Pages

Saturday, December 29, 2012

Gazeta SHQIP: Athina do të ndërtojë xhaminë e parë

Gazeta SHQIP
...e përditshme e pavarur
Athina do të ndërtojë xhaminë e parë
Dec 29th 2012, 10:23

Rreth 300 mijë myslimanë vlerësohet se jetojnë në kryeqytetin e Greqisë

Qeveria e Greqisë po ecën përpara me planet për të ndërtuar xhaminë e parë në Athinë, pas rritjes së presionit dhe ksenofobisë nga grupet nacionaliste, gjë që i ka bërë të pasigurta vendet e faljes së myslimanëve të këtij vendi, bën të ditur BBC. Aktualisht në Athinë janë disa dhoma që përdoren nga komuniteti i emigrantëve myslimanë, vende që konsiderohen si të paligjshme dhe që në disa raste, janë sulmuar nga forcat ekstremiste.

Athina është kryeqyteti i vetëm në Europë dhe kryeqyteti më pranë botës myslimane, që nuk ka një xhami. Që kur Greqia fitoi pavarësinë nga Perandoria Osmane më 1832, asnjë qeveri nuk ka lejuar ndërtimin e një xhamie në Athinë. Greqia ka një histori të gjatë të lidhjes së kombësisë me religjionin, gjë që ka sjellë diskriminim dhe klasifikimin si "jo-grek" të së gjithë popullatës që nuk i përket besimit ortodoks.

Por ndërkohë, valët e emigrantëve nga Lindja kanë sjellë krijimin e një komuniteti myslimanët që në Athinë vlerësohet të jetë rreth 300 mijë vetë.

"Është një tragjedi e vërtetë për ne si myslimanë fakti që nuk ka një xhami këtu", thotë Syed Mohammad Jamil nga shoqata Pakistan—Helenike. "Greqia ka prodhuar demokracinë, qytetërimin dhe respektin për religjionin – por ata nuk respektojnë myslimanët duke siguruar një xhami të rregullt dhe të ligjshme".

Presioni mbi qeverinë po rritet për të siguruar një xhami të ligjshme, tashmë që partia neofashiste "Agimi i Artë", po rritet. Deputetët e kësaj partie janë akuzuar se kanë rrahur emigrantët dhe kanë vandalizur disa nga dhomat e faljes për myslimanët. Një nga deputetët deklaroi pak kohë më parë se mendonte që kufiri i Greqisë me Turqinë duhet të minohet në mënyrë që të ndalen emigrantët.

Pranë qendrës së qytetit, një ish-bazë ushtarake tashmë është përzgjedhur si vendi për xhaminë e parë në qytet, pas 200 vjetësh. Kjo xhami mund të mbajë faljen e 500 njerëzve. Qeveria këmbëngul se projekti kësaj here do të ecë përpara, pavarësisht se në të shkuarën, shumë përpjekje të tilla kanë dështuar për shkak të reagimit të popullatës. Xhamia vlerësohet se do të kushtojë 1.3 milionë dollarë dhe do të financohet nga shteti.

"Në të shkuarën ka pasur frikë nga disa segmente të shoqërisë greke mbi ndërtimin e një xhamie, por ne duhet ta kapërcejmë këtë frikë", thotë Stratos Simopoulos, sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Zhvillimit. "Kriza financiare është një problem dhe qeveria ka prioritete të tjera tani, por kjo xhami duhet të ndërtohet dhe ne ndoshta do të nisim procesin brenda pak muajsh".

Megjithatë, ideja e një xhamie vijon të luftohet ashpër dhe disa nga krerët e Kishës Ortodokse duken të palëkundur nga qëndrimi i tyre për të mos e lejuar ndërtimin.

Peshkopi Serafin nga një kishë në Athinë thotë se vendi i tij duhet të ruajë identitetin e vet. "Greqia vuajti pesë shekuj tiranie islamike gjatë sundimit turk dhe ndërtimi i një xhamie do të fyente martirët që na çliruan", thotë ai. Sipas tij, grekët nuk urrejnë askënd, por "shumica e myslimanëve kanë ardhur ilegalisht për të islamizuar Europën".

I pyetur për faktin që ky ngjan një qëndrim islamofobik në kundërshtim me multikulturalizmin e Bashkimit Europian, peshkopi nxjerr mendime të tjera. "Ne nuk jemi një vend shumëkulturor. Ne jemi një komb grek dhe çdo gjë tjetër është një shpikje e re e një 'rendi të ri' të sionizmit. Ata po përpiqen të na korruptojnë", thotë ai. Në rrugë mendimet e qytetarëve janë të përziera. "Myslimanët duhet të kenë tempullin e tyre", thotë Kali Patounia, një punonjës banke. "Emigrantët e Greqisë në vende të tjera kanë ndërtuar kishat e veta dhe kanë ndjekur fenë e vet, pra kjo është hipokrizi", shton ajo.

Marios, një student, nuk është dakord. "Ne nuk duhet të kemi një xhami këtu. Ky është një vend i krishterë dhe nëse ata duan një xhami, duhet të shkojnë në vendet nga kanë ardhur", thotë ai.

Ndërtimi i një xhamie është bërë një çështje simbolike për llojin e shtetit që Greqia është.

Athina do të ndërtojë xhaminë e parë burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP

You are receiving this email because you subscribed to this feed at blogtrottr.com.

If you no longer wish to receive these emails, you can unsubscribe from this feed, or manage all your subscriptions

0 comments:

Post a Comment