Pages

Friday, February 22, 2013

Gazeta Tema: Ata nuk ndryshojnë

Gazeta Tema
Gazete e perditshme shqiptare
Ata nuk ndryshojnë
Feb 22nd 2013, 18:19

Arban Hasani karikatureNga Arban Hasani

Për Sali Berishën, prologu i kësaj fushate elektorale duket më i vështirë se asnjëherë më parë. Pas tetë vitesh problematike në qeverisjen e Shqipërisë, shihet se dy kolonat kryesore mbi të cilat shpallte se do të bazonte betejën e tij për të marrë një mandat të tretë, në mos janë rrëzuar, janë dëmtuar seriozisht. Mbi një muaj më parë, kur çeli zyrtarisht fushatën zgjedhore, kryeministri deklaroi se prioriteti i tij do të ishte bashkimi kombëtar si dhe demaskimi i opozitës si bllokuese e integrimit në BE. Por retorika nacionaliste është goditur menjëherë nga aleatët euroatlantikë të Shqipërisë, të cilët nga ana tjetër po i mëshojnë faktit se, cilësia e zgjedhjeve është vendimtare për procesin e integrimit.

Ajo çka po ndodh gjatë javëve të fundit rreth Tiranës zyrtare është prova më e mirë se strategjia elektorale e Berishës duket e tronditur që në fillim. Qeveria e Shteteve të Bashkuara, nëpërmjet disa përfaqësuesve të saj, e ka bërë të qartë se retorika nacionaliste është e papranueshme. Qëndrim identik ka mbajtur edhe Brukseli, duke e grisur këtë kartë përfundimisht. Nga ana tjetër, partnerët ndërkombëtarë të Shqipërisë kanë qartësuar se zgjedhjet e lira do të jenë prova vendimtare për vendin në sfidën për marrjen e statusit të vendit kandidat për në BE. Ndaj aktrimin e Jozefina Topallit, që i kërkonte opozitës të votonte tre ligjet që sipas saj ndajnë Shqipërinë nga Evropa, i fundit e nxori jashtë skene ambasadori i Britanisë së Madhe, kur deklaroi se garantimi i zgjedhjeve të lira është kushti kryesor për të ardhmen evropiane. Uashingtoni dhe Brukseli i kanë bërë thirrje të përsëritura qeverisë që të merret me zgjidhjen e problemeve të qytetarëve, duke parë drejt të ardhmes. Por pikërisht këtu duket se nis edhe problemi i Sali Berishës. Punët e bëra keq në të shkuarën ia kanë vështirësuar shpalljen e premtimeve të reja, sa kohë që të vjetrat kanë rezultuar të pambajtura.

Pas dy mandateve në krye të vendit, kryeministri duket se ka shumë pak gjëra për t'i treguar si arritje. Tetë vjet pasi erdhi në krye të vendit me sloganin e duarve të pastra, perceptimi rreth korrupsionit në administratë është dramatik. Një fenomen kapilar ky sipas vëzhguesve, që u ngjit në qiell me rastin e rrugës Rrëshen- Kalimash si dhe me flakët e kërpudhës së Gërdecit. Pasi premtoi se ndryshe nga vitet 1992- 97, kur cenoheshin të drejtat politike sepse demokracia ishte në hapat e parë, gjatë qeverisjes së tanishme ato kapën nivele nga më të ulëtat në Evropë. Në këto vite Sali Berisha jo vetëm kontrollon të gjithë institucionet kryesore të shtetit, por garda e tij ka vrarë katër opozitarë në mes të bulevardit kryesor të Tiranës. Nëse premtonte se s'do hapte procese ndaj gazetarëve, pas tetë vitesh mediat vuajnë asfiksinë e pushtetit të tij, ndërsa kundërshtarët dënohen sistematikisht me gjoba kolosale nëpër gjykata. Pikërisht në sistemin e drejtësisë, që duket se është vënë plotësisht nën urdhrat e qeverisë pasi mbyll procese ndaj qeveritarëve, jep verdikte që tronditin veç shqiptarëve edhe gjithë botën normale, por edhe zëvendëson institucione të tjera duke ndarë mandate deputetësh e të zgjedhurish lokal, gjithnjë në favor të pushtetit.

Pas dy mandatesh në qeveri, biznesi po vuan klientelizmin dhe krizën, paaftësinë menaxhuese dhe arrogancën e pushtetit. Largimi i FMN-së jo vetëm ishte kambanë alarmi për buxhetin e zhytur në borxh, por një betejë demagogjike për rritjen imagjinare ekonomike, kur vendi gjendet në recesion të thellë. Gjithashtu privatizimet strategjike jo vetëm kanë dështuar, por edhe janë telendisur si afera të dyshimta të ngjashme me faturat e kripura të CEZ-it. Papunësia, varfëria ekstreme, sistemi i mjeruar shëndetësor e arsimor, mungesa e fondeve për punët publike aq të reklamuara dikur, krijojnë një tjetër vështirësi për premtimet e mandatit të tretë.

Sali Berisha gjendet në vështirësi në nisje të kësaj fushate edhe prej mungesës së veprave konkrete. Pasi këtë herë i mungojnë edhe metrat paçka se të shumëfishuar të rrugëve të asfaltuara, edhe mburrja – me gjithë korrupsionin- për autostradën e kombit, edhe festa të ngjashme me atë të anëtarësimit në NATO apo edhe udhëtime të gënjeshtërta si dorëzimi i aplikimit për statusin e vendit kandidat. Atij i mungojnë edhe "grindjet" me ministrin e Financave për rritjen ekonomike dyshifrore, ndërsa arrorët dhe frutorët, ullinjtë dhe interneti, nuk hutojnë më kërkënd prej shqiptarëve që, megjithëse të fundit në rajon, kanë kohë që udhëtojnë pa viza.

Ndaj për të gjitha këto për Sali Berishën do të jetë shumë e vështirë të ndryshojë tezat e fushatës elektorale. Nevojës së qytetarëve, por edhe thirrjes së ndërkombëtarëve për t'u fokusuar tek problemet e Shqipërisë, kryeministri duket se e ka të pamundur për t'ju përgjigjur. Kur shpalli fushatën elektorale, ai duket se nuk gjeti diçka më të mirë se bashkimi kombëtar dhe sulmi ndaj opozitës për t'iu ofruar shqiptarëve. Por në të kundërt të asaj që thotë slogani i tij, "Ne jemi ndryshimi"- Sali Berisha duket se është i njëjti. Ndaj Brukseli dhe Uashingtoni kanë vënë alarmin që mos të përsëritet e shkuara e hidhur e post vitit 1996, kur vjedhja e zgjedhjeve dhe tonet e larta nacionaliste i shërbyen katastrofës. Sepse edhe ata nuk ndryshojnë.

You are receiving this email because you subscribed to this feed at blogtrottr.com.

If you no longer wish to receive these emails, you can unsubscribe from this feed, or manage all your subscriptions

0 comments:

Post a Comment