe ambasadori shkoi në takim me Flamurin gjithë qejf.

-Tani ne jemi si vëllezër, i tha Flamuri, dhe duhet të më mirëkuptosh për këto që po të them.

-Ishallah, ishallah, tha ambasadori i qeshur.

-Ai Burri, d.m.th kryeministri ynë, i do patjetër dhe eshtrat e Sami Frashërit, dhe kokën e Ali Pashës.

-Marshallah, marshallah, tha ambasadori. Patjetër, kokën e sojsëzit Ali ua sjellim menjëherë. E kemi në një varr masiv aty, po s'ka problem, marrim një kokë dhe u sjellim meqë iu duhet për fushatë. Trupin e Shemshedin Sami, nuk ua japim dot.

-Na duhet patjetër, i tha Flamuri. Jemi shumë keq në Qarkun e Gjirokastrës. Tepelenën duam ta gënjejmë me këtë kokën, kurse Përmetin me eshtrat e Samiut, kurse Gjirokastrën me trupin e Vasiliqisë. Për atë s'ka problem se gjejmë një palë eshtra se ka qenë jetime nuk bën njeri sherr.

-Nuk mundemi, i tha ambasadori. Ministri ynë i jashtëm Davutoglu ka thënë se kjo është njësoj sikur të japim dhe eshtrat e Mehmet Akif Ersoyt.

-Po ç'është ky se e dëgjova dhe unë, tha Flamuri.

-Ky është poet kombëtar i Turqisë, tha ambasadori, autor i himnit kombëtar, por është me origjinë nga Shushica e Pejës, nga një familje intelektuale.

-Aha, jo, jo, këtë po deshët jepjani Ramush Haradinajt se ai e ka Pejën, i tha Flamuri. Ne na duhet ky Samiu. Paskan qenë tre vëllezër këta, dy i paskemi këtu, njëri nuk është.

-Po ç'e doni i tha ambasadori, se tek varret e dy vëllezërve do bëjë Lul Basha pallate tek Liqeni. Pse ia prishni qetësinë, është mirë në Stamboll? Ka punuar shumë për Turqinë, ka bërë enciklopedinë e historisë dhe gjeografisë, ka bërë fjalorin osmanisht- frëngjisht, e kemi njeriun më të madh të kulturës. Për ju s'ka bërë ndonjë gjë.

-Po ku dinë gjë fshatarët tanë ç'ka bërë, boll të thonë që e ka sjellë Doktori, tha Flamuri.

-Më vjen keq, i tha ambasadori, po familja e tij ka shumë emër në Stamboll. Djali ka themeluar ekipin e Gallatasarit, stadiumin, Stambolli mburret me ta. S'u hyn në punë ju ai.

-Shiko, ne na duhet patjetër, i tha Flamuri. A na e sillni vetëm për fushatë dhe merreni prapë? Siç morëm armët e Skënderbeut për 100 vjetorin nga Vjena.

-Allah, allah, tha ambasadori. Si ta shkulim të vdekurin nga varri vetëm për 45 ditë e ta kthejmë prapë?

-Na duhet patjetër, i tha Flamuri. Nuk kemi ça u premtojmë për fushatë atje. Na thoni çfarë u duhet dhe ua japim, vetëm na e sillni. Doktori dyshon se kanë ndërhyrë këta socialistët se këta janë në shumicë kaurë dhe nuk duan të vijnë këto figurat myslimane në Shqipëri.

-Allah, allah, larg qoftë, tha ambasadori. Nuk është e vërtetë. Ne nuk e japim se e kemi tonin. Po meqë po këmbëngulni, po i shkruaj qeverisë. Por kam frikë se nuk bëjnë pazar me figurat tona historike.

-Të lutem shumë, i tha Flamuri, se e kemi betejë për jetë a vdekje. U dhamë metalurgjikun, hidrocentralet, telekomin, bankën, celularin…, po deshët u japim dhe Edit Harxhin meqë ka burrin turk. Na thoni çfarë doni tjetër vetëm na sillni Samiun?

Të nesërmen ambasadori i ktheu përgjigje.

-I thashë qeverisë sime se Doktori na ka dhënë çfarë i kemi kërkuar, banka, telekom, celularë, metalurgji, hidrocentrale, rrugë kombëtare, ndaj duhet t'ua japim Samiun. Përgjigja është e prerë: Më lehtë është të na japin dhe ato që kanë mbetur dhe të jemi një shtet, kështu është dhe më i qetë dhe i sigurt Samiu.

-Po na duhet për fushatë, këmbënguli Flamuri, se duhet të fitojmë patjetër.

-Atëherë ka vetëm një shans, i tha ambasadori. Na sillni Saliun për fushatë ta fshehim në Stamboll, hapni fjalë që ka ikur, merrni mandatin, pastaj ua sjellim prapë.

You are receiving this email because you subscribed to this feed at blogtrottr.com.

If you no longer wish to receive these emails, you can unsubscribe from this feed, or manage all your subscriptions

0 comments:

Post a Comment