Pages

Sunday, February 24, 2013

Gazeta Tema: Berisha, njeriu dhe natyra.

Gazeta Tema
Gazete e perditshme shqiptare
Berisha, njeriu dhe natyra.
Feb 24th 2013, 17:44

Besnik Baraj

besnik_baraj

Kushdo që ka ndjekur parlamentin Shqiptar, me siguri ka dalë mjaft i zhgënjyer nga mënyra e komunikimit në atë sallë. Për shumë vite do mbahet mend fraza e egër, primitive e Berishës " Ta bëj fytyrën si këpuca", apo shtesa e Topallit " Kapeni për zhelesh e qiteni jashtë".  Të krijohet përshtypja se nuk je në Parlamentin Shqiptar, por në një nga kazinotë e shumta që kanë mbirë si këpurdha në Tiranë. Psikologët, mjekët psikiatër me siguri kanë argumentet e tyre për këtë mënyrë sjellje. Por ka dhe një këndvështrim tjetër. Një nobelist gjerman thotë se ka një korrelacion të ngushtë midis agresivitetit të njeriut dhe qëndrimit që mban ai ndaj natyrës. Albert Schweitzer thotë se, kur njeriu nuk respekton natyrën, qeniet e thjeshta të saj, qofshin bimë apo kafshë, atëherë ai shfaqet shumë agresiv ndaj qenies të ngjashme me vetveten, njeriun. Po ti hedhim një sy politikës së Berishës në këto 8 vjet qeverisje, do të vëmë re se ka një agresivitet të jashtëzakonshëm ndaj natyrës. Janë tejshkatërruar shtretërit e lumenjve, është maksimizuar betonimi i bregdetit, pyjet janë prerë si asnjëherë, ku vazhdon eksporti i drurëve dhe qymyrit të drurit. Shpendët po zhduken, për shkak të gjuetisë mjaft agresive. Po vihet dorë mbi monumentet e natyrës, kanione apo parqe kombëtare, për të bërë gjoja hidrocentrale dhe ferma me mullinj për prodhim energjie. Jemi unikal ne Evropë në dëmtimin e natyrës.

Në  programin e qeverisjes së Berishës në 2005, prioritetet e tij qëndronin mjaft mirë në letër. Po le të shohim disa momente për të kuptuar fiktivitetin e tyre, faktin se ky njeri prej 22 vjetësh shet gënjeshtrën tek shqiptarët.

Premtoi se do të mirëmenaxhonte mbetjet urbane, por ai ligjëroi importin e plehrave dhe nuk arriti të verë në funksionim qoftë edhe një landfill të vetëm. Ai me miratimin e këtij ligji ka hequr mundësinë e dhënies  prioritet riciklimit të mbetjeve të vendit. Premtoi  mbrojtjen dhe zhvillimin e parqeve kombëtare, kur një nga perlat e natyrës Shqiptare, Lura, ka pësuar një degradim të mëtejshëm dhe nga zjarret u dëmtuan dhe shumë të tjerë, përfshirë dhe parkun e Dajtit, pak km nga zyra e tij. Premtoi se do ruheshin lumenjtë. Në këto 8 vjet lumenjtë kanë parë masakrën më të rëndë në historinë e tranzicionit. Shihni Erzenin, ku klientët e Berishës vazhdojnë të jenë të zhytur në shfrytëzimin e tij! Foli për rehabilitim të pyjeve, por  barbaria është thelluar. Mediat denoncojnë me pamje të qarta nga Qarku Korçës etj, masakrën në  pyje. Eksporti i lëndës drusore dhe qymyrit të drurit lulëzon. Është ironike të kujtohet se Jakomoni në 1939 e ndaloi këtë eksport edhe pse kishte shumë më tepër pyje atëherë.  Premtoi se do ndalohesh shfrytëzimi i terreneve me erozion të lartë, kur në fakt i tërë territori Shqiptar ka erozionin më të lartë në Evropë, 20 deri 40 ton / ha në vit. Do mjaftonin  vetëm 20 ton në vit për të humbur një tokë pjellorinë, pas 20 vjetësh, me 50%. Foli për përgjysmim të ndotjeve të ajrit në zonat urbane, në një kohë që s'ka marrë asnjë masë për shtimin e rrugëve pedonale, përmirësimin e cilësisë së karburantit, shtimit të zonave të gjelbra apo përmirësimin e transportit publik. Përkundrazi makinat janë shtuar dhe natyrshëm ndotja me benzen, toluen,  oksidet e azotit apo squfurit është rritur. Kjo vihet re në qytetet e mëdha urbane. Ca me keq me planin e ri për Tiranën, ku masakra ndaj parqeve është evidente dhe ato rrugë pedonale të planifikuara tashmë janë hequr si të tilla nga Lulzim Basha. Foli për trajtim të ujërave të zeza në të gjithë zonën bregdetare, kur sot,  jo pas 4 vjetësh nga 2005, por pas 8 vitesh, nuk kemi as edhe një qytet që të bëjë trajtim kimik dhe biokimik të ujërave të zeza. Foli për trajtimin me prioritet të vatrave të nxehta, që janë burim kontaminimi e rrezik për jetën e njerëzve, kur në fakt nga 39 vatra janë trajtuar vetëm 4 dhe të gjitha me donacione ndërkombëtare, një pjesë të nisura para se ai të vinte në pushtet. Mund të vazhdoja më tej me objektivat e tij në 4 vjeçarin e parë, por nuk e vlen, tashmë atë e njohin të gjithë shqiptarët. Berisha i ngjan një prestixhatori që luan prej 23 vjetësh në skenat e historisë shqiptare, duke sjellë jo vetëm zhgënjim por shpesh edhe dramë dhe tragjedira.  Jemi të vonuar në largimin e tij. Duket, nobelistit i  famshëm, ka të drejtë në gjykimin e tij se ka lidhje me profilin e Berishës si gjenerator konfliktesh dhe agresiviteti ndaj shqiptarëve dhe qëndrimit që ka mbajtur ndaj natyrës në politikat e tij.

ligji jakomonit

Është detyrim i PS që të realizojë shpresën e shqiptarëve dhe të vendosë zhvillimin e vendit në shtratin normal, si nga pikëpamja e nivelit të demokracisë, por edhe të zhvillimit të sektorëve të ndryshëm, përfshirë dhe atë të mjedisit. Në vizionin tonë mjedisi është ekonomi, shëndet, drejtësi,  turizëm dhe punësim. Synojmë që shfrytëzimin e burimeve natyrore t'a kryejmë në mënyrë të qëndrueshme, duke u trashëguar  brezave burime natyrore të shëndetshme e të shfrytëzueshme. Ne kemi mjaft intelektualë në ekipet tona, ekspertë me formim të shëndoshë në këtë fushë, garanci për të realizuar një program realisht bashkëkohor. Komponentja mjedisore do jetë realisht përcaktuese në planet ekonomike e zhvillimore të territorit. Do të ndalohet importi i plehrave, duke i dhënë prioritet riciklimit të atyre të prodhuar në vend. Do të ndalohet eksporti i lëndës drusore dhe qymyrit të drurit. Ne do fuqizojmë kapacitetet dhe infrastrukturën e monitorimit dhe profesionalizmi do jetë kriteri për ndërtimin e administratës.

Me frymën e re do të krijojmë një harmoni për të mbrojtur e zhvilluar burimet natyrore dhe njeriun, e për pasojë shfaqjet agresive e të dhunshme të tipit "ta bëj fytyrën si këpuca", apo "kape për zhelesh e qite jashtë" do i përkasin historisë.

 

 

You are receiving this email because you subscribed to this feed at blogtrottr.com.

If you no longer wish to receive these emails, you can unsubscribe from this feed, or manage all your subscriptions

0 comments:

Post a Comment