Pages

Saturday, December 1, 2012

Gazeta Panorama ONLINE: Të ardhurat e 2013, opozita: Qeveria është jashtë realitetit

Gazeta Panorama ONLINE
Gazeta Panorama Versioni ONLINE, lajmet e fundit, lajmi i fundit
Të ardhurat e 2013, opozita: Qeveria është jashtë realitetit
Dec 1st 2012, 09:46

Komisioni i ekonomise

Opozita është treguar skeptike për parashikimin e të ardhurave që ka bërë qeveria në buxhetin e vitit 2013, ku ky zë parashikohet 360 miliardë lekë. Në diskutimin e Komisionit të Ekonomisë dje, deputetët e PS-së e bazuan argumentin e tyre tek administrimi i dobët, sipas tyre, që u është bërë të ardhurave dhe tendencën e viteve të fundit, kur nuk është realizuar asnjëherë plani. Maxhoranca, nga ana e saj, është kursyer në pyetje dhe pretendime dhe vetëm kryetari i Komisionit Edmond Spaho dhe zëvendësministri i Financave, Alfred Rushaj, kanë bërë mbrojtjen e variantit të qeverisë para "sulmit" të opozitës.
Përplasja
Për deputeten Mimi Kodheli, qeveria duhet që të japë shpjegime se si pretendon të arrijë rritje në zërat e parashikuar të të ardhurave, qoftë te TVSH-ja, qoftë te akciza apo tatimfitimi. Zëvendësministri i Financave, Alfred Rushaj, u shpreh se rritja e të ardhurave do të ketë në bazë rritjen e eficiencës së administrimit në mbledhjen e tyre, pasi janë marrë një sërë masash që do të japin efekte të dukshme, siç janë kasat fiskale apo kalimi i administrimit te Doganat. Por kjo përgjigje nuk e ka bindur Kodhelin, e cila është konfliktuar me fjalë me zëvendësministrin Rushaj, debat që ngriti tonet e të dyja palëve. Deputeti tjetër i PS-së, Arben Ahmetaj, e cilësoi buxhetin e vitit 2013 si një buxhet krize, ku qeveria ka humbur optimizmin, por, nga ana tjetër, shfaq pasiguri të mëdha në shifrat që jep. "Në një vështrim që mund t'i bëhet buxhetit të vitit 2013 vërehet se ai përsëri është buxhet i krizës dhe buxhet i mungesës së optimizmit. Megjithatë, më duhet ta them që qeveria është sforcuar ta paraqesë si buxhet normal, por në fakt, buxheti në vazhdimësi dhe në diskutimin që kemi bërë, paraqet pasiguri serioze të shifrave dhe fsheh të meta dhe dobësi në administrimin fiskal. Mbi të gjitha, ka mungesë vizioni", tha Ahmetaj. Një tjetër pikë që u bë shkak konflikti dhe ironie nga ana e opozitës ishte ajo e deklaratës së zëvendësministrit të Financave, Alfred Rushaj, lidhur me mosrealizimin e të ardhurave për vitin 2012, duke ua faturuar këtë problemeve që solli moti në fillim të këtij viti. Por, ky argument e ka nxehur deputeten Kodheli, kurse nga deputeti i PS, Erjon Barçe, është trajtuar me ironi si një justifikim i pabazë i qeverisë.

Debatet ne komision
Alfred Rushaj:
Zonja Kodheli foli për rënie të të ardhurave, mosrealizim të të ardhurave nga taksat. Po, është vërtetë. Nga parashikimi ne kemi një mosrealizim që ka ardhur për disa faktorë, faktorë që në një pjesë të madhe nuk vareshin nga ne. Ju e dini që në tremujorin e parë të vitit, gjysma e Shqipërisë ishte nën borë dhe nën shi. Një pjesë e aktivitetit tregtar u pezullua, gjë që u shoqërua me rënie të fluksit të të ardhurave.
Mimi Kodheli: Më jep përgjigje për atë që të pyeta. Mos më trego mua përralla me borë dhe me shi. Nuk e dua nëse kjo është përgjigja juaj. Nuk e dua.
Edomond Spaho: Mund ta lësh të flasë?
Mimi Kodheli: Të lutem, ka mundësi. Unë nuk mund ta lë të flasë, këtu jemi persona seriozë. Përgjigjja e zotërisë atje ka të bëjë me seriozitetin dhe po them se s'ka të bëjë as me durimin.
Edomond Spaho: Po bëni si të llastuar.
Alfred Rushaj: Unë vij në një tavolinë shumë të nderuar, por nuk vij të ofendoj njeri. Pjesën e përrallave, zonja Kodheli, ta mbajë për vete dhe t'ia tregojë atij që ka qejf t'ia tregojë. Në vijmë flasim për ato që janë shifra.
Mimi Kodheli: Fol drejt dhe mos më bëj interesantin mua këtu.
Alfred Rushaj: Ka një masë të caktuar ku respekti për deputetët, tavolinën dhe personin tuaj ka fund, dhe kjo është kur aty filloni më cenoni mua personalisht aty ku nuk ju takon.
Arben Ahmetaj: Në këndvështrimin tim, projektbuxheti i vitit 2013 reflekton krizë ekonomike tashmë të identifikuar që ka pushtuar ekonominë dhe financat e vendit. Kjo reflektohet në mungesën e rritjes ekonomike, në mosrealizim disa vite të treguesve fiskalë. Në një vështrim që mund t'i bëhet buxhetit të vitit 2013, vërehet se ai përsëri është buxhet i krizës dhe buxhet i mungesës së optimizmit. Qeveria, megjithatë, më duhet ta them që është sforcuar ta paraqesë si buxhet normal, por në fakt buxheti në vazhdimësi dhe në diskutimin që kemi bërë, paraqet pasiguri serioze të shifrave dhe fsheh të meta dhe dobësi në administrimin fiskal. Mbi të gjitha, ka mungesë vizioni.
Erjon Braçe: Nga i gjithë ky diskutim i sotëm, dy gjëra më ngelën në mendje dhe që janë të rëndësishme. E para, që moti i keq gjatë muajve janar-shkurt dhe që u pasua me rritje shpenzimesh, sipas jush, ka sjellë si pasojë uljen e taksave, aq sa ngeli për t'u thënë vetëm kaq: Që për shkak të borës, ujqit hëngrën delet dhe nuk paguan TVSH-në. Dhe e dyta ishte kjo që sapo dëgjova, sipas së cilës, mirëqenia në shtëpitë e shqiptarëve është rritur dhe materializuar edhe në buxhet. Në fakt, skenat e dy ditëve më parë mbi tortën më të madhe në historinë botërore dëshmojnë më së miri se sa është rritur mirëqenia në këtë vend. Ndërkohë që numrat që vetë qeveria paraqet tregojnë të kundërtën, tregojnë niveli i të ardhurave tatimore dhe për vitet 2012-2013 është më i vogël sesa në vitin 2006 në përqindje kundrejt GDP-së. Të ardhurat nga Tatimet dhe Doganat janë më pak se 2006-ta, e po kështu edhe tatimfitimi. Këto tregojnë dhe njëherë që niveli i të ardhurave ka rënë dhe që është faktori kyç pse qeveria e ka rritur borxhin.

Qeveria, 70 milionë USD borxh biznesit
Opozita u interesua dje lidhur me rimbursimin e TVSH-së që qeveria duhet të bëjë për bizneset dhe deputeti Arben Ahmetaj, në pyetjen e tij kërkoi detaje për situatën aktuale. Zëvendësministri Alfred Rushaj sqaroi se shifra e këtij "borxhi" që shteti ka ndaj bizneseve është 7 miliardë lekë dhe ka pësuar ulje drastike nëse i referohemi fillimit, kur shifra ka qenë 40 miliardë lekë. "Aktualisht janë rreth 7 miliardë lekë tepricë e krijuar TVSH e rimbursueshme dhe që është në proces pagimi nga ana e Tatimeve. Ajo çfarë është paraqitur për rimbursim është edhe më e madhe, por kërkesa shoqërohet dhe me verifikim dhe ka rezultuar në disa raste tek operatorët që teprica kreditore e TVSH-së të mos u përgjigjet mallrave stok që janë gjetur nga inventari", tha Rushaj.

Ujitja, 31 milionë euro për 80 mijë fermerë
Projekti i përmirësimit të administrimit të burimeve ujore dhe ujitjes janë fokus i kredisë më të fundit të miratuar nga Bordi i Drejtorëve Ekzekutivë të Bankës Botërore ditën e djeshme në ndihmë të Shqipërisë. Në një njoftim për shtyp, zyra e Bankës Botërore në Tiranë bën me dije se mbështetja financiare vjen në formën e huas nga Banka për Rindërtim dhe Zhvillim, me 31 milionë euro dhe një granti nga qeveria e Suedisë prej 3,88 milionë eurosh. Projekti do të përqendrohet në vendosjen e kuadrit strategjik për të menaxhuar burimet ujore në nivel kombëtar dhe në zonat ujëmbledhëse të Drinit – Bunës dhe të Semanit, si dhe të përmirësojnë në mënyrë të qëndrueshme performancën e sistemeve të ujitjes në zonën e projektit. Nga ky projekt, sipas BB, pritet të përfitojnë drejtpërdrejt mbi 80 000 fermerë, duke përfshirë edhe mbi 5000 gra.

NERTILA MAHO

You are receiving this email because you subscribed to this feed at blogtrottr.com.

If you no longer wish to receive these emails, you can unsubscribe from this feed, or manage all your subscriptions

0 comments:

Post a Comment