Pages

Wednesday, February 20, 2013

Gazeta Tema: Berisha – Arvizu, një marrëdhënie e thyer

Gazeta Tema
Gazete e perditshme shqiptare
Berisha – Arvizu, një marrëdhënie e thyer
Feb 20th 2013, 18:27

arvizu-berisha156_0Ka krisje në marrëdhëniet mes kryeministrit dhe ambasadorit amerikan. Kritikat amerikane kanë nisur me kuturisjet tallava të nacionalizmit të vonë të kryeministrit Berisha, me vendimin tronditës për pafajësi të gardistëve që vranë në 21 Janar dhe me sfond zgjedhjet. Me zgjedhjet lokale që u mbajtën në 2011-ën dhe ato që do të mbahen në qershor 2013. Tirana nis sulmin ndaj ambasadorit Arvizu në Uashington. Në lojë kanë hyrë lobistët e paguar nga qeveria

Nga Lorenc Vangjeli, JAVA

 

 

Marrëdhënia Berisha – Arvizu tashmë është një fotografi e grisur. Të paktën që nga dhjetori i vitit të kaluar duke nisur me shpërthimet e papritura të nacionalizmit tallava të Doktorit dhe duke vazhduar me vendimin për gjyqin e 21 Janarit, perceptimi publik për "korrektësi e ngrohtësi dy palëshe", ngjan një histori e të shkuarës. Sepse ngjan që sot po përsëritet një histori e ndodhur shumë herë: marrëdhëniet problematike të Doktor Berishës me të gjithë ambasadorët amerikanë në Tiranë. Duket qartë se çfarë nis si dashuri, përfundon me urrejtje. Të paktën në plan personal. I fundit në rradhë, ambasadori Arvizu, i cili duket se ka rradhën. Ai po shkel pothuaj në të njëjtat gjurmë si paraardhësi i tij, ambasadori Uidhers. Shumë i afërt me Berishën në nisjen e mandatit të tij dhe jashtëzakonisht kritik në fund të tij duke nisur që me marsin 2008 kur u hodh në erë Gërdeci.

 

Ku lind problemi?

Nëse do të duhet të gjendej një e përbashkët e vetme në të gjitha veprimet politike të kryeministrit Berisha në këto 20 vjetët e fundit, padyshim një prej tyre do t'i përfshinte të gjitha: burri nopran i politikës krijon vazhdimisht probleme dhe pastaj afrohet si pjesë e zgjidhjes së problemit. Një teknologji perfekte kjo që po aq sa i ka shërbyer atij vetë personalisht, po aq ka krijuar kriza ciklike të të gjitha llojeve, tensione, kohëhumbje e telashe të përgjithshme. Nga kjo aksiomë që ka marrë zvarrë politikën lokale shqiptare në dy dekada, nuk ka mbetur i paprekur edhe boshti strategjik i aleancës së Tiranës me Uashingtonin. A ka një krizë ende të pashfaqur mes dy vendeve? Një gjë e tillë nuk mund të thuhet. Por a ka krisje dhe krizë në marrëdhënien e personalizuar mes Sali Berishës dhe ambasadorit amerikan Arvizu? Kjo është diçka që duhet analizuar dhe duhet pritur të ndodhë. Duke njohur natyrën e Berishës, një gjë e tillë do të ndodhë. Eshtë thjesht dhe vetëm çështje kohe. Analiza mund të kryhet fillimisht duke parë të shkuarën e tyre, në mënyrë që ajo të projektohet në të ardhmen së paku të afërt për ta parashikuar atë. Po kështu, duhet parë në vijimësi mënyra sesi Berisha ka trajtuar dhe është trajtuar nga përfaqësuesit diplomatikë më të lartë të Uashingtonit në Tiranë.

 

Fillimi, 21 Janari

Për fat diplomatik apo për fatalitet personal, nisja e mandatit të ambasadorit Arvizu ndodhi në momentin kur marrëdhëniet e kryeministrit me selinë në rrugën e Elbasanit kishin shënuar pikën më të ulët. Sapo ishte larguar ambasadori Uidhers, që me kritikat e tij ndaj qeverisjes dhe mënyrës së drejtimit të shtetit shqiptar, kishte dëshmuar një ndjeshmëri gati-gati opozitare. Por jehona e kritikave të tij kishte një jehonë shumë më të gjera se gjithçka thoshte në të njëjtën formë, përmbajtje dhe plot dëshpërim edhe vetë opozita shqiptare dhe media opozitare. Ambasadori Uidhers u bë kokëçarja kryesore e Doktor Berishës dhe, qoftë edhe për këtë arsye, ambasadorit Arvizu, i duhej të rikuperonte çfarë kishte kaluar nën kufirin e ngrirjes. Por në fare pak ditë të qëndrimit të tij në Tiranë, ndodhi tragjedia e 21 Janarit. Deklarata që ende i kujtohet ambasadorit amerikan – shumë herë edhe padrejtësisht, ndonëse e shpjeguar pafundësisht prej tij – ishte ajo që e konsideronte Berishën "burrë shteti". Në një shoqëri si shoqëria shqiptare ku nuancat kanë pak vend, ku palët kërkojnë me domosdo që gjithkush të jetë palë, kjo deklaratë u lexua në dy mënyra: qeveria që e duartrokiti komplimentin dhe opozita që u ndje e lemerisur. Në një kuptim, të gjitha palët kishin të drejtë në perceptimin e tyre; qeveria që duket se mori një konfirmim për çfarë bëri në të Premten e Zeze të Janarit, opozita sepse u ndje e tradhëtuar nga ajo pjesë e përtej Atlantikut që e konsideronte si aleat në luftën për demokraci në vend. E vërteta e tretë ishte ajo e vetë ambasadorit. Me një kompliment të tillë të lëshuar përpara kamerave, ai morri garancinë se pozita e eksituar dhe e gatshme të tensiononte deri në ekstrem situatën, do të qëndronte ende në llogore. Por jo me armë, me deklarata. E parë nga sot, ajo shprehje e dy vjetëve më parë, dëshmon sërish se për hir të stabilitetit të vendit, që në mënyrë absurde atëherë kërcënohej nga vetë pozita, dha një frut pozitiv megjithë shijen e keqe që la. Ambasadori Arvizu atëherë dha sinjalin që në ato ditë të çmendura ngjante futurist: të hetohen organizatorët, dhunuesit e policisë dhe vrasësit e demonstruesve. Edhe pse një gjë e tillë, ishte direkt çfarë urdhëronte të bëhej domosdoshmërisht nga Kodi Penal. Njëkohësisht, ai mbështeti publikisht policinë, por shënjoi një vijë të kuqe edhe në oborrin e dhunuar të Prokurorisë së Përgjithshme dhe përcolli në Uashington kërkesën bipartizane, të prokurorisë dhe qeverisë shqiptare, për ndihmë nga FBI-ja në hetimin e çështjes. Dhe kur dukej se hetimi do të nxirrte përgjegjësit, ndërsa ujërat rridhnin dhe qetësoheshin në det, vendimi i fundit i gjykatës së Tiranës, derdhi pikën e fundit të helmit në një kupë që kishte nisur të mbushej. "Jemi të tronditur nga vendimi i Gjykatës së Rrethit Tiranë për të shpallur të pafajshëm dy të pandehur që u gjykuan për akuza në lidhje me vdekjen e tre protestuesve më 21 janar 2011…  Fatkeqësisht, verdikti i sotëm ka minuar besimin në aftësinë dhe gatishmërinë e sistemit gjyqësor shqiptar për të dhënë drejtësi në mënyrë të paanshme dhe transparente", kjo ishte deklarata tronditëse e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara menjëherë mbas vendimit të një tresheje gjykatësish shqiptarë, njëri nga të cilët, adhurues i makinave të shtrenjta amerikane.

Në Tiranë u diskutua gjatë për këtë deklaratë. Ideja se ajo ishte "një shpërthim personal dhe emocional i ambasadorit", e infiltruar nga zyrat e qeverisë dhe e shumëfishuar me mjete e saj, rrëzohet edhe për një detaj të vetëm: sistemi i drejtësisë, një nga fushat ku "eksporti" amerikan drejt Shqipërisë ka qenë nga më të ndjeshmit, është realisht një vijë e kuqe ku ata nuk lejojnë kapërcim. Shtohet këtu edhe tallja e hapur e llojit: Kalova lumin…, me ekspertizën e FBI-së, do të ishte e mjaftë për të mos i dhënë përmasë personale asaj çfarë doli nga muret e ambasadës. Ka edhe më shumë: deklarata përpara se të bëhej publike, kishte marrë miratim nga Departamenti amerikan i Shtetit.

 

Nuk kishte nisur këtu, nacionalizmi tallava

Pak për foklorizëm dhe shumë për efekt elektoral për shkak të fushatës që po afron, në fund të vitit të kaluar, kryeministri Berisha, pati një shpërthim tallava të nacionalizmit. E vetmja pikë e fortë që Shqipëria afronte në rajon, rolin përgjithësisht të moderuar dhe zbutës sidomos për faktorin shqiptar të shpërndarë në dy shtete sovranë dhe pakicë në tre të tjerë, befas u ndje e kërcënuar. Prej vitesh, për të gjithë ata që kanë dilema për mbijetesën politike të Berishës në politikë, ato mund të shuhen nëse llogaritet një detaj i vetëm. Për shumë e shumë rrethana, Berisha vazhdon të konsiderohet si shqiptari më me ndikim në publikun kosovar e shqiptar të Maqedonisë. "Berisha, kryeministri i gjithë shqiptarëve", hapej një e përditshme pranë kryeministrit në nëntor të vitit të kaluar. Me këtë ngarkesë, Berisha e di mirë se për hir të llogarive më të gjera që prekin rajonin, atij mund t'i falen lehtësisht mëkatet lokale në Tiranë. Por pikërisht këtu, Berisha ripërdori formulën e tij të suksesit, formulën e krijimit të problemeve dhe afrimin e tij më pas, si pjesë e zgjidhjes së tyre. Shqetësimi që ai krijoi nga Athina e Shkupi e deri në Beograd dhe kërcënimi i balancave të brishta në rajon, solli dhe reagimin e amerikanëve. Sa për të përmendur një nga ta: .

"SHBA ka vënë re rritje të pavend në retorikën nacionaliste në vend… Kohët e fundit aktorë të ndryshëm politikë kanë tentuar të përdorin etnicitetin për qëllime të ndryshme politike. Tensionet etnike, nëse zgjidhen, janë të pamundura për tu kontrolluar, personat të përmbahen nga ndezja e ndjenjave etnike si brenda dhe jashtë Shqipërisë. …Theksoj se SHBA nuk mbështesin ndryshimin e kufijve në rajon. Çdo përpjekje për ta bërë këtë është destabilizuese", do të thoshte hapur ambasadori Arvizu, një deklarim që do të kishte të njëjtën jehonë në formë dhe përmbajtje edhe direkt nga Uashingtoni. "Nuk jam këtu të komentoj deklaratat e ambasadorëve, por deklaratat e mia janë një ripërsëritje e qendrimeve të mia, absolutisht", përgjigjej me heshtje Berisha duke harruar që edhe në këtë rast, qëndrimi i ambasadorit Arvizu dhe ai i Departamentit të Shtetit ishin identike. Thjesht kërkoi ta zbresë diskutimin tek një partner i vetëm përballë: selia e rrugës së Elbasanit. "Pikëpamjet e qeverisë së SHBA mbi retorikën nacionaliste janë të mirënjohura. Qeveria e SHBA nxit qeverinë shqiptare dhe të gjithë udhëheqësit politikë shqiptarë të vazhdojnë të jenë promovues të moderimit dhe dialogut dhe të jenë zëra të qetë e të arsyeshëm për stabilitetin rajonal", deklaronte sërish ambasada amerikane. Një qëndrim identik me atë që Departamenti amerikan i Shtetit ka përcjellë në mënyrë konfidenciale në janar të këtij viti në Tiranë.

 

Çfarë po ndodh?

Historia përsëritet. Kësaj here me të njëjtin personazh në një krah të balancës, zotin Berisha dhe me ambasadorin Arvizu nga ana tjetër. Ka një komunikim intesiv, por konfidencial mes Tiranës zyrtare dhe Uashingtonit. Me ndërmjetës. Me kompanitë e lobimit Patton Boggs dhe Podesta. Me kompaninë e parë, në muajin e kaluar qeveria shqiptare firmosi një kontratë për përmirësim imazhi me vlerë 800 mijë dollarë, me të dytën, me po të njëjtin qëllim, është firmosur një kontratë bashkëpunimi me vlerë 720 mijë dollarë. Ekzistojnë të gjitha shanset, që pikërisht këto dy kompani, kanë nisur të trokasin në Uashington, në Departamentin e Shtetit, në emër dhe për llogari personale të zotit Berisha. Arsyeja? Edhe kjo mund të hamendësohet, por që me të gjitha gjasat është një hamendësim i saktë: kundërshti për qëndrimet e fundit të ambasadorit Arvizu në Tiranë. Një përpjekje për t'i konsideruar qëndrimet e tij të fundit ndaj qeverisë Berisha si "personale dhe emocionale".

Për momentin dihen pak elementë që në publik kanë shfaqur vetëm anën e dukshme: deklarimet publike. Nëntekstet e tjera ende janë të fshehur. Por jo fakti që në me një përqasje gati-gati fatale, fati i ambasadorit Arvizu po i ngjan vitit të fundit të mandatit të paraardhësit të tij, ambasadorit Uidhers. Së paku duke nisur nga viti 2010, në adresë të departamentit të shtetit, nga Shqipëria janë nisur një sërë letrash që ankimoheshin për sjelljen e Uidhersit në Tiranë. Ankesat përfshinin kritika për kritikat direkte dhe publike të tij për një sërë çështjesh, që nisnin që nga emërimet në sistemin e drejtësisë, qëndrimet për krizën politike në Tiranë dhe deri tek tentativat për uzurpimin e institucioneve nga një dorë e vetme. Nisur nga liria relative e veprimit dhe qëndrimeve që ndryshe nga ambasadorët e vendeve të tjerë, kanë ambasadorët amerikanë kudo në botë, qëndrimet e zotit Uidhers konsideroheshin emocionale dhe personale. Quheshin të tillë në një përpjekje për të krijuar një vijë ndarëse mes tyre dhe qëndrimit zyrtar të Departamentit të Shtetit. Në rastin e ambasadorit Uidhers, së paku një herë, në 27 maj 2010, Uashingtoni reagoi po zyrtarisht me një letër drejtuar ish-ministrit të jashtëm Meta: nuk duhet prekur integriteti i titullarëve amerikanë në Tiranë dhe nuk ekzistojnë diferenca mes pozicionit të tyre politik e diplomatik dhe atij të linjës zyrtare amerikane për Shqipërinë.

E njëjta gjë po ndodh me ambasadorin Arvizu. Letra plot ankesë ndaj tij kanë ditë që janë nisur drejt Uashingtonit. Kësaj here me ndërmjetësinë e lobuesve të paguar nga qeveria shqiptare. Si do të jetë finalja? Kjo mbetet ende të shihet.

Së fundmi, por jo në fund, çfarë e bën të pashmangshme përplasjen mes dy burrave të fortë në Tiranë, njërit që firmos për gjithçka dhe tjetri që perceptohet publikisht se vulos për gjithçka si arbitër, është dhe problemi i zgjedhjeve. Në maj, në zgjedhjet lokale, mëngëve të përveshura të këmishës së ambasadorit Arvizu në procesin e numërimit, ju vesh xhaketa mbrapsht nga rrobaqepësi Ristani dhe Tom & Sashenka. Mjaftueshëm që dhe ai vetë të kuptonte se zyrtarisht në Shqipëri nuk ka rëndësi të madhe sesi votojnë qytetarët, por e rëndësishme është si vendosin komisionerët e KQZ-së dhe gjykatësit sovjetikë të sistemit të drejtësisë. Tani, në qershor, basti është shumë më i madh. Nuk mjaftojnë vetëm mëngët e përveshura. Dhe këtë e di mirë Berisha. Ambasadori Arvizu e di gjithashtu mirë sepse pati kohën e duhur që të njohë Berishën, këtë mjeshtër të krijimit të problemeve, për t'u afruar më pas si pjesë e zgjidhjes së tyre.

You are receiving this email because you subscribed to this feed at blogtrottr.com.

If you no longer wish to receive these emails, you can unsubscribe from this feed, or manage all your subscriptions

0 comments:

Post a Comment