Pages

Tuesday, February 26, 2013

Gazeta Tema: Aventurat e Sandrit për të bërë Jamarbërin disident për djathin

Gazeta Tema
Gazete e perditshme shqiptare
Aventurat e Sandrit për të bërë Jamarbërin disident për djathin
Feb 26th 2013, 18:37

Doktori e ka marrë seriozisht punën e të pasurit një antikomunist në familje. Meqë vetë ishte komunist dhe nuk pati mundësi të ishte disident, më në fund ka gjetur të shpallë dhëndrin antikomunist, i cili ka qenë adoleshent në vitet e fundit të komunizmit.

E diskutoi gjatë idenë me Sandrin se si mund të shpallej një adoleshent antikomunist.

-Nuk di ç'të të them, i tha Sandri, se dhe unë atëherë kam qenë komunist. Por me sa kam dëgjuar. këta që ishin antikomunistë kishin pakënaqësi për ushqimin, veshjet…

-Shumë mirë e ke mendu, tha Doktori. Ka shprehë pakënaqësi për ushqimin. Shiko, Jamarbëri e don shumë djathin. Vazhdon ta dojë shumë. Ja porosisim djathin në baxho akoma. Shiko, do ta bëjmë që ai ka kërku djathë, nuk ka pasur djathë, dhe e kanë persekutuar.

-Mirë, tha Sandri. Ja t'i them Fevzos të përgatisë një rrëfim, dhe pastaj e përdorim për Jamarbërin.

-Shiko Sandër, jo Fevzos. Thuj dikujt tjetër…

-Po hë o Doktor, ç'ke me Fevzon? E bën ai…

-Shiko, jo Fevzon. Se ai pastaj e fikson në memorie dhe thotë që i ka ndodhur dhe atij. Nuk dua të ketë njeri tjetër histori të ngjashme si Jamarbëri.

-E mirë se i them Pandit, se ai ka dëgjuar shumë histori të tilla, tha Sandri.

Të nesërmen Sandri u kthye me një histori të gatshme të shkruar në emër të Jamarbërit.

-"Një ditë po dilja nga gjimnazi dhe po kaloja para bulmetores së lagjes. Sapo pashë tabelën "Bulmetore", më lëshoi lëng goja. Ëndrra më e madhe e jetës sime ishte djathi. E adhuroja atë. Sa herë që babi ikte me shërbim në rrethe nga Muzeu, na sillte djathë me vete dhe ne nuk ngopeshim duke e parë se si gjyshja e priste feta- feta, e fuste në hirrë, pastaj i vinte kapakun. Nuk na lejonte të merrnim vetë se e mbaronim shpejt. Sa herë që hapte kapakun, na jepte pak djathë dhe pak shëllirë të ngjyenim bukën. Ishin ditët më të lumtura të jetës sime. Me këto mendime në kokë, duke kaluar para dyqanit të djathit, vendosa të hyj brenda. Hodha sytë nga shitësja dhe vështrimi im pyetës e bëri atë të hutohej…

-Çuni i Luanit je ti mor, më pyeti.

-Po, i thashë.

-Qyqja sa qeke rrit me çun, të maj mend të vogël fare. Ça kërkon?

-Pak djathë, i thashë…

-Nuk ka ardhë furnizimi akoma, më tha.

Unë u bëra keq në fytyrë dhe thashë me vete "si nuk ka as djathë xhanëm".

-Qyqja, ça thu mor çun, je dhe djali i Luanit tha. Partia ka respekt për tët atë. I ka dhënë shkollë, punë, e ka bërë me pozitë.

-Jo, nuk thashë gjë, i thashë unë, thjesht më vjen inat që nuk ka djathë.

-Qyqja mo çun, kush të tha ty mor që s'ka djathë, djathë ka plot, po s'ka ardhë furnizimi të thashë.

Unë u zura ngushtë, nxitova hapat, dola në rrugë dhe ia dhashë vrapit.

Shitësja doli tek dera dhe po më ndiqte. Ajo ec, unë ec, ajo ec, unë ec, kalova kthesën e pallatit, ajo më ndiqte akoma. Hyra me vrap brenda në shtëpi.

Pas pak trokiti dera.

Gjyshja u ngrit ta hapte.

-Mos e hap gjyshe, i thashë, se duan të më arrestojnë.

-Qyqja, ça ke bo mo çun që do të arrestojnë, tha. Ne jena me partinë, babën me partinë, ne me partinë, nga ke ngja ti?

-Më shpëtoi goja, i thashë, në dyqan dhe thashë që nuk ka djathë. Po më gjurmo shitësja nga pas…

-Qyqja çuno, ça na paske bo, na ke turpëru me partinë, tha gjyshja dhe hapi derën.

Shitësja ishte pas derës me fytyrë të kuqe flakë.

U përshëndet me gjyshen dhe filloi të flasë me të. Unë u fsheha tek banja në korridor dyllë i verdhë nga frika.

-E keni këtë çun shumë arrakat, tha shitësja.

-E kena, ça të bojmë, e kena djalë të vetëm, tha gjyshja.

-E ndoqa nga pas e nuk e arrita dot. Harroi çantën në dyqan, s'di pse iku me vrap. Na, jepja se ne shokun Luan e respektojmë si njeri të partisë.

-Falemnders, i tha gjyshja. Sa të kemi këtë parti, gjithë të mirat do kemi.

Pastaj unë dola nga banja dhe pashë gjyshen në sy.

-Hajt mor çun se s'ka digju kush gjë. Mos na tremb kot.

-Po, po, ashtu të duket ty, i thashë gjyshes, por mua më vret ndërgjegja se e thashë…".

-Mirë Sandër, e dëgjova, tha Doktori. E ka bërë pak të gjatë ai. Duhet ta konsultojmë dhe me ndonjë oficer Sigurimi që ka qenë në atë kohë që njeh rrethanat.

-Ja japim Agim Shehut, tha Sandri, ai ka qenë oficer i lartë Sigurimi.

-Mirë, dakord, ta shikojë dhe një herë Gimi, ta korrektojmë dhe t'ia japim Jamarbërit ta botojë si intervistë.

-Le se merrem unë me këtë punë, tha Sandri dhe doli nga zyra i gëzuar që më në fund po i jepej rasti t'i zbuste marrëdhëniet me Doktorin, edhe pse Fevzon nuk e pranoi si ndërmjetës përsëri.

E rëndësishme ishte që kjo skena e djathit të dilte sa më e besueshme për publikun dhe Jamarbëri të dukej vërtet jo vetëm një hamës djathi, por dhe disident.

You are receiving this email because you subscribed to this feed at blogtrottr.com.

If you no longer wish to receive these emails, you can unsubscribe from this feed, or manage all your subscriptions

0 comments:

Post a Comment